Konferenca e Kryetarëve ka vendosur të thërrasë më datë 30 gusht seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për të miratuar projektligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i njohur ndryshe si ligji i vetingut.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve te martën është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pjesë e diskutimeve ka qenë prishja e konsensusit politik. Mësohet se gjatë mbledhjes, demokratët kanë theksuar se drafti i miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca në mbledhjen e Komisionit të Reformës shkel Kushtetutën dhe konventat e të drejtave të njeriut.
Mësohet se gjatë mbledhjes, në emër të PD-së deputetja Albana Vokshi ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, që të krijojë mundësitë që të rikthehet konsensusi politik për projektligjin e vettingut.
Gjatë diskutimit, kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, ka theksuar se procesi i hartimit të ligjit të vettingut është monitoruar nga arbitrat ndërkombëtarë. Dhe propozimet e PD-së janë reflektuar në projektligj.
Në debat ka ndërhyrë dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, i cili ka shprehur habi për qëndrimin e shumicës.
Ndërkohë që Oerd Bylykbashi ka theksuar se procesi i vettingut, që pritet të zhvillohet në Shqipëri, nuk është bërë në asnjë vend tjetër të botës. Sipas tij, ligji i miratuar nga komisioni shkel Kushtetutën.
Ndërsa gjatë diskutimeve, kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, i ka ftuar palët që të shfrytëzojnë ditët që kanë mbetur për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Gjatë mbledhjes, PD ka propozuar që projektligji i SPAK-ut dhe ai i Prokurorisë që cenojnë lirinë e medias, të shqyrtohen në Komisionin e Medias. E njëjta procedurë të ndiqej edhe për projektligjet e tjera. Por nënkryetari i Grupit të PS-së ka kërkuar që diskutimi të mos bëhej për çështje specifike, pasi ato nuk janë detyrë e Konferencës së Kryetarëve.
Debatet
Albana Vokshi –
Mazhoranca, me qëndrimin e sotshëm ka shkelur konsensusin, ndaj dua t’i kërkoj zotit Meta që të krijojë mundësinë për të arritur konsensusin në këto ditë që kanë mbetur. Nuk ka kuptim ligji i vettingut pa konsensus. Ne si opozitë do të vazhdojmë të luftojmë për kushtetutshmërinë e ligjit të vettingut.
Fatmir Xhafaj –
Për ne është e rëndësishëm që projektligji i vetingut të miratohet brenda gushtit. Dua të them që në komision janë marrë parasysh vërejtjet e opozitës. Në Komision kemi dy arbitra të rëndësishëm, ekspertët e BE-së dhe të SHBA-ve, të cilët kanë vlerësuar të gjithë procesin.
Fatmir Mediu –
Ajo që nuk kuptoj është fakti se ju kërkoni amendamente për reformën dhe pasi ne i dorëzojmë ato, ju nuk i merrni parasysh dhe rasti më konkret është mbledhja e sotme e komisionit.
Oerd Bylykbashi –
Ligji i vettingut është shumë specifik dhe s’ka asnjë rast të tillë në vendet e botës. Ky ligj nuk duhet të shkelë Kushtetutën, gjë për të cilën kemi frikë se po ndodh në draftin që miratuat sot. Prandaj duhet të tregojmë kujdes, të mos shkelim dhe konventat e të drejtave të njeriut, dhe këtë e kemi treguar me kujdes në amendamentet tona.
Ilir Meta –
Është i rëndësishëm afati për miratimin e projektligjit të vettingut. Dua t’ju ftoj që të shikoni këto ditë që kanë mbetur të gjeni gjuhën e përbashkët. Ne jemi mësuar që të biem dakord edhe në 12 të natës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/