Berisha bën deklaratën surprizë: Ftoj Ramën në debat publik, t’ia themi njëri-tjetrit...

Berisha bën deklaratën surprizë: Ftoj Ramën në debat publik, t’ia themi njëri-tjetrit në sy të gjitha

55
0
Shares

Ish kryeministri Sali Berisha tha sot gjatë një konference shtypi në selinë e PD, se ishte gati për një debat publik me kryeministrin Edi Rama.

”Ftoj Ramën në debat publik, t’ia themi njëri-tjetrit në sy të gjitha”, tha Berisha para gazetarëve.

Në vijim Berisha tha se Rama krijon vetëm mekanizma vjedhje ndërsa nga viti 2014 indeksi i çmimit të ushqimeve është rritur 100%.

Duke komentuar djegësit ai tha se vjedhja me inceneratorët lidhet me kryeministrin. “Çdo prangosje e Ëngjell Agaçios, të çon automatikisht tek padroni i tij, Edvini”, tha Berisha.

Edhe Butrinti është një aferë multidimensionale e paimagjinueshme, theksoi ish kryeministri. Në atë territor po ndërton resortin turistik njeriu, miku i Edi Ramës, ku vetë ai mund të jetë aksioner.

Duke komwntuar situatën aktuale sot Berisha tha se Edi Rama është në disekuilibrim, po i shtrëngohet laku. “Është autori kryesor që ka mashtruar Departamentin e Shtetit për Sali Berishën. Pergjigjia e DASH është se burim përveç medieve dhe OJF, kanë qenë dhe raportet e hetimit antikorrupsion të qeverisë shqiptare. E besoj plotësisht deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit. Edi Rama ka dërguar raporte të cilat nuk i ka publikuar dot kurrë”, tha Berisha.

Deklarata e Berishës dhe pyetje-përgjigje:

Prej disa javësh kreu i organizatës kriminale të hajdutëve të icineratorëve në një panik të jashtëzakonshëm merret me drejtësinë dhe kundërshtarët e tij politikë. Shkaqet janë madhore. Edi Rama beson se me këto qëndrime të cilat shëmbëllejnë dhe janë të denja për Korenë e Veriut apo regjimin e etërve të tij, ka disa synime: Më së pari të tërheqë vëmendjen e qytetarëve shqiptarë, të cilët po përballen me vështirësi shumë të mëdha në jetën e përditshme, për shkak të kësaj qeverie, të këtij kryeministri, i cili me firmi dhe me vulë, vjedh vjedh dhe vetëm vjedh. Krijon vetëm mekanizma vjedhjeje.

Dje unë po kontrolloja të dhënat, statistikat.

Dhe rezulton se nga viti 2014 e deri më sot indeksi i çmimit të ushqimeve është rritur 100%. Unë ju jap unë vetëm një të dhënë. Shumica e familjeve shqiptare shpenzojnë më shumë se 50% të të ardhurave vetëm për ushqimet, pra një varfëri e frikshme rritet çdo javë dhe çdo muaj në këtë vend, në një kohë kur kryeministri dhe ministrat e tij të pangopur vazhdojnë të vjedhin dhe shpërdorojnë trojet publikë, pronat publik, asetet publike nga Kepi i Stillës deri në skajin tjetër më të largët të vendit.

Duhet tu rikujtoj dhe një herë një bisedë që unë kam pasur me një avokat të famshëm amerikan, të cilin Presidenti Bush e emëroi ambasador të SHBA në Vjenë në OSBE.

Gjatë një dreke që pati atëherë me kryeministrin e kohës të Shqipërisë, më tha se unë kam pasur disa klientë miliarderë që kishin vjedhur, problemi ishte se asnjëri prej tyre nuk donte që mos të vidhte më shumë, donin që të vazhdonin vjedhjen. Kjo ndodh me këtë kryeministër dhe këta ministër. Pse Edi Rama ka humbur, gjumin. Nuk i rrihet më në Shqipëri, por në kurriz të taksapaguesve me avion ecën dhe udhëton si gjëja më e pavlerë e Evropës zyrtare.

Pse?

Zonja dhe zotërinj, unë do tu lexoj vetëm një nga “Pse”-të, dhe kjo “pse” që po lexoj sot lidhet me aferën e djegësave. Më datë 11.12 2014, Ministri i Mjedisit Lefter Koka, i dërgon një shkresë Agjencisë së Prokurimit Publik duke i kërkuar dhënien e mendimit lidhur me projektvendimin për procedurën e dhënies me koncesion të incineratorit të Elbasanit. Gjashtë ditë më vonë më datën 17.12 2014 Ministri Koka i dërgon sërish një shkresë Agjencisë së Prokurimit për dhënie mendimi për projektvendimin e sipërcituar. Për së dyti kjo.

Një ditë më vonë më datë 18.12 2014 Agjencia e Prokurimeve Publike i kthen përgjigje ministrit Koka, duke cituar nenin 22 të prokurimeve publike pika tre të ligjit të ligjit numër 125 të vitit 2013, për koncesionet dhe partneritetin publik privat, sipas të cilit për dhënien e koncesioneve, PPP-ve, mund të përdoret vetëm njëra nga tre procedurat, e hapur, e kufizuar dhe procedura me negocim me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. E qartë besoj.

Procedura që kërkonte Ministri Koka me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, ligji shqiptar dhe botëror nuk e njeh, sepse ligji shqiptar bazohet në atë ndërkombëtar. Duke qenë se procedura e propozuar nga Ministri Koka, me negocim pa shpallja paraprake të kontratës nuk bënte pjesë tek asnjë nga procedurat e parashikuara nga ligji për koncensionet dhe prokurimet publike, Agjencia e Prokurimeve i kërkon ministrit që procedura të kryhet në përputhje me dispozitat ligjore. Për dijeni të këtij informacioni është vendosur dhe Sekretari i Përgjithshëm, Don Agaçio “dhuratë madhi”. Ky i fundit ka qenë plotësisht në dijeni se procedura e propozuar ka qenë plotësisht e kundërligjshme. Megjithatë Don Agaçio “dhuratë madhi”, se ky bën dhurata me hektarë, nuk i ka të vogla, por me hektarë si rasti i gjeneralit mafioz. Don Agaçio i vetëdijshëm për shkeljen e ligjit për koncesionet, i ka paraqitur qeverisë për miratim vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 907, datë 17.12 2014, për miratimin e sigurimit të financimit për kontratën koncensionare të incineratorit të Elbasanit. Madje paligjshmëria arrin deri aty sa në përmbajtjen e këtij vendimi thuhet se autoriteti kontraktues ka shpallur procedurë. Urdhëroni se si sekretari i përgjithshëm i mafies, në strofkullën ku është zyra e Edi Ramës, përdor termin “ ka shpallur proçedurë” ndërkohë që ajo vetë është procedurë e pashpallur. Në një kohë kur ishte mëse e qartë se skishte pasur asnjë shpallje, dhe procedura e ndjekur ishte haptaz antiligjore. Neni 9 parashikon se Sekeratri i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ka kompetenca si vijon:

Kthen në bazë të dokumentave ligjore projekt aktet, kur ato bien në kundërshtim me kushtetutën apo bazën ligjore. Detyra më kryesore dhe ai ka një departament të tërë juristësh që merren vetëm me këtë çështje. Engjëll Agaçi do duhej ti kishte kthyer për rishqyrtim vendimin Ministrisë së Mjedisit duke qenë se nuk ishte në përputhje me ligji. Duke mosverpuar kështu ai ka shkelur ligjin.

Po cila është pasoja?

Pasoja e këtij vendimi që i del në gjumë, se Edvinit tani më firmat i duken si hekura, herë në këmbë e herë në duar. Ky vendim thotë: Këshilli i Ministrave, Këshilli Kombëtar i Territorit, miraton lejen e ndërtimit të incineratorit të Elbasanit, zonën dhe territorin. Dhe këtu firma nuk është e askujt tjetër vetëm se e Edi Ramës. Tani këtu kemi vetëm njërën “pse”. Çdo prangosje e Ëngjell Agaçios, të çon automatikisht tek padroni i tij, Edvini. Kurrë një kryeministër nuk mund të firmoste për një kontratë dhe aferë të tillë. Ju duhet ta dini se kaq i ngërthyer është Edi Rama në këtë aferë, saqë janë me mijra qytetarë shqiptarë, ish punonjës, që i kanë fituar gjyqet për rrogat, që i kanë fëmijët pa ushqim, dhe që nuk i jepet asnjë qindarkë, në një kohë që Zoto Gugalja dhe Mërtiri paguhen rregullisht, nga thesari i Ramës dhe Arben Ahmetaj. Kjo është njëra aferë. Afera të tjera janë zinxhir. Ju keni dëgjuar këto ditë për Butrintin. Butrinti është një aferë multidimensionale e paimagjinueshme. Në territorin e gjirit të Manastirliut ku ka një Manastir kisha, në vend që toka trualli, territori i rikthete kishës, sepse manastiri nuk është vetëm një institucion kulti por dhe një instititucion shumë i çmuar kulturo, aty në atë territor po ndërton resortin turistik njeriu, miku i Edi Ramës, natyrisht ku vetë ai mund të jetë aksioner. Duke uzurpuar prona publike, Kepi i Stillës, laguna e cila është zonë Ramsar e cilësuar si zonë e supermbrojtur, është dhënë për ndërtimin e 620 vilave, ku pa asnjë diskutim lan paratë Edi Rama me miqtë e tij. 620 vila në Kepin e Stillës.

Mund të rreshtoj “pse” të tjera, të cilat në tërësi lidhen me xhepin, xhepin dhe vetëm xhepin. Afera që janë po kaq të dhimbshme, që rrënuan shëndetësinë tonë siç është Check Up që nuk e bëri asnjë nga vendet e zhvilluara sepse është konsideruar nul në dobinë e tij. Por Vilma Nushi oligarkja Nushi, kushërira e klanit merr dhjetëra e dhjetëra milionë euro, ndërkohë që mjekët mbeten me rrogat më ulëta.

2 oligarkë fryhen dhe pasurohen me jetët e shqiptarëve, me ilaçet e tyre që prodhojnë dhe kontrollojnë. Vilma Nushi dhe Tomë Doshi që të dy të lidhur si bloza me tymin me Edi Ramën. Pra, shërthimi i skandaleve të njëpasnjëshme kanë bërë që Edi Rama të humbasë arsye logjikë, të futet në atë që quhet sindroma e problemeve të thella psiqike. I trembur, por një “pse” tjetër, i këtij qëndrimi është dhe frika në palcë nga opozita e vërtetë. Mori fund loja e turpshme me pseudopluralizmin, me opozitën e blerë me opozitën fasadë. Vendi sot ka një opozitë të vërtetë dhe kjo e tmerron Edi Ramën. E tmerron sepse kjo opozitë është një revolucion. Unë e kam theksuar dhe e theksoj, ne nuk do pajtohemi kurrë me këtë plaçiktje të tmerrshme që po u bëhet shqiptarëve. Ne nuk bëjmë presion as të SKAP dhe as te SPAK, ne u drejtohemi qytetarëve dhe do u drejtohemi qytetarëve të mbrojnë pronat e tyre, nga një orgabnizqatë kriminale më e rrezikshmja në Europë dhe ndër më të rrezikshmet në botë, që ka shpikur ligjin e ‘investirorëve startegjikë’ për të bërë investorë ministrat e tij, për ti dhënë atyre privilegje të jashtëzakonshme në prona publike, për ti krijuar çdo mundësi për të larë para në pronat që vjedhin. E paralajmëroj Edi ramën, këto ditë do jenë të harruara. Dil çdo ditë e mbaj nga një fjalim për SKAP-in e SPAK-un. Asgjë sdo e ndalë revolucionin pa i dalë zot interesit publik të shqiptarëve. Asgjë sepse sdo ishte më opozitë por pseudoopozitë dhe ajo ka marrë fund, nuk ekziston më.

Edi Rama flet për afera. I them unë, në rast se afera të tmerrshme kriminale të pahetuara janë 24 viktimat e Thumanës. Të cilat i goditi tërmeti i parë, dhe në të gjitha dokumentet dilte se banesat e tyre ishin të pabanueshme, por papërgjegjshmëria e plotë e Edi ramës, Vangjush Dakos në Durrës, bëri që ata të prisnin vdekjen në të njëjtat shtëpi, të prisnin tërmetin vdekjeprurës. Gjer sot janë hetuar vetëm dy ish-kryetarë komune të PD në zona të cilat s’kishte dëmtime nga tërmet. Asnjë njeri nuk është përgjegjës në një kohë që Rama është përgjegjësi kryesor për vdekjet e tyre. Vrasjet e Thumanës në këtë aspekt janë vrasje shtetërore. Vrasje nga neglizhenca e pafalshme shtetërore.

Daja i Taulant Ballës ishte drejtor në Kavaleshencë. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit kishte firmosur për dëmtime të lehta jo strukturore, të tjerë kishin dhënë mendime të kundërta. Aty humbi jetën një oficer i lartë i policisë. Dajua është kthyer përsëri aty sepse ai është një nyje e fuqishme e trafiqeve, e të gjitha trafiqeve.

Parku i Butrintit u përgjysmua, i vëllai i Gjiknurit është nga njerëzit më aktivë. Aty ku është vëllai i Gjiknurit, mos harroni se është dhe vëllai i Edit. Sepse nuk mund të jetë vëllai i Gjiknurit pa garancinë e klanit Rama.

Çdo ditë del një skandal. Eshtë ndërhyrë në buxhetin e shtetit për të krijuar fondin e rezistencës sociale siç thotë. Po çfarë na del. Na del fondi i ahengjeve sociale, dhe orgjive social. A mund të imagjinoni ju që nga fondi i emergjencës, se fondi i Këshillit të Ministrave, është gjithmonë fond emergjencë, të merren shtatë milionë euro vetëm për festa dhe ahengjave, të bashkisë dhe ministres së Kulturës. Të tjerët vazhdojnë të marrin bukën me listë. E dënushme në çdo ligj të çdo vendi. Fondi i emergjencës përbëhet nga një fondi taksapaguesve, që përdoret vetëm në emergjëncë. Mund të përdoret në fatkeqësi natyrore ose arsye të tjera madhore. E dënojmë këtë akt të turpshëm të kësaj organizate kriminale, e implikuar që nga drejtori dhe gjer te kryenministri, janë në garë të vjedhin dhe vetëm të vjedhin.

Por ka dhe një arsye tjetër. Në disekulibrimin e Edi Ramës. Ai është autori kryesor që ka mashtruar Departamentin e Shtetit për Sali Berishën. Nuk e them unë këtë. Lexoni përgjigjen që Departamenti i Shtetit i ka dhënë një të përditëshmeje shqiptare, ku i thotë se burim për Departamentin e Shtetit, përveç medieve dhe OJF, kanë qenë dhe raportet e hetimit antikorrupsion të qeverisë shqiptare. Dhe unë e besoj plotësisht deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit. Pra Edi Rama ka dërguar raporte të cilat nuk i ka publikuar dot kurrë. Të cilat nuk i dërguan dot kurrë në prokurori, se janë fund e krye shpifje. Tani i thotë drejtësisë “hetoni shpifjet e mija” shpifjet tij. Hetoni se çfarë gënjeshtrash kam thënë unë në Departamentin e Shtetit, sepse e sheh që laku po i ngushtohet çdo ditë e më shumë.

Sepse raprotet e tij kanë qenë një shpifje fund e krye. Unë i them Edi Ramës publikoi ato. I them Ramës çoi të gjitha në SPAk dhe ku të duash. Pra siç e shihni e gjithë kjo fushatë ka vetëm një qëllim, të mbulojë vjedhjet monstruoze që po dalin çdo ditë për Edi Ramën, dhe natyrisht ti ushtrojë presion opozitës shqiptare me të cilën e ka absolutisht betejë të humbur. Nuk ka shans që ta impresionojë opozitën e vërtetë me qëndrimet e tij të disekuilibruara. Por një gjë e fakton. Me këtë ai fakton se për çfarë i duhet drejtësia Edi Ramës, kundër kundërshtarëve të tij. Kaq është por këtu ska asgjë të re.

PYETJE – PËRGJIGJET

Pyetje: Zoti Berisha, për t’u ndaluar pak te tema kryesore e daljes tuaj, çështja e SPAK, marr shkas edhe nga konferenca e mëhershme e Ramës. Nëse SPAK nis hetimet dhe iu merr të pandehur si do të reagoni?

Sali Berisha: Unë do të mbroj të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Kam zbatuar ligjin. Për mua ligji është e vërteta. Në veprimtarinë time si ish-kryeministër, por në të gjithë jetën time kështu ka qenë.

Pyetje: Ditën e djeshme Komisioni i Rithemelimt ka negociuar zotin Bylykbashi dhe zotin Boçi për të negociuar me aleatët për presidentin e Republikës. Cili është qëllimi i këtij grupi kur mazhoranca ka qenë e prerë kur ka deklaruar se me Komisionin e Rithemelimit nuk do të ulet në asnjë tryezë për të diskutuar për presidentin e Republikës?

Sali Berisha: Qëllimi i Partisë Demokratike është të diskutojë, të shkëmbejë mendime me aleatët e saj për qëndrime që duhet të dakordësojë ndaj procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Partia Demokratike, mendoj unë, është e detyruar që qëndrimet e saj të mëdha dhe që i interesojnë spektrit politik opozitar, t’i diskutojë edhe me partitë e tjera.

Pyetje: Qëkur Komisioni i Rithemelimit është kthyer në selinë e PD asnjë ambasador i vendeve të BE nuk ka ardhur në selinë e PD për të zhvilluar takime si me ju dhe anëtarë të tjerë të Komisioni të Rithemelimit. A mendoni se vendimi i SHBA për t’ju shpallur ju non grata i ka ndikuar? Dhe pas 22 majit nëse do të jeni kryetar i PD, këta ambasadorë nuk vijnë, a i frikësoheni ju një izolimi edhe nga BE?

Sali Berisha: Në dijeninë time, pavarësisht nga demarshet, BE ka atë qëndrim që ka shpallur ambasadori i BE, që ne do të respektojmë votën. Kjo është ajo që di unë.

Pyetje: Nëse hetimi nis nga SPAK duke marrë shkas nga vendimi i DASH, çdo vendim i juaji nënkupton edhe një dorëheqje tuajën, apo një tërheqje nga jeta politike.

Sali Berisha: Ajo që kam thënë unë, ka qenë: Fakti i parë, dokumenti i parë që të faktojë se janë keqpërdorur nga unë fondet publike. Nuk ka akuzë më absurde dhe të turpshme se ajo. Dhe kam një mijë prova për këtë. Fakti i dytë se janë përdorur procese për pasurim tim, të fëmijëve dhe të aleatëve është një gënjeshtër fund e krye bazuar në mashtrime dhe shpifje. Fakti i tretë, se kam përdorur retorikën kundër hetimeve ndaj meje, ndaj familjarëve apo aleatëve është një mashtrim i bazuar në gënjeshtër. Nuk ka patur kurrë asnjë hetim ndaj Sali Berishës, as familjarëve të tij, që unë të përdor retorikën kundër atyre proceseve. Janë të gjitha trillime të Edi Ramës siç fakton DASH. Nuk kam përdorur kurrë retorikën për të mbrojtur aleatët e mi. Fatmir Mediu, dosjen e ka dërguar Edi Rama jo njëherë, por 2-3 herë në Gjykatën e Lartë dhe Gjykata e ka kthyer pa asnjë lloj problemi. Ish-ministrat e mi, Arben Imami, prokurori, me gjithë urdhrat që mori e pa se nuk kishte asnjë fjalë ku të kapej për të hapur ndjekje penal. Myqerem Tafaj, i turpëruar prokurori thoshte më vjen shumë keq, unë shoh por nuk kam çfarë të bëj. E çoi dhe e hodhi Gjykata poshtë të paqenë. Këto kanë ndodhur gjatë pushtetit të Edi Ramës, jo të Sali Berishës. I kam qëndruar dhe i qëndroj, cilido në botë që mund të paraqesë një fakt, një provë, një dokument, absolutisht unë do të marrë çdo qëndrim ndaj Sali Berishës. Përndryshe, e vërteta mbetet për mua e pathyeshme, nuk mund të tërhiqem kurrë para saj.

Pyetje: Në 22 maj do të mbahen zgjedhjet për kryetar partie. A mendoni se është koha e mjaftueshme për të bërë një fushatë kur na ndajnë 10 ditë nga zgjedhjet. Marr shkas nga deklarata e kandidatit Ibsen Elezi që është e pamundur për të që realizojë 72 takime, aq sa ka degë PD, në 11 ditë?

Sali Berisha: Duke shprehur respektin tim për z.Elezi, ftesa ime për Komisionin është që të shqyrtojë mundësinë e plotësimit të çdo kërkese të mundshme ligjore të zotit Elezi. Por një gjë më duhet të them, datën e zgjedhjeve e ka caktuar Kuvendi Kombëtar. Është jashtë çdo lloj kompetence të organeve ekzistuese përveç Kuvendit, as Këshilli Kombëtar nuk mund ta anulojë. Duhet të mblidhet Kuvendi që të anulojë datën. Ajo datë është caktuar në Kuvend.

Pyetje: Ju shpjeguat në mënyrë hipotetike pasi dosja që DASH ka për non grata-n nuk është publike. Ju shpjeguat disa prej këtyre akuzave. Ndërkohë që sot kryeministri Rama i ka bërë thirrje drejtësisë shqiptare që t’ju hetojë për dy akuza, Gërdecin dhe 21 janarin. A janë këto çështje të mbyllura për drejtësinë shqiptare?

Sali Berisha: E vërteta është që për të dy ngjarjet ka një hetim nga Ina Rama. Ajo që nuk është hetuar në 21 janar, përgjegjësia direkte si organizator i Edi Ramës, e faktuar, jo se e them unë, janë deklaratat e tij se populli do e tejkalojë Kushtetutën. Merrni faktin se u sulmua një kryeministër në detyrë në zyrë. Ka një ngjarje, 6 janari në Capitol Hill. Pra, ai që i solli mish për top njerëzit për të rrëzuar pushtetin e Sali Berishës dhe që kjo nuk është e imja, është e fiksuar në dokumente ndërkombëtare që kishte agjendë politike protesta. Jam plotësisht dakord që të hetohet dhe rihetohet 100 herë. Ju garantoj se përgjegjës kryesor është një dhe vetëm një, është Edi Rama që i solli ata mish për top për karrigen e tij. I vendosi ata në funksion të një agjende politike siç thotë kryetari i radhës i OSBE-së së asaj kohe. Sa i përket Gërdecit, një proces gjyqësor i drejtuar nga një prokurore politike anti-Berishë ka ndodhur, janë 20-22 vetë, prej tyre ka dënime 20-18. Zyrtarët më të lartë të ushtrisë, Edi Rama prej 9 vitesh ka ruajtur të njëjtin kualifikim, aksident teknologjik. Padija dhe injoranca nuk e lejon atë të kuptojë domethënien e plotë të krimit shtetëror. Krimi shtetëror është i dyllojësh, duhet ta mësojë por ai nuk lexon se ka aleksi, i qëllimshëm kur shteti vret me qëllim, me vetëdije dhe ky quhet krim shtetëror me vetëdije, pa dashje kur ndodh siç ishte. E kam thënë në Parlament dhe e them, Gërdeci ishte një sipërmarrje private, por problemet e sigurisë së këtij aktiviteti i kishte drejtoria e MEIKO, për çka ish-drejtuesi i saj u dënua 18 ose 20 vjet burg. Kam insistuar që ato të shpallen vrasje shtetërore pa dashje, sepse shpërblimi është tjetër. Kjo është. Ai nuk ka nocione të tjera përveç vjedhjes. Shteti, kur vdes tjetri në qeli se nuk ke marrë masa për ta mbrojtur, kur ndodh që policët e tu e vdesin tjetrin dhe ti i dënon, por viktima pastaj shpërblehet ndryshe. Ka Kod tjetër. Shteti merr përsipër një dëmshpërblim më thelbësor, më qenësor se sa ai që iu bëhet. Ky është i gjithë dallimi që ai thotë, ai nuk ka as nocionet më elementare të qeverisjes dhe shtetit kur flet në këtë mënyrë.

Pyetje: Ju deklaruat se zotin Rama e ka kapluar një panik. Nga informacionet që keni ndaj kujt zyrtari SPAK ka nisur hetimet që zoti Rama mund të trembet?

Sali Berisha: A e dini ju që Lefteri nuk po gjykohet për këto që lexova unë këtu, ndonëse Prokuroria në aktakuzë e ka vendosur. Por Lefteri po gjykohet për thërrime. Jo për këtë, jo për korrupsion, jo, merrni çështjen e Lefterit. Pse kjo? Sepse që në momentin që të kapet që Lefteri të akuzohet për atë që thotë vetë aktakuza ajo me shpejtësi të rrufeshme ngjitet tek Engjëll Agaçi, Edi Rama, Arben Ahmetaj. Vetëm për Elbasanin. E njëjta gjë për Fierin. E njëjta gjë për Tiranën. Ju e dini, kontrata thotë: Vitin e parë plehrat do të depozitohen duke paguar 29 euro për ton, ndonëse thotë, çmimi për inkapsulimin është vetëm 12 euro, do të paguhen me këtë çmim në mënyrë që të mblidhen fonde për procese të tjera të mëvonshme, ndërtimin e inceneratorit. E dini ju që ka 5 vite që në minierën e floririt plehrat që i inkapsulojnë nuk paguhen 12 euro, por paguhen 29 euro. Vidh e vidh dhe nuk ka të sosur. Po ta pyesësh hajdut Veliajn, nuk di unë, thotë, se ç’bën, pavarësisht se Sharra është e tij, pavarësisht se Sharra ka firmat e tij. Arben Ahmetaj nuk mundet sepse nëse ka këmishë biologjike, Zoto është këmisha biologjike e Arben Ahmetajt. Ish-menaxheri i Hermes, kompania që ka vjedhur 13 mln impulse Albtelekomit, 11 mln euro, ishte menaxheri, u zgjua një ditë dhe i tha do vjedhim bashkë prapë, e gjeta formulën me plehrat. Arben Ahmetaj drejtorinë e ka në Ministri, Antrakon, marrin rrogat, këstet, prokuroria bën sikur heton. Prandaj dhe Rama ka humbur nga ajo që më tha miku im, e filloi detyrën, sipas OSBE, me 200 milionë euro offshore, kështu thoshte raporti. Ajo është dhjetëfishuar tani, është bërë mal, sepse nuk ka të ngopur. Nuk gjeta njëri prej tyre që nuk donte të vidhte miliardin tjetër, kishte vjedhur 200 milionë dhe donte të vidhte 200 milionin tjetër.

Pyetje: Lidhur me akuzat, pse nuk e padisni zotin Rama për shpifje?

Sali Berisha: Siç e shihni ju, ai kontrollon çdo gjë, dhe të harxhosh kohë e cila ka çmimin e vet. Por përgjigja më e shkëlqyer që mund t’i jap zotit Rama është si opozitë e vërtetë e këtij vendi, ajo atë po e tmerron, e gjen veten të pashpresë dhe e garantoj se shumë shpejt do ta kuptojë që është vetëm fillimi i opozitës së vërtetë. Nuk mundet të pajtohet kurrë opozita me këtë situatë të paimagjinueshme vjedhjesh. Po shpjegoj një gjë, Edi Rama ka një baxhanak, unë kam një kunat, më gjej një tender të vetëm që kunati im ka pëfituar nga qeveria e PD. Një të vetëm. T’ju them unë nja 50 tendera të të pangopurit Armando Frangu, të baxhanakut, 50 dhe këto janë para 4 vitesh, famozi Frangu me Beqjen nuk lënë tender të bjerë në tokë. Që për definicion duhej të përjashtohej nga tenderët, po qe nga rrethi familjar nuk mund të marrësh pjesë. Le të nxjerrë një tender të vetëm të një kompanie, jo fëmijët e mi të kenë marrë pjesë, se ajo do të ishte superskandal në konceptin tim, por të kenë qenë edhe nënkontraktorë të atij tjetrit, kurrë! Kurse këtu ju e dini si qarkullon emri i Olsit, aferë pas afere. Kudo që është Rama, Olsi ka një gjë që i përdor ato para, i pastron me klubin, me sportin, që donte të kapte edhe Federatën. Ça ishte ajo betejë që u bë për Federatën? Mendoni ju se do të bëhej Gaz Demi? Absolutisht jo, Gazi është njeri i dobishëm për ta, por ishte për Olsin ajo. E ftoj në një debat publik para jush, të dalë në mexhlis dhe t’ia themi njëri-tjetrit në sy të gjitha. Unë kam punuar me firmë, kam firmosur mijëra akte e vendime, le t’i marrë të gjitha ato dhe të vijë të dalë në publik, t’ua nxjerrë shqiptarëve ashtu siç dilte në plazh, por jo fizikisht, moralisht, se në jetën private të askujt nuk ndërhyj unë, e kam ligj!  r.p

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY