Në shenjë kundërpërgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme në rajonin juglindor të vendit, ushtria turke ka dërguar tanke në territorin sirian për të luftuar ekstremistët e Shtetit Islamik si dhe grupimet e militantëve kurdë. Ata kanë sulmuar përgjatë orëve të fundit duke shkatërruar në total afro 70 objektiva. Ndërkohë, mediat raportojnë se në këtë ofensivë Turqia po bashkëpunon edhe me rebelë sirianë.
Dhjetëra tanke të ushtrisë turke kanë kaluar kufirin jugor për t’u futur në territorin sirian, vetëm pak ditë pas sulmit me bombë në qytetin Gaziantep.
Në një komunikatë për mediat, Presidenti i vendit, Rexhep Taip Erdogan, u shpreh se qëllimet e kësaj ofensive janë dy: Shkatërrimi i Shtetit Islamik si dhe lufta kundër militantëve kurdë.
Ndërkohë, burime nga ushtria nënvizuan se deri më tani janë shkatërruar 70 objektiva në qytetin Jarablus, nga të cilat 12 u sulmuan përmes bombardimeve ajrore ndërkohë që pjesa tjetër me tanke.
Mediat kanë raportuar se pas kolonës së tankeve ishin vendosur makineri më të vogla ushtarake, në të cilat besohet se kishte rebelë sirianë.
Aksioni i Turqisë vjen në një kohë kur përgjatë dy viteve të fundit, rajoni juglindor i vendit është karakterizuar nga destabiliteti.
Kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të celulave të shumta të ISIS që ndodhen në këtë zonë.
Ekstremistët e kësaj organizate terroriste kanë sulmuar shpesh pasi Turqia rradhitet në koalicionin ndërkombëtar të luftës kundër ISIS.
Goditja më e fundit prej tyre erdhi të shtunën që lamë pas. Nga ana tjetër, forcat tuke janë përballur vazhdimisht edhe me militantët kurdë që kërkojnë autonominë e rajonit juglindor të vendit.
Ky konflikt ka lindur që në vitet 80 të shekullit të kaluar dhe që prej atëherë më shumë se 40.000 persona kanë humbur jetën.
Militantët kurdë kanë pasur si objektiva rajonet e policisë si dhe zonat ushtarake, por gjatë sulmeve të tyre me bombë kanë humbur jetën edhe shumë civilë.
Qeveria e Ankarasë nga ana tjetër, vijon të mbetet e vendosur, duke nënvizuar se nuk ka ndërmend që të japë autonomi për asnjë pjesë të vendit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/