Loja që bëri Putin për të futur Bjellorusinë në luftë. Perëndimi shqetësuar...

Loja që bëri Putin për të futur Bjellorusinë në luftë. Perëndimi shqetësuar për mundësinë e sulmit kimik nga Rusia

50
0
Shares

Autoritetet në Ukrainë thanë të premten se Bjellorusia mund të jetë duke planifikuar një sulm ndaj territorit të saj si dhe akuzuan Rusinë se po përpiqet ta tërheqë aleatin e saj në luftë duke kryer sulme ajrore drejt Bjellorusisë, nga hapësira ajrore ukrainase, raportoi Zeri i Amerikës.

Bjellorusia ka shërbyer si një stacion për trupat, raketat dhe avionët rusë, si para ashtu edhe pasi Moska nisi sulmin ndaj Ukrainës më 24 shkurt, por ajo nuk i ka vendosur forcat e veta ushtarake në gjendje aktive për luftë.

Ushtria e Ukrainës tha se avionët rusë kanë qëlluar fshatrat kufitare bjelloruse, nga hapësira ajrore ukrainase të premten, për të justifikuar nisjen e një ofensive nga ana Bjellorusisë.

Ky është provokim! Qëllimi është përfshirja e Forcave të Armatosura të Republikës së Bjellorusisë në luftë me Ukrainën!“, thuhej në një të Komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës.

Kremlini nuk i është përgjigjur ende një kërkese për komente rreth kësaj deklarate.

Sulmet e supozuara ndodhën ndërsa udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko po takonte Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, sipas Qendrës Shtetërore të Ukrainës për Komunikime Strategjike.

Rezultati i këtij takimi mund të jetë një sulm nga Bjellorusia përtej kufirit verior të Ukrainës, tha qendra në deklaratë.

Javën e kaluar, zoti Lukashenko, një aleat i ngushtë i Kremlinit, tha se forcat e armatosura bjelloruse nuk po merrnin pjesë dhe nuk do të merrnin pjesë, në atë që Rusia e quan “operacioni special ushtarak” në Ukrainë.

Zyrtarët e lartë ukrainas thanë se Rusia po bënte gjithçka që ishte e mundur për të tërhequr Bjellorusinë në konflikt, pasi dështoi në atë që vendet perëndimore thonë se ishte një plan fillestar, për një sulm rrufe në kryeqytet.

Ne gjithashtu e kuptojmë se qeveria bjelloruse ka bërë gjithçka që është e mundur për të shmangur përfshirjen në këtë luftë“, tha të premten zëvendësministri i Brendshëm ukrainas Yevheniy Yenin në një koment në televizionin kombëtar.

Bjellorusia nuk ka bërë ende asnjë koment mbi akuzat e Kievit.

Ndërkaq Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është mbledhur sot për të diskutuar rreth pretendimeve ruse, për siç thotë, “aktivitete biologjike ushtarake amerikane në territorin e Ukrainës”, akuza të hedhura poshtë me forcë nga udhëheqësi i Ukrainës dhe administrata e Presidentit Biden.

“Ky është pikërisht lloji i përpjekjeve manipuluese që kemi paralajmëruar se Rusia mund të ndërmarrë për të justifikuar një sulm me armë biologjike ose kimike”, tha të enjten Olivia Dalton, zëdhënëse e misionit amerikan në Kombet e Bashkuara. “Nuk do ta lëmë Rusinë që të manipulojë botën, ose që ta përdorë Këshillin e Sigurimit të OKB-së si një forum për të nxitur dezinformata.”

Kërkesa ruse, e njoftuar përmes një shkrimi në rrjetin Twitter të enjten pasdite nga zëvendësambasadori i saj i parë në OKB, Dmitry Polyansky, pason hedhjen poshtë nga Uashingtoni të akuzave ruse se Ukraina po operon laboratorë kimikë dhe biologjikë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Në përgjigje të akuzave pa prova të kësaj jave nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki paralajmëroi se Rusia mund të përdorë armë kimike ose biologjike kundër Ukrainës, fqinjit që ajo ka sulmuar.

Zëdhënësja Psaki e quajti pretendimin e Rusisë “absurd” dhe shkroi në Twitter se: “E gjithja kjo është një dredhi e dukshme nga Rusia në përpjekje për të justifikuar sulmin e saj të mëtejshëm të paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar ndaj Ukrainës”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i mohoi akuzat e Rusisë se Ukraina po përgatitet të sulmojë me armë kimike ose biologjike. Ashtu si zëdhënësja Psaki, ai tha se vetë akuza ishte një shenjë e keqe.

“Kjo më shqetëson shumë, sepse shpesh jemi bindur se nëse doni të dini planet e Rusisë, lexoni akuzat që ajo bën për të tjerët”, tha ai të enjten vonë në fjalimin drejtuar vendit.

“Unë jam një person i arsyeshëm. Presidenti i një vendi të arsyeshëm dhe njerëzve të arsyeshëm. Jam baba i dy fëmijëve”, tha zoti Zelensky. “Asnjë armë kimike, apo ndonjë armë tjetër e shkatërrimit në masë, nuk është zhvilluar në tokën time. E gjithë bota e di këtë.”

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, e quajti të mërkurën pretendimin rus “një mori marrëzish”.

Sipas zëdhënëses së misionit amerikan në OKB, Olivia Dalton, “Rusia ka një histori të dokumentuar më së miri të përdorimit të armëve kimike dhe prej kohësh ka zhvilluar një program armësh biologjike në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, si dhe “një histori akuzash të rreme ndaj Perëndimit për shkeljet që vetë Rusia është duke kryer”.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, përsëriti të enjten se Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka punuar me qeverinë ukrainase, është shprehur se nuk janë në dijeni të ndonjë aktiviteti nga ana e qeverisë ukrainase që bie ndesh me detyrimet e saj ndërkombëtare, duke përfshirë armët kimike apo biologjike.

Për muaj me radhë Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar për operacionet ruse të mashtrimit për të krijuar një preteks për ndërhyrjen.

Paralajmërimi i Shtëpisë së Bardhë dhe deklarata e zonjës Dalton të enjten, sugjerojnë se Rusia mund të kërkojë të krijojë një pretendim për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dy-javor.

Për vite me radhë komuniteti ndërkombëtar ka arritur në përfundimin se Rusia ka përdorur armë kimike për të vrarë ose në përpjekje për të vrarë kundërshtarët e Presidentit Putin, mes tyre Alexey Navalnin, tani në një burg rus, dhe ish-agjentin Sergei Skripal, i cili jeton në Mbretërinë e Bashkuar. Rusia gjithashtu mbështet qeverinë e Asadit në Siri, e cila ka përdorur armë kimike kundër popullit të saj në një luftë civile 11-vjeçare. VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY