TIRANË/ Kapet një sasi e madhe kanabisi në një makinë rrugës për...

TIRANË/ Kapet një sasi e madhe kanabisi në një makinë rrugës për në Vorë, 3 në pranga, 2 në kërkim

48
0
Shares

Finalizohet operacioni i koduar “Overpass”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vihen në pranga 3 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Sekuestrohen 31 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 2 automjete, 8 aparate celulare, servera për kamera dhe dokumente të ndryshme.

Specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Overpass”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– D. M., 29 vjeç, banues në Laprakë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

– F. T., 36 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

– A. Sh., 26 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit J. Z., 30 vjeç dhe E. S., 22 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa në sasi të mëdha dhe më pas e shisnin atë me pakicë te persona të tjerë.

Në rrugën dytësore në autostradën Tiranë-Durrës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar një automjet brenda të cilit dyshohej se kishte lëndë narkotike të llojit cannabis sativa. Gjatë kontrollit të këtij automjeti janë gjetur 29 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, me një peshë totale 31 kg.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se autorë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale janë shtetasit D. M., J. Z. dhe E. S.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit F. T. dhe A. Sh., me detyrë operatorë të kamerave, kanë ndërhyrë në serverat e kamerave të sigurisë, për të fshirë pamjet e regjistruara.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY