Zëri i Amerikës, KPA shkarkoi prokuroren Imeraj ndërkohë që KPK e kishte...

Zëri i Amerikës, KPA shkarkoi prokuroren Imeraj ndërkohë që KPK e kishte afirmuar në detyrë

86
0
Shares

Në Shqipëri, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot shkarkimin nga detyra të drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj.

“Trupi gjykues, duke bërë një vlerësim të ndryshëm nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të situatës faktike dhe të zbatimit të ligjit, arrin në përfundimin që vendimi i KPK-së i datës 1 prill 2021, për subjektin e rivlerësimit Elizabeta Imeraj duhet të ndryshohet dhe subjekti i rivlerësimit të shkarkohet”, bëri të ditur kryesuesja e trupit gjykues Ina Rama, duke lexuar vendimin e shkurtuar. Sipas Kolegjit, në vlerësim të tri kritereve të parashikuara nga Vettingu, ka rezultuar se zonja Imeraj “ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”.

Lidhur me pasuritë e prokurores, trupi gjykues deklaroi se kishte konstatuar deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm si dhe mungesa të burimeve të ligjshme. Zonja Imeraj ka këmbëngulur gjatë gjithë kohës se pasuritë që i atribuohen i përkisnin ish bashkëshortit dhe se ajo vetë kishte “zero pasuri”. Ajo ngriti dyshime ndaj Kolegjit, i cili “nuk mbajti qëndrim”, ndaj një titulli pronësie në emër të saj, për të cilin Kadastra ktheu përgjigje “se ky akt nuk rezulton të jetë lëshuar dhe se nuk kam prona në pronësi apo bashkëpronësi”, siç deklaroi zonja Imeraj për gazetarët në përfundim të procesit.

Probleme, sipas Kolegjit, ka patur lidhur dhe me kontrollin e figurës, ndërsa ka përmendur faktin se sipas trupit gjykues, prokurorja Imeraj ka mbajtur qëndrime kontradiktore lidhur me një dënim, që ish kunati i saj ka patur për vepra penale që e bëjnë atë person të përfshirë në krimin e organizuar. Po ashtu sa i përket aftësive profesionale, Kolegji ka deklaruar se në një çështje hetimore ka patur “mangësi që kanë çuar në dëmtimin e cilësisë së hetimeve dhe pandëshkueshmërinë e personave të përfshirë”.

Zonja Imeraj gjatë mbrojtjes së saj ka përmendur shpesh faktin se ajo ka qenë prokurore në çështje delicate, në të cilat kanë qenë përfshirë që nga politikanë, të personazhe me emër të botës së krimit apo dhe çështje që lidhen me terrorizmin.

Prokurorja ka këmbëngulur dhe sot se faktet dhe provat e marra në konsideratë nga trupi gjykues nuk qëndronin dhe se vendimmarrja ishte bazuar në dokumenta të falsifikuar dhe denoncime anonime “të cilat e kanë prekur procesin që në fillim” tha ajo duke ngritur dyshime mbi mënyrën e zbatimit të reformës në drejtësi. “Nëse reforma, zbatimi i saj, është që të bazohemi në dokumenta me denoncime anonime dhe dokumentacione të falsifikuara atëherë le të shkarkohem”, u shpreh zonja Imeraj, duke shtuar se “vetting nuk duhet të kthehet në një gjueti shtrigash, sepse dikush mund të mos e dëshirojë Imerajn si kryeprokurore të Tiranës, apo si prokurore në Shqipëri”. Avokati i saj, Gregory Thuan Dit Dieudonne, paralajmëroi ankimim në gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Ankimimi në Kolegj u nxit nga vëzhguesit ndërkombëtarë, sipas të cilëve “një vlerësim i duhur i fakteve dhe rishikimi i provave shkresore do të duhej të çonte në shkarkimin e zonjës Imeraj”. Më pas ishte Komisioneri Publik që ju drejtua zyrtarisht KPA-së, korrikun e vitit të shkuar, me arsyetimin se “vendimi (i KPK-së) është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe se subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kishte dhënë vlerësime pozitive për prokuroren Imeraj në të tre kriteret, pavarësisht dyshimeve të forta, që kishte ngritur gjatë procesit vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY