Në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës studentë, pedagogë dhe ekspertë diskutojnë në forumin “Kursimi apo investimi – kur është koha?”
Depozitat e kursimeve janë një çështje personale dhe familjare, por lidhen po ashtu dhe me zhvillimin ekonomik dhe financiar të një vendi. Janë rezerva potenciale që po të lëvizin me efektivitet, si duhet dhe kur duhet, kanë ndikim jo vetëm tek individi dhe familja, por dhe tek gjithë zhvillimi shoqëror i një vendi.
Rreth kësaj teme u zhvillua sot (10 maj 2022) një forum diskutimi në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Projekti po zbatohet nga ABC Tirana Club dhe është Edicioni Katërt i programit studentor “Edukimi ekonomik dhe financiar i publikut”.
Në forum u prezantuan dhe disa gjetje të një sondazhi që ABC Tirana Club ka realizuar gjatë muajit prill 2022 mbi mënyrën e menaxhimit të kursimeve nga qytetarët. Një prej pyetjeve të shtruara ishte, nëse me kursimet që keni a jeni të gatshëm të investoni? Për këtë, konsumatorët në shumicë shprehën mosgatishmëri (60%), ndërsa ishin të gatshëm për investim (23%) dhe pjesa tjetër ngurroi të përgjigjet.
Pasiguria për mosgatishmërinë e investimit të kursimeve duket se ka shkak kryesor “më duhen më shumë para për investimin” (33%) dhe më pas renditen: “nuk kam siguri për investimin” (30%); “nuk kam një ide të qartë” (18%); “më duhet më shumë kohë për investimin” (15% dhe 4% nuk dhanë përgjigje.
Trendi i pandalur i rritjes së kursimeve të qytetarëve në bankat e nivelit të dytë reflektohet dhe në përgjigjet që ata kanë dhënë për pyetjen se a kanë hapur një llogari kursimi. 63% thanë “Po”, 27% “Jo” dhe pjesa tjetër nuk dha përgjigje. Leku mbetet monedha më e preferuar për kursimet bankare (64%), Euro 28% dhe USD 8%.
Për ata që nuk kanë hapur ende një llogari kursimi, duket si arsye kryesore “nuk kam interes” (45%); “nuk kam njohuri” (18%); “nuk kam besim” (28%) dhe 9% nuk dëshiruan të përgjigjen.
Cila është mënyra më e mirë për të kursyer? – ishte një pyetje tjetër gjatë sondazhit, për të cilën përgjigjet ishin: “rregullisht çdo muaj” (21%); “sa herë që mundem” (35%); “të dyja mënyrat (37%) dhe 7% nuk u përgjigjën.
Sondazhi kishte dhe pyetje të tjera në lidhje me qasjen në shërbimet virtuale të qytetareve në bankat e nivelit të dytë, aplikimet për kredi dhe orientimin e e saj për nevojat që kanë, si i kanë fituar njohuritë për procedurat bankare etj.
Për aktivistët e ABC Tirana Club një nga synimet e projektit është të ndikojë te publiku, sidomos te të rinjtë, për njohjen dhe familjarizimin me konceptet bazike dhe instrumentet për depozitat e kursimit, si dhe qasjen drejt kreditimit bankar – në favor të përmirësimit të standardeve jetësore nga efektiviteti i burimeve financiare individuale dhe familjare, si dhe nga aplikimi i instrumentit kreditues.
Tjetër synim është dhe nxitja e institucionet publike dhe private ekonomike, përfshirë rrjetin bankar, që të shtojë angazhimin për edukimin e qytetarëve në praktikat dhe proceset e menaxhimit të financave personale dhe familjare. Projektin ABC Tirana Club po e realizon në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, si dhe me mbështetjen e Raiffeisen Invest.a.m
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/