Finalizohet operacioni policor i koduar “Bitcoin”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe OSHEE-në, Malësia e Madhe.
Gjenden dhe sekuestrohen në magazinën e një banese, 14 pajisje elektronike që shërbenin për gjenerimin e kriptomonedhave virtuale.
Vihet në pranga autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale, i cili i furnizonte pajisjet me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në vijim të punës për parandalimin, dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit të mashtrimit kompjuterik, nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë, Malësi e Madhe, falë edhe bashkëpunimit me OSHEE-në, janë administruar informacione policore operative se në Malësi të Madhe po ushtrohej veprimtaria e prodhimit të kriptomonedhave virtuale, në mënyrë të jashtëligjshme.
Strukturat e Komisariatit të Policisë, Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, me Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, dhe OSHEE-në, Malësi e Madhe, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bitcoin”.
Në kuadër të këtij operacioni është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. H., në fshatin Malësi e Madhe, Shkodër.
Gjatë kontrollit, pranë magazinës së kësaj banese janë gjetur dhe sekuestruar 14 pajisje të markave të ndryshme elektronike, të cilat dyshohet se shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave virtuale, si dhe aksesorë të tjerë që nevojiten për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Këto pajisje furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast, u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi M. H., 60 vjeç, banues në Malësi të Madhe, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Vjedhja e energjisë elektrike”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar”.
Vazhdojnë hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/