Qeveria vendosi sot të kryejë spërkatjen me lëndë mbrojtëse nga sëmundje dhe parazitë të ndryshëm të bimëve të gështenjës, një ndër pasuritë e mëdha të vendit lokaliziar kryesisht në Tropojë, Malësi të Madhe, Dibër dhe Librazhd.
Vendimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, të ligjit nr.105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”, dhe të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si organ përgjegjës për realizimin e procedurës së deratizimit të bimës së gështenjës, me qëllim mbrojtjen e saj nga paraziti grerëza Galeformuese (Dryocosmus Kuriphilus Hymenoptera: Cynipidae).
2. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ngarkohet për kryerjen e prokurimit dhe lidhjen e kontratës për kryerjen e shërbimit, sipas pikës 1, të këtij vendimi, si dhe monitorimin e zbatimit të kontratës.
3. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore/bashkitë, të monitorojnë respektimin e kërkesave teknike trajtuese, të vendosura në zbatim të këtij procesi.
4. Fondi për procedurën e prokurimit publik të përballohet nga buxheti i miratuar, për vitin 2022, për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shpenzimet korrente në programin buxhetor “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, produkti “Sipërfaqe e trajtuar dhe e mbrojtur nga parazitët në fushën e bujqësisë”.
5. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore/bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/