ILIR NIKOLLA/ Kompromisi kozmetik, një paketë “make-up”-i për vrasjen e zgjedhjeve

ILIR NIKOLLA/ Kompromisi kozmetik, një paketë “make-up”-i për vrasjen e zgjedhjeve

71
0
Shares
ilir nikolla, e vogel

Ilir Nikolla

Përpjekjet e djeshme të makinës propagandistike qeveritare për ta paraqitur Edi Ramën si politikanin që ka lëshuar në maksimum dhe ka pranuar të gjithë listën e sugjerimeve të McAallister-it ishin jo të frytshme. Edhe korrespondentët që raportonin nga terreni, s’e fshihnin dot mosbesimin kur shqiptonin faktin se zgjidhja e krizës së thellë politike në vend po kërkohej tek njëfarë rotacioni i dorës së dytë në Policinë e Shtetit apo tek disa ndryshime në Kodin Penal, sa i përket ndëshkimit të atyre që vënë dorë mbi zgjedhjet. “Të ndryshohet Kodi Zgjedhor dhe kreu i KQZ t’i jepet opozitës; Të ketë shkarkime në kupolën drejtuese të policisë; Kriminalizim i shit/blerjes së votës” është një paketë “kompromisi” që fyen çdo njohës sipërfaqësor të krizës së rëndë politike e shoqërore që po kalon vendi.
Prej më shumë se 16 vitesh, standardet e papërmbushura zgjedhore në Shqipëri s’kanë qenë standarde të numërimit (megjithë disa problematika që shfaqen kohë pas kohe), por të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve përmes blerjes së votës apo pabarazisë së fushatës, në fonde e në media. Po t’u shtojmë këtyre plagëve të vjetra, edhe plagët e reja të keqpërdorimit ekstrem të administratës zgjedhore si dhe të zbritjes në fushë të klaneve të kanabisit, në favor të “status-quo”-së së Edi Ramës, kuptojmë se lista e sponsorizuar e “standardeve teknike” po degjeneron në një barkë për të shpëtuar politikisht kryeministrin.
Ta përqendrosh të gjithë përpjekjen tek kozmetika, tek mënyra për të zhvilluar edhe njëherë zgjedhje “buono per l’Albania” është një qasje fatkeqe perëndimore dhe një asist për të gjithë ata që mendojnë të gjejnë shesh tek destabilizimi i vendit për të bërë përsheshin e zakonshëm rajonal. Kozmetika s’ka qenë asnjëherë përzgjedhje për të rregulluar në themel e njëherë e mirë diçka që s’shkon si duhet, edhe pse prejardhja e fjalës nga greqishtja përcjell bash këtë synim “vendosjen e rregullit”. Në rastin e zgjedhjeve shqiptare, kozmetika e propozuar na paraqitet si vendosje e një aparati që neutralizon zhurmën e protestës, si një bakshish që synohet t’i jepet nxënësit që bën zhurmë në klasë, në mënyrë që ai të lejojë zhvillimin e mësimit. Krejt kozmetike janë propozimet për të larguar një palë policë e për të sjellë një palë tjetër, sa kohë narko-klanet e qeverisë janë të plotfuqishme dhe sipas shembullit të fundit të Dibrës e sjellin rezultatin e duhur për Edi Ramën pa pasur nevojë të prekin fletën në kutinë e votimit.
Paketa kozmetike konfirmon urgjencën që ka kryeministri për të garantuar “status-quo”-në e mbajtjes së zgjedhjeve që do t’i garantonin ortakërinë me krimin, kapjen e pushtetit të drejtësisë dhe rrjedhimisht edhe paprekshmërinë në të ardhmen. “Status-quo”-ja i garanton Edi Ramës blerjen e së ardhmes, prandaj edhe për hir të saj, është gati të miratojë çfarëdolloj kozmetike që s’prek thelbin, mekanizmin e blerjes së votave. Në listën kozmetike ishte edhe propozimi i çuditshëm për t’ia dhënë opozitës KQZ-në, duke e çliruar qeverinë nga përgjegjësia për të zhvilluar zgjedhjet, një rekord i absurdit që s’gjen krahasim asgjëkund në Perëndim dhe që konfirmon ashiqare se garant i zgjedhjeve tona s’është as KQZ-ja e as qeveria, por narko-klanet, të cilat do të funksionojnë njësoj, qoftë me 18 qershor, qoftë me 16 korrik, mjaft që Edi Rama të mos lëvizë nga zyra.
Kozmetika s’është zgjidhje për të gjallët, prandaj edhe paketa e propozuar dje dhe e refuzuar – shyqyr Zotit – ishte paketa “make-up” që ofrohet për të vdekurin e demokracisë shqiptare, zgjedhjet e lira. Për zgjidhjen e krizës shqiptare të zgjedhjes duhet një doktor ndërkombëtar e jo një grimier. Prandaj edhe shpresat janë që ndonjë ndërmjetës shqiptarofil të mund të vijë në Tiranë, me pushtetin për ta detyruar Edi Ramën të dorëzojë dorëheqjen, para se kriza të kalojë në një fazë të re. Sa më shpejt të identifikohet autoriteti i ndërmjetësit të përshtatshëm për këtë punë, aq më mirë do të ishte për të gjithë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY