Ish kryeministri Sali Berisha që kulmon sot foltoren e tij më kuvendin e rithemelimit dhe demokratizimit të PD tha sot se në këtë Kuvend do vendoset jo vetëm për fatet e PD-së, por edhe të pluralizmit.
“Ne mblidhemi sot krenarë sepse pas një eksperience unike në historinë e një force politike në Europë, patëm një ditëlindje të dytë. Më 11 dhjetor të vitit 2021, me një Kuvend historik, rilindi sërish PD-ja, kjo parti nuk vdes kurrë. Ajo jeton dhe do të jetojë në idealet më fisnike të shqiptarëve.
Ju e rithemeluat atë sepse donit të fshinit nga faqja e dheut, regjimin e bazuar në krimin, drogën dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve. Ju u bashkuat dhe ne rithemeluam PD-në, pasi donim që kjo parti, ashtu siç lindi, të mbetej avokate e pamposhtur e vlerave më të arrira konservatore.
Ne u rithemeluam sepse ne donim të vendosur të mbrojmë interesin kombëtar të shqiptarëve, të nëpërkambur nga një albanofob bastard i nomenklaturës së vjetër komuniste, që shqelmon mbi dinjitetin dhe interesat e shqiptarëve, Edi Rama.
Ne u rithemeluam sepse kulti ynë është vota e lirë. Ne u rithemeluam të vendosur se për demokratët shqiptarë do të vendosin vetëm ata me votën e tyre të lirë,” tha Berisha.
Berisha, tha në Kuvendin Kombëtar se Foltorja ishte një rrugë e imponuar. “Rruga e Foltores na u imponua. Kjo rrugë u imponua se ne në 8 vite po kalonim nga disfata në disfatë. Nga dështimi në dështim. Të gjitha këto për shkak të një udhëheqësi të papërgjegjshëm, që e konsideroi këtë parti si një sipërmarrje private. Parimet e vlerat ai i zëvendësoi me pazaret me qeverinë… Me këtë rast dua t’u them atyre që mendojnë se mund të mbajnë një pseudo-opozitë në këmbë, se gabohem: opozita nuk emërohet, ajo nuk delegohet, ajo është moral. Ja ku jemi sot, opozitë e vërtetë, në këmbë e gatshme për çdo betejë.
Unë jam sanksionuar nga DASH me akuza për të cilat në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë fakt apo provë. Jam sanksionuar nga lobimi korruptiv i George Soros dhe Edi Ramës. Cilido që paraqet një fakt, një dokument, një provë më të vogël kundër Sali Berishës, ai është i gatshëm që të marrë çdo masë ndaj vetes së tij.
Unë jam Sali Berisha, kurrë nuk e pranoj shpifjen dhe gënjeshtrën për të vërtetë,” tha Berisha.
Në vijim Berisha tha se me ardhjen në qeveri do të shkatërronte dhuratat korruptive të Edi Ramës për oligarkinë. Pasuritë e dhuruara do të shkojnë tek ish pronarët, tha Berisha.
Ish kryeministri që do kandidojë për kryetar të PD-së tha se me mbylljen e procesit të ristrukturimit të partisë do të përballemi me qeverinë më të korruptuar që ka njohur Shqipëria dhe Evropa. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/