Ish kryeministri Sali Berisha ka folur për gazetarët pas votimit për anëtarët e Këshillit Kombëtar.
Ai u kërkoi gazetarëve që të asistonin numërimin e votave për anëtarët e këshillit kombëtar ndërsa deklaroi se shumë shpejt do të kishte edhe një platformë për drejtimin e PD.
Berisha: Shpreh mirënjohjen të asistoni në procesin e votimit të Këshillit Kombëtar në përbërjen e të cilit gjenden nga themeluesit e ditëve të para të themelimit deri te anëtarët më të rinj të saj. Gjenden militantë dhe veprimtarë të pamposhtur të Partisë Demokratike, por gjenden edhe intelektualë të shquar, të bashkuar me PD me qëllimin më të mirë, rikthimin e kësaj force politike në forcë fitimtare. Ky proces shënon dhe përfundimin e punimeve të Kuvendit të PD-së me sukses të plotë. Siç theksova dhe në fjalën time, ky Kuvend mund të quhet Kuvendi i përfundimit të kryetarokracisë dhe presidentokracisë.
Ky Kuvend vendosi në piedestal një elitë të re përfaqësuese në drejtimin e Partisë Demokratike, e tëra e zgjedhur me parimin një anëtar një votë, e tëra e zgjedhur në përputhje me Kushtetutën tonë të lirisë. Pra, që të gjithë pa përjashtim të propozuar nga anëtarësia e partisë, ose të vetëdeklaruar sipas Statutit për të garuar në postin që ata kanë marrë. Vendosja e këtij modeli në përfaqësim mendoj se ka një rëndësi të jashtëzakonshme që anëtarët e PD-së të ndjehen realisht të përfaqësuar por edhe që të zgjedhurit të ndjehen plotësisht të detyruar ndaj zgjedhësve të tyre. Partia Demokratike do bëjë gjithçka që këtë model ta promovojë në mbarë shoqërinë shqiptare.
Kuvendi zgjedh sot Këshillin Kombëtar. Dhe risia tjetër që ju do të përjetoni është se çdo votë do tregohet para kamerave tuaja. Njerëzisht ju kërkoj, mos e humbisni durimin dhe ndiqeni se ju garantoj se e gjithë kjo rrokullisje e madhe e demokracisë në Shqipëri e ka origjinën tek shkelmimi i votës së lirë, fillimisht brenda forcave politike. Mjerisht atë shembull e model që instaloi Edi Rama, sipas të cilit për kryetarin nuk votohet, faktikisht atë model e përshtati edhe ish-kryetari i PD-së në shumë procedura të saj. Ndaj dhe komisioni ka vendosur që çdo fletë votimi ta nxjerrë para jush. Ftoj të gjithë kandidatët që dëshirojnë të ndjekin votë për votë, rezultatin e tyre, të qëndrojnë në sallë dhe ta vëzhgojnë atë.
Të dashur, miq, përmbysja e modelit të mëparshëm të përfaqësimit ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vlerësimin e demokratëve dhe të qytetarëve dhe ju garantoj se nesër në pushtet është garancia më e madhe kundër autokracisë dhe sundimit të saj, gjë e cila do t’i bënte Shqipërisë ato dëme që i bën sot kreu i organizatës kriminale më të rrezikshme në Europë, Edi Rama me qeverinë e tij.
Pyetje nga gazetarët
Zoti Berisha, sa përbashkues është Kuvendi i sotëm kur rreth 60% e deputetëve nuk morën pjesë?
Sali Berisha: Të garantoj që ky Kuvend ishte Kuvendi i bashkimit. Në ç’kuptim? Sot në sallë ishin me qindra delegatë. Aty në atë listë ka dhjetëra e dhjetëra të propozuar për anëtarë të Këshillit Kombëtar nga ato demokrate dhe demokratë që para 6 marsit qëndruan në një pozicion tjetër. Ua kam shpjeguar që në fillim. Përqendrimi im total ka qenë bashkimi i bazës. Ju i shihni, jeni dëshmitarë, xhirot e ish-kryetarit për të kuptuar që dëshmojnë qartësisht se sa e bashkuar është sot PD në bazë. Deputetët, një pjesë e mirë ishin këtu, një pjesë tjetër nuk ishin. Dy gjëra kam, ky tren s’mund të ndalet kurrë, treni i Partisë Demokratike të Rithemeluar është treni shpëtimtar i Shqipërisë. Nuk ka më kohë asnjë orë, asnjë ditë të shpenzohet për problemet e brendshme. Cilido që do t’i bashkohet trenit, është i mirëseardhur, është i mirëpritur. Por ata që duan të qëndrojnë në pozicionin e tyre kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe unë pa asnjë diskutim do ta respektoj. Ka një moment, kam qenë dhe mbetem thellësisht i interesuar që deputetët t’i bashkohen shumicës së Partisë Demokratike. Unë mirëkuptoj vështirësitë sepse u shkëputën disa muaj dhe 6 marsi dëshmoi qartë se kush ishte shumica. Në këtë kontekst, çdo deputeti në mendjen dhe vlerësimin tim i takonte të dilte qartazi në anën e shumicës. Nuk përjashtohet, është jo realiste të pretendohet se nuk ka një rrugëturë midis bazës dhe atyre. Por këtë rrugëturë e konsideroj plotësisht të shërueshme. Sot këtu kishte kryetarë dege të zgjedhur pas 6 marsit me votën e lirë të demokratëve. Do të zgjidhet një numër i pamohueshëm në Këshillin Kombëtar. Partia Demokratike është sot e bashkuar. Ata që zgjedhin veçimin, bëjnë zgjedhjen e tyre.
Pyetje: Kur do ta prezantoni platformën për drejtimin e PD?
Sali Berisha: Platformën, dua të jem i hapur, sapo ta kem gati!
Z.Berisha, Lulzim Basha u bë pjesë e Kuvendit gjatë gjithë ditës së sotme, e nisët me një dokumentar… A do të thotë kjo se nuk ka një amnisti të Sali Berishës në drejtim të Lulzim Bashës?
Sali Berisha: Ka një amnisti, pa asnjë diskutim. Nuk ka një përjashtim, por realitetet janë realitete. Ky tren nuk ndalon, u provua tashmë. U bënë përpjekje nga më të ndryshmet që ta ndalojnë, por treni ecën drejt fitores.
Kush do ta drejtojë Grupin Parlamentar të PD, zoti Berisha?
Sali Berisha: Sot u mor një vendim ndaj personit të emëruar nga Gaz Bardhi dhe ai në atë detyrë është nul. Procedurat ligjore do të ndiqen nga grupi i ekspertëve që do të përcaktojnë procedurën e emërimit të kryetarit të ri të grupit parlamentar i cili duhet të jetë një nga nënkryetarët e partisë.
Nëse zoti Alibeaj thërret mbledhjen e deputetëve, do të merrni pjesë?
Sali Berisha: Këto ditë kam përparësi disa mbledhje të tjera, por ai sot është i shkarkuar nga çdo funksion dhe natyrisht do të ndiqen procedurat.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/