Berisha: Kusht për zgjedhje vota e emigrantëve, kush mendon nga kandidatët e...

Berisha: Kusht për zgjedhje vota e emigrantëve, kush mendon nga kandidatët e këshillit kombëtar të verifikojë votat

55
0
Shares

Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot në një konferencë për mediat se vota e migrantëve do të jetë një kusht për zgjedhjet e ardhshme.

”Emigrantët kanë një kontribut të madh në ekonominë shqiptare dhe ata duhet të votojnë. Vota e emigrantëve është një kusht për zgjedhjet e ardhshme”, tha Berisha.

Në vijim ai tha se të gjithë ata që kanë mbetur jashtë Këshilli Kombëtar dhe kanë dyshime, mund të kërkojnë rinumërim të votave.

Tre ditë më parë midis 460 anëtarëve, u votuan 150 prej tyre dhe u zgjodhën anëtarë të Këshillit Kombëtar. Risia ishte e madhe. Gratë dhe të rinjtë janë 50 % e këtij këshilli. U zgjodhën më të mirët, ndër më të mirët por mbetën edhe shumë të tjerë pa hyrë. Ata që të gjithë për kontributin e tyre në PD, vlerat që mbajnë mbeten pa dyshim bashkëpunëtor të cmuar, aktivistë të cmuar. Eshtë e pashmangshme që të mos ketë hatërmbetje dhe zemër thyer. Ajo që unë i them cdo njerit prej tyre, qofte edhe dyshimin më të vogël të kenë, lë të nderojnë veten dhe PD duke kërkuar rinumërim votë për votë të kandidaturës së tij”, tha Berisha.

Në vijim ai komentoi zgjedhjet në PD duke theksuar se pas 32 vitesh riktheu në Shqipëri votën e lirë.

“Ne sollëm në Shqipëri votën e lirë ndërkohë Edi Rama për ngjashmëri Lulzim Basha e përzunë atë nga Shqipëria, ne do ta rikthejmë atë. Ky ishte zotimi im solem. Nga ato ditë gjeri sot PD kaloi procese si kurrë ndonjëherë më parë. Kuvende gjigante, referendume të papara, kaloi në zgjedhje në cdo seksion grup seksin , degë dhe së fundmi në Kuvendin e datës 30 prill ajo bëri zgjedhjet në forumin më të rëndësishëm që është Këshilli Kombëtar i PD-së. Në gjithë procesin ka pasur dominim absolut vota e lirë. Ju e keni ndjekur nuk gjeni një rast të vetëm që të thotë se nuk ishte i drejtë numërimi i tyre dhe nuk kishte asnjë presion qoftë më të voglin për të votuar në këtë apo atë mënyrë”, tha Berisha.

Deklarata e plotë e Berishës:

KONFERENCA PËR MEDIA E LIDERIT HISTORIK TË PD, SALI BERISHA.

Mirëdita!
Jam sot para jush për të paraqitur disa nga tiparet më kryesore, zhvillimet më të rëndësishme të Kuvendit të Partisë Demokratike. Një proces që nisi gjysmën e dytë të shtatorit, u finalizua me sukses të plotë në Kuvendin e datës 30 Prill. Ata që rikujtojnë hapat e parë të kësaj lëvizje, premtimet gjatë saj, do të gjejnë se vota e lirë ishte premtimi më solemn që u bëmë demokratëve shqiptarë. Në fillim dhe më pas në mënyrë të përsëritur theksova para tyre se ne sollëm në Shqipëri votën e lirë, ndërkohë Edi Rama, për ngjashmëri Lulzim Basha, e përzunë atë nga Shqipëria. Ne do e rikthejmë atë. Ky ishte zotimi ynë solemn.
Mund t’ju them se nga ato ditë e gjer sot, Partia Demokratike kaloi procese si kurrë ndonjëherë më parë. Kuvende gjigante, referendume të papara, kaloi në zgjedhje në çdo seksion, grupseksion, degë dhe së fundi në Kuvendin e datës 30 prill ajo bëri zgjedhjet për forumin më të rëndësishëm pas Kuvendit Kombëtar, që është Këshilli Kombëtar i PD. Në të gjithë këtë proces, ka patur dominim absolut vota e lirë. Ju e keni ndjekur, ju nuk gjeni një rast të vetëm që të thotë se nuk ishte i drejtë numërimi i tyre, se pata një presion qoftë më të vogël nga sipër, për të votuar në këtë apo atë mënyrë. Kjo mendoj unë përbën përmbushjen e një zotimi të një rëndësie themelore, jo vetëm për PD, por për shoqërinë shqiptare.
Në këtë proces shumë mujor është votuar apo kanë garuar për votim qindra e qindra kandidatura. Në mënyrë absolute, asnjë prej tyre i sugjeruar, i përzgjedhur, apo të themi i emëruar nga instancat e epërme të kësaj partie. Që të gjithë pa papërjashtim kanë qenë propozim i anëtarësim apo vetiniciativë për të marrë pjesë në garë ashtu siç e përcakton statuti. Jo vetëm u rikthye vota e lirë në këtë forcë politike, por u arkivua në harresë ajo që quhet kryetarokraci, apo presidencokraci. Unë mund t’ju them ju se janë zgjedhur kandidatët më të mirë, janë votuar përfaqësues të shkëlqyer të demokrateve dhe demokratëve dhe si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e kësaj force apo të ndonjë force politike, në 8 degë të PD, nga Saranda në Mat, kanë fituar në garë 8 zonja të nderuara, duke garuar me rivalët e tyre. Në rast se kthehemi bashkë në fillimet e këtij revolucioni, në mënyrë të përsëritur ju do të gjeni zotimin tonë se çdo njeri do të ketë të drejtë të verifikojë votën e tij. Tre ditë më parë, midis 430 kandidaturave u votuan 150 prej tyre dhe u zgjodhën anëtarë të Këshillit Kombëtar. Risia ishte e madhe. Ishte një hap i madh i PD drejt konstituencave që normalisht janë të saj, grave dhe të rinjve. Në këto zgjedhje të Këshillit Kombëtar për herë të parë, garë dhe të rinjtë janë mbi 50% e këtij Këshilli dhe kjo është një arritje tjetër shumë e rëndësishme.
Të dashur miq,
nga 430 kandidatura, u zgjodhën 150, u zgjodhën më të mirët ndër më të mirët. Por ju garantoj se mbeten edhe shumë të tjerë si më të mirët ndër më të mirët, pa hyrë në Këshillin Kombëtar. Ata që të gjithë, për kontributin e tyre në PD, vlerat që mbajnë, mbeten padyshim bashkëpunëtorë të çmuar, aktivistë të çmuar, personalitete të çmuara të PD, pavarësisht nga mosvotimi në pragun e duhur për të qenë anëtar i KK. Natyrisht është e pashmangshme që në një votim të tillë të mos ketë edhe hatërmbetje dhe zemërthyerje. Ajo çfarë unë i them çdo njërit prej tyre, në mënyrën më miqësore, qoftë edhe dyshimin më të vogël po të kenë për numërim jo korrekt, le të nderojnë veten dhe PD, duke kërkuar rinumërimin votë për votë të kandidaturës së tij. Komisioni i numërimit të votave është i vendosur të plotësojë çdo kërkesë të kësaj natyre. Nuk mund të refuzohen. Nëse më përpara në këtë parti, e them me keqardhjen më të madhe, delegatët votonin, kurse votat manipuloheshin dhe nuk lejoheshin të rinumëronin, kjo praktikë merr fund njëherë e përgjithmonë. Siç jeni ju dëshmitarë, çdo votë është numëruar para kamerave tuaja dhe kjo është transparenca më e plotë, më e gjerë, në një proces votimi. Ky proces është transmetuar Live në një seri rrjetesh sociale, por edhe rrjeteve televizive. Përveç arkivës digjitale të votës, ekzistojnë edhe fletët e votimit të cilat çdo njeri që dëshiron do të ketë të drejtë t’i kontrollojë, t’i rinumërojë. Imagjinoni për një moment në partinë karshi, e cila në aspekt me votën ngjason me një strukturë të shpellave mafioze ku nuk shihet dhe nuk ekziston vota.
Risi madhore e këtij procesi, dimension madhor i tij ishte bashkimi, zotimi ynë për një parti më të bashkuar, më të fortë, më të hapur. Unë mund t’ju them ju se Partia Demokratike si e tillë nuk ka ardhur ndonjëherë në ndonjë Kuvend më e bashkuar se sa në 30 prill. Mos harroni vetëm një moment, gjatë procesit të zgjedhjes së kryetarëve të degëve, kanë votuar, nëse shtojmë edhe dy degët ku nuk është kryer procesi, rreth 41 mijë anëtarë. Kurrë në histori në zgjedhje të tilla nuk ka patur një pjesëmarrje të tillë. Pra, për ata që dinë se çfarë është bashkimi, ky është bashkimi më i madh rreth votës së lirë të demokratëve shqiptarë. 40 mijë anëtarë aktivë, janë një ushtri madhështore, e fuqishme, e pathyeshme, e pamposhtur dhe këto janë të gjitha të dokumentuara. Partia erdhi me 30 prill më e bashkuar se asnjëherë, me qindra e mijëra anëtarë dhe drejtues të saj që para 6 marsit nuk ishin në një pozicion me shumicën, u bashkuan në këtë proces. Në disa degë ish-kryetarët u rikonfirmuan kryetarë, anëtarësia masivisht u bashkua. Ka ende disa grupe të vogla, por shumë të vogla, të cilët jam i bindur se do të bashkohen. Pra, thirrja e bashkimit rreth votës së lirë funksionoi. Nuk ka bashkim më të ndershëm, më demokratik se sa ky, të funksionojë përkundrejt një miliade sulmesh, shpifjesh, trillimesh të sajuara nga qeveria dhe propaganda e saj, kundër PD. Funksionoi jashtë të gjitha parashikimeve të lëpirësve të qeverisë.
Në Kuvend mungonin një numër i caktuar deputetësh të Partisë Demokratike. Përsëri vendi i tyre është në PD dhe ata janë deputetë të kësaj partie. Natyrisht nuk mundet kurrë që 1-2 deputetë, por edhe askush të mund të mbajë peng me platformat të marra në zyrat e qeverisë një forcë politike opozitare. Ajo nuk mund të ndodhë. Deputetët, për ata të cilët duan të analizojnë në mënyrë objektive në parlament dhe në shumicë, janë përfaqësues të shumicës së popullit opozitar që i ka votuar. Por vetëkuptohet që në këtë popull opozitar janë edhe shumica e anëtarësisë së PD në atë zonë. Në këtë kontekst, vendi i tyre është me shumicën dhe vetëm më shumicën. Sot, për çdo njeri, për çdo demokrat, por edhe për çdo kundërshtar, 6 marsi ka meritën e përcaktimit të shumicës. Jo në një sondazh, por dalvivo në shoqërinë shqiptare.
Unë kam besim se në tërësi deputetët e PD do t’i bashkohen shumicës. Nuk mund të them se çdo njëri prej tyre, por në tërësi shpreh bindjen më të madhe se pas Kuvendit edhe shumica dërrmuese e tyre do t’i bashkohen Partisë Demokratike.
Pra, në këtë aspekt, Kuvendi ishte Kuvendi i bashkimit të Partisë Demokratike. Ata që pretendojnë se pse nuk u shty Kuvendi, nuk pranonte shumica ta shtynte. Edhe pakica nuk pranonte ta shtynte, ajo u bashkua, ajo votoi, ajo përbën një korpus prej 40 mijë anëtarësh që votojnë. Dhe unë mendoj se kjo do të analizohet me përgjegjësi nga çdo demokrate dhe demokrat.
Zonja dhe zotërinj,
në një hark të shkurtër kohor shoqëria shqiptare pa dy kuvende. Ndoqi dhe pa Kuvendin e partisë qeverisë. E kam denoncuar këtu para jush dhe përsëri e denoncoj, po ta krahasosh me Kuvendin e 30 prillit, ngjante si një Kuvend i Cosa Nostra-s, në të cilin ju dhe mbarë shqiptarët konstatuat, apo dëgjuat si program, si pikë kryesore të programit, si çështje themelore të Shqipërisë, jo varfërinë dhe mjerimin, jo korrupsionin dhe krimin, jo rrogat e ulëta dhe krizën që po përpin shqiptarët, por drogën dhe vetëm drogën, si kurorë e narkoshtetit. T’ia kishte shkruar presidenti i Cosa Nostra atë fjalim, nuk mund ta shkruante ndryshe. Përveç kësaj, çështja e dytë madhore e Kuvendit të partisë Siçiliste, ishin hanxharët, shpalli SPAK-un si hanxhar të partisë. Ju jeni të rinj, por ju garantoj se një trajtim të tillë të Prokurorisë publikisht nuk ia bënte as kryexhelati i shqiptarëve në histori, babai shpirtëror i Edi Ramës, Enver Hoxha. Kurse, në Kuvendin e demokratëve, ju patët rastin të dëgjonit të flitet për lirinë, për votën e lirë, patët rastin të njihnit shtyllat kryesore të programit të kësaj partie, për t’i dhënë fund narkoshtetit në Shqipëri. Ky program është i bazuar kryekëput në vlerat e një force politike konservatore, liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, shtetin ligjor si kushtin e të gjitha kushteve, për një shoqëri të lirë, për një ekonomi tregu të lirë, për një siguri jete, prone e siguri juridike. Ju e dëgjuat zotimin solemn për t’u përballur me varfërinë dhe mjerimin, për ta nxjerrë Shqipërinë përsëri në krye të vendeve të rajonit me rrogat dhe pensionet, për ta bërë atë përsëri vendin e projekteve gjigante siç ishte TAP-i. Ju dëgjuat përgjigjen për të gjitha dhimbjet e mëdha që ka sot Shqipëria, në atë program, por të gjitha të bazuara në lirinë dhe garantimin e saj.
Si forcë politike konservatore ne jemi forcë e interesit kombëtar. E shprehëm këtë me të gjithë vendosmërinë, denoncuam nismën e Beogradit Ballkani i Hapur që vendos hegjemoninë e tij në rajon dhe influencën ruse. U shprehëm qartë dhe përfundimisht se ne jemi vetëm për procesin Europian të Berlinit.
Partia Demokratike konsideron emigracionin dhe qëndrimin ndaj tij, konsideron një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj emigracionin shqiptar dhe diasporës. Kuvendi vendosi që rikthimi i votës për diasporën dhe emigracionin është kusht ‘Sine qua non’, për zgjedhjet në Shqipëri.
Shqipëria është vendi i vetëm në Europë dhe Botë që nuk lejon emigrantët dhe diasporën të votojë, por Shqipëria është vendi në të cilën emigracioni dhe diaspora kontribuojnë më shumë se në çdo vend tjetër, në rrafshin ekonomik me të ardhurat që dërgojnë në miliarda euro gjatë këtyre viteve. Kështu që, edhe kjo është një çështje e madhe e interesit kombëtar. Pra, dy kuvende, një Kuvend, një Kongres, dy botë. Nëse i pari të çon drejt drogës, i dyti të çon drejt Europës. Integrimi europian mbetet interesi jetik kombëtar për shqiptarët.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY