XHAFER RAKIPLLARI/ Një sqarim për Webometrics dhe renditjen e universiteteve shqiptare

XHAFER RAKIPLLARI/ Një sqarim për Webometrics dhe renditjen e universiteteve shqiptare

104
0
Shares
Nga Xhafer Rakipllari
Kam lexuar këto ditë shkrime dhe opinione nga politikanë, shoqëri civile, shqiptarë të thjeshtë. Secili në dritën e tij, përpiqet të gjejë shkaqet e renditjes së keqe të universiteteve shqiptare në “Webometrics Ranking Web of Universities”.
Në detyrën specifike që mbaj në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, por edhe në detyrat e ngjashme që kam mbajtur në universitete private, prej vitit 2010 ndjek me vëmendje gjithçka lidhet me renditjet e universiteteve, specifikat e secilës prej ranglistave dhe informacione të tjera me rëndësi.
Nisur nga sa më sipër, si shërbyes në universitet, por edhe si shqiptar që i dua krejt universitetet e trojeve si shtylla të rëndësishme të zhvillimit të kombit tim, modestisht po them edhe unë “dy centët” e mi.
Së pari, ka disa rankime për universitetet. Ato janë:
• Times Higher Education World University Rankings (THE)
• Shanghai Ranking
• QS World University Rankings (QS Ranking)
• Ranking Web of Universities (Webometrics)
• For International Colleges and Universities (4icu)
Më të rëndësishmit janë “THE” dhe “Shanghai Ranking”. Në ranglistat e tyre përfshihen universitete nga Serbia, Greqia, Kroacia… Zimbabve (shumë respekt për kolegët atje, thjesht e sjell për hir të shembullit), por asnjë universitet nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi. Pra, nëse duam të diskutojmë mbi cilësinë e universiteteve shqiptare (të krejt trojeve tona), duhet të nisim duke pyetur përse nuk jemi pjesë e këtyre ranglistave prestigjioze?
Ndërkohë, një zhvillim pozitiv ndodhi dy vitet e fundit, kur për herë të parë (theksoj për herë të parë), “QS Ranking”, i treti rankim botëror për nga rëndësia, ka përfshirë edhe 6 universitete shqiptare nën ranglistën “Emerging Europe & Central Asia” (EECA). Ata janë:
• Universiteti “Aleksandër Moisiu”
• Universiteti i Tiranës
• Universiteti Bujqësor i Tiranës
• Universiteti Politeknik i Tiranës
• Universiteti Epoka
• Universiteti Bedër
Tre universitetet e para renditen të 350-400 në EECA, të tjerat 50 vende më pas. “QS Ranking” është i rëndësishëm pasi ndryshe nga “Webometrics” dhe “4icu” nuk është thjesht rankim ueb. Komponetet e renditjes këtu përfshijnë edhe ndërkombëtarizimin, cilësinë e kërkimit shkencor, numrin e studentëve të huaj, raportin studentë-staf me tituj shkencorë, etj. Personalisht mendoj se këta komponentë meritojnë të analizohen hollësisht në secilin prej gjashtë universiteteve të mësipërm.
Për të ardhur të Webometrics. Ai është duke fituar influencë vitet e fundit, ndërsa në ranglistë përfshin rreth 30 mijë universitete në mbarë botën. Grupi i ekspertëve spanjollë të “Webometrics” i rendit universitet bazuar mbi peshën që ata kanë në ueb. Pra, bazuar vetëm me informacionet që gjenden online. Psh, nëse një institucion punon mirë me website dhe rrjetet sociale, ai renditet më mirë. Nëse stafet tona akademike regjistrohen në numër të madh në Google Scholar, Research Gate, LinkedIn, etj., universitetet shqiptare renditen më mirë.
Megjithatë, edhe këtu ka përjashtime nga rasti. Për t’i dhënë Çezarit atë që i takon, me lejoni të ndaj me ju faktin që në vitin 2019, puna e zhvilluar në domenin online, e ka renditur Universitetin “Aleksandër Moisiu” të parin në Europën Qendrore dhe Lindore dhe të dytin në Europë (referojuni screenshot-eve më poshtë). Ky sukses i jashtëzakonshëm erdhi pas një viti e gjysmë pune të përditshme (edhe gjatë fundjavave) me përmbajtjen e website dhe rrjeteve sociale (“Content is the king”, thotë Bill Gates).
Por sa i rëndësishëm është Webometrics dhe çfarë duhet diskutuar pas renditjes së publikuar së fundmi? Si fillim, si vëzhgues i hollë i kësaj çështjeje, unë do të ngrija pyetjen përse ky diskutim bash tani dhe jo para tre muajve (janar) kur doli raporti? Pastaj, duke i dhënë rëndësinë që meriton renditjes, do të ngrija pyetjet: Përse kjo mungesë zhvillimi në websitet e universiteteve tona? Përse stafet tona akademike nuk janë në platformat profesionale që kam përmendur më sipër? Dhe më e rëndësishmja për kontekstin shqiptar, si lidhet kjo me mungesën e informacionit dhe transparencës në universitetet tona?
Cilësia e universiteteve tona, publike e private, meriton të diskutohet thellësisht e profesionalisht, duke ngritur pyetjet e duhura. Vetëm përmes premisave të duhura, mund të mbërrijmë tek e vërteta. (Marre nga faqja e tij ne Facebook)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY