Prokuroria ka nisur hetim për kadastrën e Durrësit pas akuzave që publikoi kreu i Kadastrës Artan Lame në lidhje me problemet e hasura me registrat e këtij institucioni në Durrës. Lame tha pak ditë më parë se ka ngritur një grup pune për inventarizimin e regjistrave të Kadastrës së Durrësit pas problemeve të mëdha të hasura me to, siç është edhe grisja e fletëve.
“Nisur faktet e bëra publike në media për kontrollin e ushtruar në Kadastrën e Durrësit dhe konstatimin e dëmtimeve në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 582, datë 01.04.2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 186 e 248 te Kodit Penal. Me urdhër të drejtueses së prokurorisë është krijuar një grup hetimor i përbërë nga prokurore dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes”, njofton prokuroria e Durrësit.
Nga 1063 regjistra, vetëm 152 janë në gjendje të mirë.
“Nga 1063 regjistra vetëm 152 regjistra janë të mira dhe të paprekura, pjesa tjetër ka vëretje. Në këto regjistra mungojnë 730 fletë që do të thotë në regjistrat e pasurive të paluajtshme nuk janë fare, duke u grisur. Janë hequr një fletë dhe është vendosur një tjetër.
Situata e trashëguar në kadastrën e Durrësit kalon imagjinatën, janë grisur fletët, imagjinoni të gjitha janë pasuri dhe halle njerëzish. Rezultojnë 569 fletë të dubluara. Përgjegjësia është e kujdo që ka punuar në këtë mënyrë gjatë 22 viteve.
Nuk ka pasur rregullore, nuk ka pasur punonjës të arkivit me inventar. Ska pasur asnjë inventar dhe natyrisht s’ke kujt i vendos gishtin”, tha Lame. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/