Çfarë u tha në takimin Rama-Scholz, të gjitha përgjigjet e Kancelarit dhe...

Çfarë u tha në takimin Rama-Scholz, të gjitha përgjigjet e Kancelarit dhe Ramës për gazetarët në Berlin

68
0
Shares

Kryeministri Edi Rama takon Kancelarin federal të Gjermanisë Olaf Scholz Konferencë e përbashkët për shtyp

Kryeministri Edi Rama u takua sot pasdite me Kancelarin federal të Gjermanisë Olaf Scholz, në zyrën e tij në Kancelarinë federale gjermane. Kryeministri Rama është Kryeministri i parë nga Ballkani që pritet në Berlin nga Kancelari Scholz, pas zgjedhjes së tij në këtë detyrë.

Në takimin e zhvilluar kokë më kokë, Kryeministri Rama dhe Kancelari Scholz pohuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit në tëardhmen.

Në takim u diskutua mbi integrimin e Shqipërisë nëBE, proces për të cilin Gjermania ka qenë dhe mbetet mbështetëse e arritjeve të Shqipërisë, në drejtimet themelore që kanë shënuar progres në zhvillimin e vendit. Kancelari gjerman Scholz vlerësoi hapat përparuese në konsolidimin e demokracisë, sundimin e ligjit, si dhe krijimin e  strukturave për të vepruar në mënyrë të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Takimi u fokusua në aktualitetin më të fundit nëUkrainë, ngjarjet e prodhuara nga lufta dhe dëniminnjëzëri të krimeve mizore që po kryhen atje.Kryeministri theksoi se Shqipëria qëndron e palëkundur në linjën e BE, në raport me agresionin rus në Ukraninë, në mbështeteje dhe përkrahje të çdo vendimi që gjeneron paqe dhe stabilitet.

Në përfundimit të takimit Kryeministri Edi Rama dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz dhanë një konferencë tëpërbashkët për shtyp:

Kancelari gjerman Olaf Scholz: Të nderuar zonja e zotërinj! Jam shumë i gëzuar që kam mundësi të përshëndes sot Kryeministrin Edi Rama nga Shqipëria. Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij në Bashkimin Europian është shumë i rëndësishëm për mua.

Në shumë raste kam tërhequr vëmendjen që është një nga detyrat më të rëndësishme që ka Europa para vetes, pikërisht që të mundësojë këtë integrim. Për Gjermaninë, Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike, si pjesë e Europës dhe pjesë e familjes europiane, prandaj dëshiroj të kërkoj me shumë intensitet shkëmbime e kontakte me  kryetarët e shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim të parë, ne u thelluam në një sërë temash, marrëdhëniet e ngushta mes vendeve tona, për procesin e afrimit me Bashkimin Europian për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht edhe për koordinimin e qasjes sonë, përballë luftës agresive ruse kundër Ukrainës. Agresioni vrastar dhe i pakuptimtë i Rusisë kundër Ukrainës na bën të qartë dhe në mënyrë të dhimbshme parasysh që arritjet europiane të dekadave të fundit nuk janë më diçka e vetëkuptueshme.

Ne duhet të angazhohemi çdo ditë nga e para për një jetë në një hapësirë të hapur lirie e demokracie, të sundimit të ligjit e të mirëqenies. Me këtë dije, Gjermania angazhohet me këmbëngulje për fillimin sa më shpejtë të jetë e mundur të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe kjo ka rëndësi vendimtare për stabilitetin në rajon dhe në këtë kuadër për të gjithë Europën.

Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për ta falenderuar Shqipërinë. Në plan ndërkombëtar, Shqipëria merr përsipër përgjegjësi me rolin e saj proaktiv dhe konstruktiv, si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si aleate e NATO-s, si anëtare e OSBE-së dhe në shumë forume ndërkombëtare të tjera.

Shquarsia i mbështet vendimet e Bashkimit Europian në politikën e përbashkët e të jashtme të sigurisë 100%.

Njësoj si ne, Shqipëria dënon luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës.

Njësoj si ne, Shqipëria dhe partnerët në Bashkimin Europian, Shqipëria dënon në mënyrë të qartë dhe të dallueshme krimet e kryera nga Rusia ndaj popullatës civile dhe zbaton sanksionet kundër Rusisë.

Së bashku, ne i kërkojmë presidentit Putin tani të bjerë dakord për një armëpushim, të mundësojë furnizimin humanitar dhe të zhvillojë negociata të vërteta paqeje.

Marrëdhëniet tona bilaterale me Shqipërinë janë të shkëlqyera.

Prej 35 vitesh, qeveria federale bashkëpunon ngushtë me Shqipërinë për marrëdhënie të ngushta ekonomike e për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për politikën e klimës e të ambientit. Unë gëzohem që në marrëdhëniet bilaterale kemi përpara nesh një përmirësim të ndjeshëm për qytetarët tanë.

Nesër do të nënshkruhet në Tiranë një marrëveshje për njohjen reciproke për njohjen e lejeve të drejtimit. Kjo ka rëndësi shumë të madhe dhe për sa i përket perspektivave të profesioneve të shqiptarëve. Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara në demokraci, në sundimin e ligjit dhe në të drejtat e njeriut. Ka krijuar struktura edhe për të vepruar në mënyrë të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sundimi i ligjit funksionues është një bërthamë për funksionimin e Bashkimit Europian dhe prandaj dëshiroj t’ju inkurajoj që këto hapa të rëndësishme informatorë ti zbatoni në mënyrë konsekuente e në mënyrë rrënjësore.

Të gjithë vendet e Ballkanit Përndimor përfitojnë nga bashkëpunimi më i mirë rajonal. Ai përforcon ekonominë, përmirëson marrëdhëniet e mira fqinjësore e përshpejton afrimin me Bashkimin Europian. Procesi i Berlinit që nga viti 2014 ka treguar se çfarë potenciali ndodhet në bashkëpunimin gjithëpërfshirës të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Unë dëshiroj ta rigjallëroj procesin e Berlinit. E rëndësishme tani janë përparimet në ngritjen e një tregu të përbashkët rajonal. Krijimi dhe garantimi i katër lirive bazë: qarkullimi i lirë i personave, mallrave e shërbimeve e kapitaleve ka rëndësi për gjithë rajonin.

Unë angazhohem personalisht me qeverinë time. Republika federale e Gjermanisë do të mbetet një partner i ngushtë e i besueshëm i Shqipërisë në rrugën për në Bashkimin Europian. Faleminderit shumë!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit i nderuar Kancelar! Ishte vërtetë kënaqësi të merrja ftesën tuaj e të ritakoheshim pas një takimi të parë në qytetin e mrekullueshëm të Hamburgut, sepse siç i thonë fjalës, “once a mayor, alëays a mayor”.

Nga ana tjetër, jam shumë i inkurajuar nga biseda me Kancelarin sepse gjeta një gatishmëri jashtëzakonisht inkurajuese të tijën dhe të Gjermanisë në emër të tij, për të shtyrë me  më shumë vendosmëri përpara procesin e integrimit Europian të Ballkanit Perëndimor,e natyrisht duke filluar nga përmbushja e një faze të procesit për sa i takon Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që shpresojmë të ndodhë në Këshillin e ardhshëm të muajit qershor.

Nga ana tjetër, ne e çmojmë shumë konsideratën e qeverisë federale dhe patjetër që janë shumë të çmuara vlerësimet që Kancelari bëri edhe publikisht për progresin që ne kemi bërë, por jemi shumë të vetëdijshëm që kemi ende shumë për të bërë në të gjitha drejtimet dhe jemi shumë të vendosur që ti bëjmë të gjitha ato që duhen bërë sepse siç e kam thënë gjithmonë dhe e përsëris, për ne procesi i integrimit europian nuk është një proces për të shkuar në Europë,por për të ndërtuar një Shqipëri me standardet e Bashkimit Europian, në funksion të të ardhmes dhe këtë nuk ia detyrojmë Berlinit, nuk ia detyrojmë Parisit, nuk ia detyrojmë Brukselit, ia detyrojmë fëmijëve tanë.

Së dyti, sigurisht që ne jemi tërësisht 100% në një linjë me Kancelarin, sikundër, jo vetëm Shqipëria apo Gjermania, por i gjithë Bashkimi Europian është në një linjë në raport me agresionin rus mbi Ukrainën. Ne i dënojmë njëzëri krimet mizore që po kryhen atje dhe njëzëri kërkojmë një armëpushim sa më të shpejtë dhe negociata sa më të vërteta për të çuar në përfundimin e këtij kalvari që po shkatërron jetën e miliona njerëzve, që po rrafshon qytete të tëra e që faktikisht po bën reale në sytë e të gjithë botës atë që ne mendonim se nuk do përsëritej kurrë më, një luftë në Europë.

Së treti, në bisedën me Kancelarin patjetër që ishte shumë e mirëpritur nga ana ime dhe jam i bindur që do të mirëpritet në gjithë Ballkanin Perëndimor qëndrimi i tij dhe shprehja e dëshirës për t’i dhënë një impuls të ri procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit është një vizion jashtëzakonisht i rëndësishëm për rajonin tonë e është një proces që e ka sot më shumë se asnjëherë të nevojshëm një impuls të ri për shkak të një ngadalësimi dhe të një përhumbjeje le të themi në kanalet e burokracisë në Bruksel.

Nga ana tjetër, unë informova Kancelarin edhe për Ballkanin e Hapur, që nuk është asgjë tjetër, përveçse një përpjekje për ta jetësuar procesin e Berlinit, duke e zotëruar si proces në mënyrë të përditshme dhe patjetër që rivitalizimi i Procesit të Berlinit është gjëja me ë mirëpritur dhe përfshirja të gjitha vendeve në përpjekjen për të jetësuar në Ballkan të katër liritë e Bashkimit Europian, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve e shërbimeve, është gjëja e duhur për të garantuar paqen, për të garantuar bashkëpunimin rajonal e për të garantuar të ardhmen.

Së fundi, për sa i përket marrëdhënieve bilaterale, ato janë absolutisht të shkëlqyera, sikundër e nënvizoi edhe Kancelari dhe unë shpresoj shumë që Gjermania përveçse të bëjë pjesën e saj për sa i përket përmbushjes së procesit dhe pranimit nga i gjithë Këshilli Europian njëzëri të uljes në tryezë për negociata me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, të përmbushë në nivelin e Bashkimit Europian edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Është një proces i merituar prej shumë vitesh, por i bllokuar dhe shpresojmë që të çlirohet sepse na intereson shumë sepse të gjitha vendet e Ballkanit, të marrin atë që meritojnë, në raport me ecurinë e tyre drejt Bashkimit Europian.

Edhe një herë, shumë faleminderit zoti Kancelar për mikpritjen tuaj të posaçme dhe shpresoj që të kem përsëri fat sepse kur në konferencën e parë të shtypit bëra një ftesë që paraardhësja juaj të vinte në Shqipëri e të vizitonte rajonin, u duk si diçka që ishte thjesht një kortezi që do harrohej, pasi kurrë më parë një kancelar gjerman nuk kishte vizituar Shqipërinë për arsye vizite bilaterale. Kështu që unë po e ribëj ftesën edhe publikisht, që do të ishim shumë të nderuar që ju të vizitonit Shqipërinë dhe rajonin sepse rajoni ka shumë nevojë për Gjermaninë, por dhe Gjermania ka shumë nevojë për rajonin. Rajoni ka shumë nevojë për Bashkimin Europian, por Bashkimi Europian ka shumë nevojë për rajonin.

 

***

Pyetja e parë për kancelarin. Kanë kaluar 20 vjet nga hapi i parë që u hodh për anëtarësimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian në Selanik, por deri tani asnjë nga këto vende nuk është pjesë e Unionit. Ju deklaruat që do të angazhoheni personalisht që të ketë hapa konkret. A ka një plan konkret Kancelaria juaj përveç angazhimit në formën e deklaratave? E siç e thatë, kërkoni të rigjallërohet procesi i Berlinit. A keni diskutuar me kryeministrin edhe për Open Balkan siç ai e pohoi. Ju e shikoni këtë si një mundësi, një mjet që të përshpejtohet Procesi i Berlinit përmes Ballkanit të Hapur duke qenë se edhe ai synon katër liritë?

Pyetja për Kryeministrin Rama, në Tiranë deklaruat që pas Këshillimit Kombëtar do të trokisni në të gjitha kancelaritë e Bashkimit Europian, në Bruksel e të kërkonit ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit. Ndodhi kjo? Kush ishte përgjigja?

Kancelari gjerman Olaf Scholz: Faleminderit shumë për pyetjen. Dëshiroj t’ju përgjigjem, ju e patë që çështjen e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian e përmenda disa herë, jo vetëm sot kur jemi takuar bashkë, por dhe në shumë raste të tjera, por dhe ajo përmendet në programin e qeverisë aktuale dhe në takimet në Europë, pasi unë  besoj që tani është momenti që duhet kapur pikërisht ajo që përmendët ju në pyetjen tuaj, që ka kaluar vërtetë një kohë e gjatë e tani duhet të pasojë hapi tjetër. 

Unë jam krejtësisht i këtij mendimi prandaj vetëm mund tju siguroj që me fuqinë që kam unë dhe me gjithë mbështetjen e qeverisë federale dhe të Bundestagut, do të japim atë kontribut që kjo të ndodhë vërtetë.

Përshtypja ime është që jetojmë në kohë të reja dhe ka të bëjë dhe me agresionin rus dhe ndaj tek shumë njerëz në Europë është rritur vëmendja në Europë që duhet ta mbështesim njëri-tjetrin në këtë situatë. Unë në çdo rast do të angazhohem dhe do angazhohem për gjithçka që e mbështet Projektin e Berlinit. Ka shumë aktivitete që janë të dobishme, por e rëndësishme është që këndvështrimi të ruhet që bashkëpunimi të përmirësohet, që hapat e lirive bazë të mundësohen në mënyrë që prej kësaj të arrihet diçka që të çojë në një anëtarësim në Bashkimin Europian dhe një zhvillim paqësor për Ballkanin Perëndimor dhe të përfudnojë në zhvillim ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Edi Rama:   Sikundër ishte dhe e shprehur në pyetësorin që ne kemi bërë për Këshillimin Kombëtar, të cilit në rastin  ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia, iu përgjigjën pozitivisht 66% e qytetarëve shqiptarë, kjo do të ndodhë nga ana jonë, nëse në qershor nuk do të hapen përsëri negociatat formalisht për Shqipërinë për shkak të Maqedonisë. Deri në qershor, siç e kemi shtruar edhe në Këshillimin me popullin shqiptar, ne do të vazhdojmë të jemi në një linjë me Maqedoninë e Veriut që të dyja vendet duhet të marrin dritën jeshile. Nëse në qershor, Bullgaria do të bllokojë përsëri Maqedoninë e Veriut, ne do të ndryshojmë qasjen tonë dhe do të kërkojmë nga Gjermania, Franca dhe të gjithë që të na ndajnë sepse është diçka e pamundur të përballohet gjatë që ti të mos dalësh dot nga shtëpia për shkak se duhet të zgjidhim problemin me njëritjetrin dy fqinj. Kjo është ideja. 

-Zoti Kancelar, ju theksuat që shtetet e Ballanit Perëndimor e mbështesin edhe politikën e sanksioneve të Bashkimit Europian. Ka një vend që nuk e bën këtë, që është Serbia. Serbia tani mori edhe një sistem tëmbrojtjes raketore kineze. Cilat janë pasojat për këtë sepse Serbia konsiderohet si e avancuar në këto bisedime për anëtarësim e ndërkohë shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të presin që të ngadalësohet politika, meqenëse Serbia nuk i përmbahet sanksioneve.

Për kryeministrin, cili është ndikimi i shteteve të treta në Ballkanin Perëndimor. Nëse mund të më thoni nëse për mendimin tuaj, ndikimi i i vendeve si Kina, Rusia, Shtetet Arabe, a është rritur apo është ndikim që ka mbetur konstant?

Kancelari gjerman Olaf Scholz: Ne kemi parë një dënim të agresionit rus nga të gjitha vendet. Mund ti shikosh gjërat shumë ndryshe, por ne kemi parë një dënim të agresionit rus.

Kryeministri Edi Rama: Përsa i përket aktorëve apo palëve të treta me ndikim në Ballkanin Perëndimor, unë do thoja që nuk janë njësoj dhe nuk duhet të kemi shqetësime nga ndikimi i vendeve të treta në të njëjtën mënyrë.

Sigurisht që ndikimi i Rusisë në rajonin tonë përbën një problem, për më tepër në kushtet e sotme, çka e bën shumë më të nevojshme aktivizimin më intensiv të Bashkimit Europian dhe përpjekjen nga ana e Bashkimit Europian për ti afruar shumë më pranë të gjitha vendet e Ballkanit Pëndimor pa përjashtm. Ndërkohë, Kina është një vend, i cili ka synimin e vet të deklaruar në të gjithë Europën ose më saktë, në ish Europën Lindore, ka dhe një format special të Kinës, të quajtur formati 17 plus 1 në të gjitha vendet ish komuniste, që është një projekt investimesh.

Shqipëria nuk ka ndonjë marrëdhënie të posaçme as me njërën, as me tjetrën dhe niveli i investimeve të Rusisë në Shqipëri ëshzero, ai i Kinës është minimal dhe i papërfillshëm krahasuar me të gjithë vendet e tjera.

Sa i përket Turqisë, Turqia nuk është një aktor i tretë, Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe në këndvështrimin tim, Turqia është një valvul shumë e rëndësishme për gjithë Europën. Në ndërkohë, me vendet e gjirit, ne kemi një marrëdhënie miqësore prej shumë e shumë vitesh, i kultivojmë ato, nuk kemi asnjë arsye të shohimt tek ato vende, asgjë tjetër veçse miqve dhe sigurisht janë të mirëpritur në Shqipëri për të bërë investimet e tyre, por dua të them që prezenca e tyre në vendin tone, por edhe në përgjithësi, është shumë më e ulët në aspektin e investimeve nga sa ndonjëherë zmadhohet nëpër artikuj apo vëzhgime sensacionale të medias. 

Pyetja për ju kancelar. Çfarë është e rëndësishme të bëhet që Ballkani Perëndimor të mos lihet nën ndikimin rus dhe cfarë do bëjë Qeveria Federale që këto vende të mos e lëkundin besimin e tyre në integrimin europian.

Ndërsa pyetja për ju kryeministër, procesi i integrimit bazohet në merita. Shqipëria gjatë këtyre viteve i ka përmbushur detyrimet e saj, ajo po luan një rol aktiv në Këshillin e Sigurimit, gjithashtu politika e jashtme është 100% në përputhje me linjën e Bashkimit Europian. A prisni ju që Konferenca e Parë Ndërqeveritare të mbahet gjatë presidencës franceze në muajin qershor?

Kancelari gjerman Olaf Scholz: Sa i përket sigurisë së Europës dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian i bashkuar është kusht i domosdoshëm. Ne e treguam dhe javët  e fundit që të bashkuar ne mund të veprojmë. Kjo doli në pah edhegjatë pandemisë. Atje gjithë Europa vuri në rrugë një program kundër krizës që nuk ishte parashikuar më parë. Ndaj, si luftimi ndaj Coronavirus dhe raporti me Rusinë dhe sa i përket agresionit kundër Ukrainës, kjo është një pjesë që prodhon sovranitet europian. Është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor ta mbështesë njëri-tjetrin.

Unë jua thashë, unë besoj që gjithçka ne duhet ta avancojmë dhe unë do angazhohem personalisht për këtë. Veç kësaj, do jetë e nevojshme që të kujdesemi,që të jemi të fortë ndaj bashkëpunimi në NATO ka rëndësi të madhe dhe për Republikën Federale të Gjermanisë, unë kam deklaruar në mënyrë të qartë që duhet të japim kontributin tonë. Në Europën kontinentale, ne jemi shteti që kemi numrin më të madh të trupave dhe e pasqyrojmë këtë gjë në buxhetin tonë dhe këtë do ta ndjekim me një fond special për mbrojtjen, që ka të bëjë me financimin e Forcave të Armatosura Gjermane, duke dhënë kontributin tonë për gjithë Europën. Ky është detyrimi ynë dhe ne do t’i përmbahemi kësaj.

Sa i përket bashkëpunimit në Europë, sepse ky bashkëpunim është vënë në rrezik nga Putin me aktin bazë NATO-Rusi, dhe kishim lidhur marrëveshje me OSBE që sigurinë ta krijojmë së bashku, por njëri nga kushtet është deklarimi që kufijtë janë të paprekshëm, prekja e kufijve të mos diskutohet dhe që të njohim sovranitetin e vendeve. Putin me agresionin e tij e shkeli këtë e ndaj është në interesin e tij, por është nëinteresin edhe të gjithëve ne që të vendoset një armëpushim, që Rusia të tërheqë trupat e saj nga Ukraina dhe të kemi një marrëveshje mes Ukrainës dhe Rusisë që të garantojmë një zhvillim paqësor afatgjatë. Nuk mundem ta parashikoj këtë gjë, por kjo do jetë kërkesa jonë këmbëngulëse. 

Kryeministri Edi Rama: Sikundër ju e dini, unë e kam thënë në mënyrë të përsëritur që ne nuk presim asgjë, në sensin që cilido të jetë konkluzioni i Këshillit Europian në qershor, kjo lidhet, jo me çfarë ne kemi bërë apo nuk kemi bërë, por sa Bashkimi Europian do jetë në gjendje të marrë një vendim siç na takon. Jemi zhgënjyer në mënyrë të përsëritur për disa vjet, Komisioni Europian për disa vjet na ka dhënë të drejtë që ne të vazhdojmë me fazën tjetër, gjë që për ne ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme sepse Komisioni Europian është e vetmja strukturë që ka kapacitetin që të vlerësojë objektivisht dhe teknikisht ecurinë e vendeve pasi janë dhjetëra njerëz që punojnë 24/7 në Shqipëri, ndërsa Këshilli Europian merr vendime të një natyre politike. Të mësuar nga zhgënjimet dhe duke mos dëshiruar të mos zhgënjehemi më, ne nuk presim asgjë përveç asaj që na takon. Nëse nuk do e marrim, nuk do jetë hera e parë, nuk do mërzitemi kështu që do vazhdojmë të bëjmë punën tonë pasi nuk e bëjmë për Brukselin,e bëjmë për fëmijët tanë. 

Faleminderi zoti kancelar. Ministrja e jashtme u shpreh sot për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë.A është dhe ky pozicioni juaj dhe konkretisht, a  do ta mbështesë qeveria vendimin për të dërguar tanke në Ukrainë. Një pyetje për politikën e brendshme, 4 muaj pas bërjes së betimit nga kabineti sot ndodhi dorëheqja e parë. Si e vlerësoni këtë hap. A tregoni mirëkuptim për këtë, çfarë do të thotë kjo për qeverinë?

Një pyetje për ju, zoti kryeministër, Ukraina kërkon një procedurë të përshpejtuar për hyrjen në Bashkim Europian. Ajo ka dhe disa mbështetës. Si e ndjeni ju një kërkesë të tillë, si do ndiheshit nëse ata do kishin sukses në këtë kërkesë, pasi ju prisni prej kohësh për të hyrë në Bashkim Europian?

Kancelari gjerman Olaf Scholz: Unë kam bashkëpunuar mirë me ministren. Jam shumë i prekur për situatën e saj jetësore dje ndaj vendimi i saj meriton repsektin më të thellë prej meje. Në lidhje me diskutimin publik dhe kritikat ndaj saj në lidhje me një post të mëparshëm të saj, ajo vendosi ta bëjë këtë dhe vendosi të heqë dorë nga posti aktual. Me siguri, kjo gjë nuk ishte e lehtë për të, këtë e di dhe nga biseda që zhvillova me të, por është një vendim që duhet respektuar. Vec kësaj, Gjermana dhe vendimi që mora unë theu traditën për të mos dërguar armë në një vend si Ukraina. Të gjitha qeveritë e mëparshme e ndoqën mosdërgimin e armëve, por pasi Gjermania e mori vendimin për të dërguar armë, edhe vendet e tjera e ndoqën edhe vende të tjera. Ne kemi pajisur në të kaluarën me armë Ukrainën. Sa i përket raketave antitank, raketave anti tokë ajër dhe do vazhdojmë ta mbështesim më tej Ukrainën. Këtë do ta bëjmë me një bashkëpunim të ngushtë me gjithë miqtë tanë, nuk do ketë ecje të veçuara, por shumë të barazpeshuar.

Kryeministri Edi Rama: Pyetja se a ndjehem unë i shqetësuar që Ukraina mund të hyjë më shpejt në Bashkimin Europian sesa ne që kemi kaq vite që presim, më vë në pozitë sepse duhet të them të vërtetën, apo jo? Unë më shumë jam i shqetësuar se mos Ukraina mendon vërtetë se mund të hyjë më shpejt në Bashkimin Europian, jo se do hyjë më shpejt. Do i thosha edhe atyre që e ushqejnë këtë iluzion për Ukrainën që të mos përdorë Ukrainën për të shprehur entuziazmin e tyre revolucionar nëpër instanca të ndryshme sepse nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar se si funksionon Bashkimi Europian dhe kjo nuk mund të ndodhë, sipas meje. Megjithatë, nëse do të ndodhte, nuk do të bëheshim absolutisht xhelozë që Ukraina do të hynte përpara. r.p

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY