Berisha, takim me pedagogët: Ligji i Arsimit të Lartë kufizon studentët ndërsa...

Berisha, takim me pedagogët: Ligji i Arsimit të Lartë kufizon studentët ndërsa është edhe ligj korruptiv

62
0
Shares

Ish kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me pedagogë të universiteteve në Tiranë.

Berisha tha se Shqipëria kishte numrin më të ulët të personave të diplomuar në arsimin e lartë. Sipas tij shkak për këtë numër të ulët krahasuar me vendet e tjera të Europës, ishte bërë ligji i arsimit të lartë që kishte pamundësuar shkollimin e mijëra të rinjve shqiptarë.

Fjala e Berishës:

Për dekada në Arsimin e Lartë u ndoq praktika e seleksionit, e përjashtimit të të rinjve nga e drejta universitare. Në një kohë kur vendet e lira prej dekadash kishin kaluar në praktikën e dyerve të hapura për universitetet. Ajo praktikë ndër të tjera solli që Shqipëria të kishte ndër përqindjet më të ulëta në Europë të të diplomuarve në universitete. Në vitin 2005Shqipëria kishte 12 studentë për 1 mijë banorë, kundrejt 43 studentëve për 1 mijë banorë që ishte mesatarja e BE.

Shqipëria kishte rreth 3% të të rriturve me diplomë universitare, kundrejt 18-32% që ishte kjo në vendet e zhvilluara.

Një përpjekje e hapur, e madhe u bë që të shkëputeshim nga kjo praktikë.

Natyrisht nga kjo përpjekje ishte e pamundur që të ecnim paralelisht edhe me cilësinë. Por e vërteta është se në arsimin para-universitar ngjitja e Shqipërisë sipas klasifikimit të Pisas ishte nga më vertikalet.

Përsëri ishim larg nivelit ku duhet të ishim. U hapën një seri degësh në universitetet në rrethe, por u pasuruan shumë programet, arritëm në 540 programe. Numri i trupës akademike u dyfishua.

Pra, u bë një përpjekje e madhe për ta vendosur shkollimin, arsimin dhe zhvillimin e tij në epiqendër të përpjekjes së shoqërisë dhe ekzekutivit. Pas ndryshimit të pushtetit arsimi i lartë në Shqipëri u ndëshkua në mënyrën më anti-kombëtare nëpërmjet të famshmit ligj dhe unë nuk mund ta lë pa folur haptazi.

Ligji i Arsimit të Lartë ishte sponsorizim direkt, mafioz i Henri Çilit tek Edi Rama, pasi dështoi me të gjitha përpjekjet të më bindte në ato klauzola të cilat ishin, më vjen keq që e them, por i bëri vendit një dëm të pallogaritshëm, dhe i bëri vendit absolutisht duke korruptuar atë që i pranoi ligjin. Dhe mjerisht opozita shqiptare për të njëjtin faktor nuk e kundërshtoi ligjin me forcë. Çfarë ishte ky ligj? Ky ligj ndëshkonte të varfrit e këtij vendi.

Nëse arsimi ka një nga misionet e tij themelore luftën kundër varfërisë, një hap tillë ti nuk mund ta ndërmarrësh kurrë si qeveri. Jo, s’mund ta ndërmarrësh, përkundrazi do të bësh çmos që ky proces kaq jetik për zhvillimin e vendit të ndikojë edhe në luftën kundër varfërisë në zonat tuaja të varfra. Me këtë ligj i cili ishte larg realitetit shqiptar, aq sa është larg realiteti britanik me realitetin e Shqipërisë. Me këtë ligj, u mora dy vite me të gjithë pasionin e një ish-pedagogu dhe konstatova për ne nuk mund të aplikohej ashtu siç ishte. Ligji u shndërrua në një shpatë për të përjashtuar mijëra e mijëra të rinj nga mundësia për t’u futur në universitete.

Thjeshtë, mesatarja e të gjithë Shqipërisë, është qartësisht nën mesataren e Tiranës. Dhe zonat periferike, për një seri arsyesh, nuk e kapin dot, atëherë në këtë rast je i detyruar të përdorësh një standard që nuk i përjashton.

Ligji, nuk u bënë asnjëherë aktet ekzekutive të ligjit, ndërpreu procesin e doktoratave në universitetet publike, në një kohë kur prodhoheshin apo mbaheshin me dhjetëra, me qindra në universitetet private.

Nuk them se universitetet tona nuk kishin dobësi dhe të meta, por ato nuk ishin kurrë për të ndërprerë proceset e doktorimit të pedagogëve, intelektualëve, specialistëve, ekspertëve. Ligji krijoi hapësirat për të mbi-dyshuar tarifat e pranimit në Universitet. Sot Shqipëria ka tarifë 3-4 herë nominalisht se Gjermania, se Sllovenia, se Austria, se Suedia dhe ka dy vende që e tejkalojnë Shqipërinë, Britania e Madhe dhe Holanda. U rikthye një model të cilin e vendosi diktatura dikur.

Ne na kujtohet, u kujtuan në një moment se po shkollohen shumë dhe thanë, tani një për familje, dy s’mund të jenë. Faktikisht, të njëjtën gjë bëri ky me tarifat, se një familje me ndihmë ekonomike, një familje me pak të ardhura, i duhej të bënte gjithçka për të shkolluar fëmijën e parë, por për të dytin s’kishte mundësi. Edhe pse i dyti mund të ishte më brilant se i pari. Para dy vitesh, numri i shkollave të mbyllura ishte 620 shkolla të mesme, 9-vjeçare dhe fillore.

Rrogat e pedagogëve janë të mjerueshme. Sot çdo profesor, çdo pedagog universiteti merr 200 mijë më pak po të krahasojmë inflacionin se sa merrte në vitin 2013.

Sot merr 50% më pak se në Universitetin e Prishtinën, për të mos shkuar në universitetet e tjera. Këto të gjitha së bashku, kanë sjellë një rrënim, një rënie të lirë të arsimit në të gjitha ciklet, në të gjitha nivelet në Shqipëri. Investimi, financimi në fushën e shkencës është 27 herë më e ulët se mesatarja e vendeve anëtare të OSBE-së, është qesharake. Diktaturë ishte, por absolutisht ai e që e kishte një projekt ia miratonte zv/dekani për anën shkencore dhe ai zv/dekan merrte përsipër në të gjitha instancat dhe nuk shkoje në vend tjetër. Ti ia paraqisje atij dhe ai thoshte po, edhe ato me shpenzime ishin, kurse sot 99% e pedagogëve nuk kanë akses në financimin për studime shkencore dhe punë shkencore, kanë akses vetëm klientela e rektorit që është gjysmë polic gjysmë rektor, kështu është ai, një ish-hetues i diktaturës, nuk mund të jetë rektor. Nuk plotëson asnjë kusht përveç lidhjeve me Edi Ramën që të jetë Rektor. është një fyerje e madhe për botën akademike shqiptare. Atë merre dhe çoje te Akademia e Policisë dhe jo rektor i Universitetit kryesor të vendit. Nuk është çështje personale, por çështje prestigji i universitetit. pedagogët nuk kanë financim për punë shkencore dhe ato ndahen me një mungesë të plotë transparence. Prej 9 vitesh diskutohet për kampusin në një kohë kur u la e përcaktuar fusha e ndërtimit. Ishin pothuajse të gatshme fondet e financimit, u bë edhe projekti.

Ku është tani? A e dini pse u sabotua? Thjesht sepse Shullazi do të ishte përfituesi i tenderit, po. I doli kandidatit për rektor, të zhduka, i tha, lëshoja kësaj zonjës se është e përzgjedhura e Edi Ramës. E përzgjedhura e Edi Ramës për tendera. Natyrisht ai mori dënimin që meritoi por kampusi u zhduk, se çfarë është aty tani, veç kampus nuk është.
Arsimi ka nevojë urgjente për ndryshim, për trajtimin e pedagogut, të profesorit, të trupës akademike, përndryshe ajo do të emigrojë, do të largohet kush të mundet.

Arsimi ka nevojë urgjente për krijimin e kushteve dhe hapjen drejt të rinjve. Mundësisht përgjysmimin e tarifave dhe shumëfishimin e financimit për kërkimet shkencore. Kam këtu një mjek, në ato vitet e mia të mjekësisë unë lexoja që Universiteti Baltimore kishte 960 pedagogë me 430 studentë. Ata të gjithë bënin kërkime shkencore, udhëhiqnin botën me kërkimin e tyre shkencore. Nuk humbet kurrë shteti të financojë kërkimin shkencor të pedagogëve dhe studiuesve. Është një domosdoshmëri absolute kjo nëse do të vendosë dijen në themel të zhvillimit të shoqërisë.

Duhet të ndryshojë rrënjësisht situata dramatike në arsimin para-universitar. Portali i Ministrisë, është thjeshtë portali i partisë, i seleksionimit dhe largimit masiv të mësuesve me eksperiencë, të mësuesve me integritet nga sistemi i arsimit.

Tre janë sot, do të thosha goditjet më të mëdha që merr e ardhmja e kombit shqiptar. E para është largimi i të rinjve nga Shqipëria, e dyta është rrënimi i arsimit, e treta është borxhi publik.  Me këto 3 faktorë, kjo qeveri ka dëmtuar sikur të ishte një regjim armiqësor ndaj shqiptarëve shoqërinë tonë dhe të ardhmen e saj.

Kemi emigracionin e rinisë më të lartë në Europë. Kemi borxhin publik i cili nëse s’do të ishin remitancat e emigracionit ju garantoj se Shqipëria do të pësonte kolapsin më të rëndë ekonomik se të çdo vendi tjetër pas Luftës së Dytë Botërore. Por janë ato që amortizojnë në një masë të caktuar pasojat e tij sociale dhe ekonomike.

Ndaj dhe këto janë sirena në radhë të parë për botën akademike të universiteteve, për rininë studentore, për gjimnazistët, për arsimtarët, të heqim dorë nga konformizmi dhe të bëjmë gjithçka, qoftë edhe me një lëvizje shumë të fuqishme. Në histori lëvizjet universitare janë faktuar shpëtimtare për shoqëritë dhe kombet.

Dhe kur sheh këtë tabllo përpara çdo ditë e më shumë bëhet jetike një lëvizje e fuqishme proteste në universitetet dhe shkollat tona. Rruga e vetme për t’i dhënë fund, më e sigurt, kësaj rrokullisje të madhe në arsim, është pjesëmarrja aktive e studentëve dhe pedagogëve në një betejë deri në fitoren e kauzës së drejtë të tyre.

Lëvizja e Universitetit në Shqipëri para 3 vitesh nuk realizoi qëllimet e saj sepse opozita nuk kishte besimin e tyre. Të rinjtë nuk i besonin opozitës. Se, nëse të rinjtë do t’i besonin opozitës, ajo do të përmbushte misionin e vet. Kjo është e vërteta.

Ata ishin të mençur, ata kishin të drejtë të mos i besonin opozitës, sepse opozita nuk kishte qenë një avokate e vërtetë e tyre. Jo! Por, ju garantoj se sot kjo situatë ka marrë fund dhe ne do përkrahim dhe mbështesim çdo përpjekje të studentëve, të pedagogëve të universiteteve tona për të shënuar një kthesë të madhe për të ndaluar këtë rrokullisje me pasoja jashtëzakonisht të rënda për shoqërinë dhe kombin shqiptar.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY