Edhe Suedia deklaron zyrtarisht hyrjen në NATO, çfarë fshihet pas hezitimit të...

Edhe Suedia deklaron zyrtarisht hyrjen në NATO, çfarë fshihet pas hezitimit të Turqisë dhe përgaditja e Erdogan për përfitim politik të brendshëm

49
0
Shares

Qeveria e Suedisë mori vendimin zyrtar të hënën për të paraqitur kërkesën për anëtarësim në NATO, duke ndjekur hapat e fqinjit të saj Finlandës, në një lëvizje që do ta ndryshojë hartën gjeopolitike të Evropës veriore, raporton Zeri i Amerikës.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara mbështesin anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Udhëheqësit e këtyre vendeve thonë se lufta në Ukrainë i bëri ata të shqyrtojnë sigurinë e tyre.

Vendimi i Suedisë për të bërë kërkesën për anëtarësim në NATO vjen pas më shumë se 200 vjet të një qëndrimi neutral ushtarak dhe pritet të shqetësojë presidentin rus Vladimir Putin.

“Qeveria ka vendosur të informojë NATO-n se Suedia dëshiron të bëhet anëtare e aleancës”, tha të hënën kryeministrja suedeze Magdalena Andersson.

Njoftimi erdhi pasi një debati në parlamentin suedez, ku pati një mbështetje të madhe për anëtarësimin e vendit në NATO. Nga tetë partitë e Suedisë, vetëm dy parti më të vogla të majta e kundërshtuan qëndrimin e qeverisë.

Shtetet e Bashkuara thanë se mirëpresin deklaratat e Finlandës dhe Suedisë mbi synimin e tyre për të kërkuar anëtarësimin në NATO.
“Ne do t’i mbështesim fuqimisht kërkesat e tyre kur ato të paraqiten zyrtarisht në Bruksel, por Finlanda dhe Suedia janë partnerë të ngushtë dhe të vlerësuar të mbrojtjes për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n”, tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Diplomatët e lartë të NATO-s u takuan të dielën në Berlin për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën dhe planet e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në aleancën më të madhe ushtarake në botë, e cila ka furnizuar Ukrainën me armë gjatë gjithë luftës.

“Në takimin me aleatët në Berlin morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të Suedisë dhe Finlandës. Të dy vendet janë partnerë të ngushtë dhe të vlefshëm të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, dhe Uashingtoni do të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, nëse ato zyrtarisht vendosin ta bëjnë këtë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Finlanda ndan një kufi 1,300 kilometra të gjatë me Rusinë. Të dielën, ajo njoftoi zyrtarisht synimin e saj për anëtarësim në NATO.

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se anëtarësimi i Finlandës në NATO do të ishte veprim i gabuar. Presidenti i Finlandës foli me zotin Putin dhe tha se ishte i befasuar nga qetësia me të cilën ai e priti lajmin për planin e Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO.

“Situata tani ka ndryshuar. Ne do të fillojmë procesin e anëtarësimit në NATO. Putini, gjithashtu konfirmoi se ai mendon se ky është një gabim. Por tha se ‘Nuk po ju kërcënojmë.’ Në përgjithësi, diskutimi ishte i qetë dhe i ftohtë”, tha presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö.

Parlamenti i Finlandës do të duhet të miratojë një kërkesë zyrtare për t’u anëtarësuar në NATO, por njoftimi i presidentit finlandez vjen pas një rekomandimi parlamentar këtë javë për ta bërë këtë. Megjithatë, anëtarësimi në NATO kërkon kohë dhe nuk është e qartë nëse Rusia do ta ndëshkonte paraprakisht këtë vend evropian.

Një pengesë që duhet kapërcyer është kundërshtimi i Turqisë ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë. Anëtarësimi në aleancë kërkon një votë unanime.

Kjo nuk e ndihmon Ukrainën, e cila po lufton me Rusinë që nga shkurti.

“Qëndrimi i tanishëm i Suedisë dhe Finlandës për të aplikuar për anëtarësim në NATO dhe përgjigja nga aleatët që kjo të shqyrtohet dhe përmbushet menjëherë është një shenjë e qartë se NATO ka mësuar nga gabimet e saj politike”, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës Olga Stefanishyna.

Parlamenti i Finlandës pritet të votojë për anëtarësimin në NATO në ditët në vijim, një veprim që pritet të pasohet nga Suedia.

Ndërkaq Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të hënën se delegacionet suedeze dhe finlandeze nuk duhet ta marrin mundimin të shkojnë në Ankara për ta bindur atë që të miratojë kërkesën e tyre për anëtarësim në NATO.

Turqia i befasoi aleatët e saj të NATO-s javën e kaluar kur tha se nuk do t’i shihte kërkesat e tyre për anëtarësim në dritë pozitive, duke përmendur si argument kryesor faktin që ata u japin strehim anëtarëve të grupeve që Ankaraja i konsideron si terroristë.

Në një konferencë shtypi, zoti Erdogan tha se Turqia nuk do të miratojë aplikimet e tyre për t’u anëtarësuar në NATO, duke e quajtur Suedinë një “inkubator” për organizatat terroriste dhe duke shtuar se ata kanë terroristë në parlamentin e tyre.

“Asnjë nga këto vende nuk ka një qëndrim të qartë dhe të hapur ndaj organizatave terroriste,” tha zoti Erdogan. “Si mund t’u besojmë atyre?”

Ministria e jashtme suedeze tha më herët të hënën se përfaqësues të lartë të Suedisë dhe Finlandës planifikojnë të udhëtojnë në Turqi për bisedime për të diskutuar mbi kundërshtimet e Ankarasë.

“Ata do të vijnë në Turqi të hënën. A po vijnë të na bindin? Më falni, por ata as nuk duhet ta marrin mundimin,” tha Presidenti Erdogan për vizitën e planifikuar.

Ai tha se NATO do të bëhet “një vend ku janë të përqendruar përfaqësues të organizatave terroriste ” nëse të dy vendet anëtarësohen.

Ankaraja thotë se Suedia dhe Finlanda strehojnë njerëz që ajo thotë se janë të lidhur me grupet që i konsideron terroriste, përkatësisht grupin militant të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) dhe mbështetësit e Fethullah Gulenit, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e përpjekjes për grusht shteti të vitit 2016.

Televizioni shtetëror turk TRT Haber tha të hënën se Suedia dhe Finlanda nuk kishin dhënë miratimin për riatdhesimin e 33 personave që i ka kërkuar Turqia.

Zoti Erdogan tha gjithashtu se Turqia do të kundërshtonte kërkesat për anëtarësim në NATO të vendeve që kanë vendosur sanksione ndaj saj. Suedia dhe Finlanda kishin vendosur embargo për eksportin e armëve ndaj Turqisë pas inkursionit të saj në Siri në vitin 2019.

NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se ishin të bindur se Turqia nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

Diplomatët thanë se zoti Erdogan do të ndjehet nën presion për t’u dorëzuar pasi një anëtarësim i Finlandës dhe Suedisë do të forconte konsiderueshëm NATO-n në Detin Baltik.

Zëdhënësi i zotit Erdogan tha të shtunën se Turqia nuk i ka mbyllur derën për anëtarësim Suedisë dhe Finlandës në NATO, por do negociata si edhe që ato të luftojnë aktivitete që Ankaraja i konsideron terroriste. VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY