Liria e mediave, Shqiperia zbret 20 vende nga nje vit me pare

Liria e mediave, Shqiperia zbret 20 vende nga nje vit me pare

77
0
Shares

Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Por, sipas treguesit që u publikua të martën, Shqipëria ka shënuar rënie, ndërsa Kosova ka shënuar përparim krahasuar me raportin e vitit të kaluar, raporton Zeri i Amerikës.

Treguesi i klasifikon vendet në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit.

Shqipëria

Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin 103-të duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuan me vitin paraprak kur renditej ne vendin e 83-të.

Në raport thuhet se ndërsa pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullimi partiak i medias, integriteti fizik i gazetarëve cenohet nga krimi i organizuar, nga dështimi i shtetit për t’i mbrojtur ata dhe madje edhe nga dhuna policore.

Mediat private shqiptare më me ndikim zotërohen nga një grusht kompanish që kanë lidhje me politikanë. Gazetarët përballen me trysni politike që u përkeqësua në vitin 2021 nga përpjekjet për të kontrolluar informacionin gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe pandemisë së COVID-19. Klasa politike, thuhet në raport, kërcënon pavarësinë e redaksive nëpërmjet institucioneve shumë të politizuara të rregullimit të medias dhe menaxhimit të medias publike dhe se gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme të rregullta politike që synojnë t’i diskreditojnë ata dhe kanë vështirësi t’i qasen informacionit publik.

Raporti vë re se e ashtuquajtura paketë anti-shpifje, e cila do t’i jepte shtetit pushtet mbi përmbajtjen e mediave online dhe do të përforconte autocensurën, ende nuk është hequr qartazi nga agjenda politike, megjithëse versioni i saj fillestar është kritikuar nga Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, të cilit Shqipëria dëshiron t’i bashkohet dhe nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e shtypit.

Ata që që hetojnë krimin dhe korrupsionin janë veçanërisht të kërcënuar, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se gazetaret përballen me ngacmime në internet dhe në disa raste me diskriminim me bazë gjinore në redaksitë, një fushë e cila megjithatë ka shënuar përparim. Vetëcensura është e përhapur, por pavarësisht këtij kërcënimi ndaj pavarësisë së tyre editoriale, mediat krijuan një platformë për vetërregullimin etik, e para e këtij lloji në Shqipëri.

Rrjetet e organizuara kriminale nuk paraqesin rrezikun e vetëm për sigurinë fizike të gazetarëve, thuhet në raportin e Gazetarëve pa Kufij. Mosndëshkimi i krimeve të kryera kundër gazetarëve, i kombinuar me përpjekjet politike për t’i diskredituar ata, krijon një klimë dhune që mund të nxisë sulme të reja. Në vitin 2021, gazetarët që mbulonin protestat dhe operacionet e zbatimit të ligjit pësuan disa akte të dhunës policore.

Kosova

Kosova ndërkaq ka shënuar një ngritje prej 17 vendesh. Treguesi i Gazetarëve pa Kufij e radhiti atë sivjet në vendin e 61-të ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 78-të.

Në pjesën për Kosovën treguesi rithekson ndarjet përgjatë vijave etnike ndërsa gazetarët janë rregullisht në shënjestër të sulmeve politike. Mediat në gjuhën serbe ankohen për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën serbe.

Treguesi tërheq vërejtjen se kohët e fundit, gazetarët janë vënë gjithnjë e më shumë në shënjestër të padive SLAPP, të iniciuara nga grupet e biznesit dhe politikanët.

Në përgjithësi, mediat janë të varura nga reklamat qoftë nga qeveria, qoftë nga partitë politike dhe ato shpërndahen në mënyrë jotransparente dhe partiake. Redaksitë e mediave private janë, përveç kësaj, të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve të grupeve të fuqishme politike ose të biznesit nëpërmjet pronarëve të mediave.

Mediat në gjuhën serbe, thuhet në raport, përballen me sfidën shtesë të një tregu të vogël në të cilin disa media varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërsa media e pavarur nuk do të mbijetonte pa ndihma ndërkombëtare.

Ndonëse profesioni i gazetarit gëzon respektin e shoqërisë, thuhet në raport, mediat e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë shpesh viktima të fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale dhe akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”. Një retorikë e tillë përdoret nga grupe politike dhe fetare.

Edhe pse asnjë gazetar nuk është vrarë që nga viti 2005, vrasjet dhe zhdukjet para dhe pas luftës në Kosovë, kanë mbetur të pandriçuara. Gazetarët që hetojnë trafikun e drogës ose ndotjen e mjedisit u janë nënshtruar sulmeve fizike dhe janë penguar të raportojnë nga rrjetet kriminale. Ndërsa sulmet ndiqen penalisht nga policia dhe prokuroria, gjykatat nuk arrijnë t’i përmbyllin proceset. Mbulimi mediatik i ngjarjeve politike ka çuar në rritjen e numrit të gazetarëve të kërcënuar në rrjetet sociale. Gazetarët serbë janë të frikësuar të raportojnë në mënyrë të pavarur nga partia në pushtet në veriun e Kosovës, thuhet në raportin e Gazetarëve pa Kufij.

Nga vendet tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim për 33 vende. Ajo radhitet sivjet në vendin e 57-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 90-të.

Serbia radhitet në vendin e 79-të, ndërsa një vit me parë ishte e 93-ta. Mali i Zi është në vendin e 63-të ndryshe nga treguesi i vitit të kaluar që e kishte renditur në vendin e 104-të. Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar rënie duke u radhitur në vendin e 67-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58-të.

Organizata Gazetarët pa Kufij vlerëson se demokracitë po dobësohen nga asimetria midis shoqërive të hapura dhe regjimeve despotike që kontrollojnë mediat dhe platformat e tyre online, ndërkohë që bëjnë luftëra propagandistike kundër demokracive.

Agresioni kundër Ukrainës (e cila radhitet në vendin e 106-të të treguesit) nga Rusia (që është në vendin e 155-të) në fund të shkurtit, pasqyron këtë proces, pasi konfliktit fizik i parapriu një luftë propagandistike, thuhet në raport.

Kina, që është në vendin 175-të, një nga regjimet autokratike më represive në botë, thuhet më tej, përdor arsenalin e saj legjislativ për të kufizuar popullsinë e saj dhe për ta shkëputur atë nga pjesa tjetër e botës, veçanërisht popullsinë e Hong Kongut i cili ka rënë ndjeshëm në renditjen e tij në treguesin e lirisë së shtypit duke u radhitur në vendin e 148-të.

Përplasjet midis “blloqeve” po rriten, thuhet në raport, siç shihet ajo midis Indisë së nacionalistit Narendra Modi (që radhitet 150-ta) dhe Pakistanit (i 157-ti). Mungesa e lirisë së shtypit në Lindjen e Mesme vazhdon të ndikojë në konfliktin midis Izraelit (në vendin e 86-të) dhe Palestinës (në vendin e 170-të) dhe shteteve arabe

Sipas organizatës, polarizimi i medias po ushqen dhe po forcon ndarjet e brendshme sociale në shoqëritë demokratike si Shtetet e Bashkuara, që radhiten në vendin e 42-të, pavarësisht zgjedhjes së presidentit Joe Biden.

Rritja e tensionit social dhe politik po nxitet nga mediat sociale dhe mediat e reja veçanërisht në Francë, e cila është e 26-ta. Shtypja e mediave të pavarura po kontribuon në një polarizim të mprehtë në “demokracitë joliberale” si Polonia, e cila radhitet e 66-ta, ku autoritetet kanë forcuar kontrollin e tyre mbi transmetimin publik dhe strategjinë e tyre për “ri-polonizimin” e mediave private.

Treshja e vendeve nordike që radhitet në krye të treguesit, Norvegjia, Danimarka dhe Suedia, vazhdon të shërbejë si një model demokratik ku lulëzon liria e shtypit.

Situata është cilësuar si “shumë e keqe” në një numër rekord prej 28 vendesh. Të dhjetë vendet më të këqija në botë për lirinë e shtypit përfshijnë, Sirinë, Irakun Kubën, Vietnamin, Mianmarin, Kinën, Turkmenistanin, Iranin, Eritrenë dhe Korenë e Veriut. VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY