Deputetja e PD, Jorifa Tabak deklaroi soz se Komisioni Hetimor për Inceneratorët provoi vjedhjen dhe korrupsionin më të madh të 430 milionë eurove me firmën dhe vulën e Edi Ramës. Rama nuk tregoi asnjë provë, vetëm e mbrojti aferën politikisht.
Në vijim Tabaku u bëri thirrje institucioneve që nuk kanë kthyer akoma përgjigje; Bashkinë Tiranë, kompaninë guacë të Klodian Zotos, Drejtorit të Policisë së Shtetit, z. Gledis Nano, për të sjellë të gjitha lëvizjet e të gjithë personave që ne kemi kërkuar, kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, Ministrave Gjiknuri, Ahmetaj, dhe kryetarit të Bashkisë së Fierit Armando Subashi.
Deklarata e Tabakut:
Nesër është dita e fundit e mbylljes së hetimeve për Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.
Dje patëm ditën e fundit të dëshmive, një ditë e gjatë, intensive. Por që besoj i shërbeu publikut për të kuptuar aferën e tre inceneratorëve të Elbasanit, të Fierit dhe Tiranës me vlerë 430 milionë euro.
Nuk ka shqiptar që nuk e ka kuptuar që qeveria shqiptare ka dhënë 430 milionë euro, pa proçedurë, pa garë, kompanive, pronarët e të cilëve sot janë nën hetim, por njëkohësisht janë edhe në kërkim ndërkombëtar.
Ndërkohë që të gjitha këto ndodhin, qeveria shqiptare vazhdon dhe paguan çdo ditë qytetarët shqiptarë, vazhdojnë dhe paguajnë çdo ditë, buxheti i shtetit çdo ditë e më shumë gjendet më I varfër, më I vjedhur.
Unë përfitoj nga rasti që t’i bëj thirrje të gjitha institucioneve që nuk kanë kthyer akoma përgjigje dhe filloj me Bashkinë Tiranë të cilës i kërkoj të sjellë listën shkresore dhe komunikimin ndërmjet institucioneve për proçedurën që ne kemi në hetim, mungon pjesa e komunikimit të Bashkisë Tiranë me institucionet, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë premtoi se do të sjellë proçesverbalet e mbledhjeve ku këto kontrata konçesionare janë diskutuar.
Kompania guackë e Klodian Zotos, kompania ITS duhet të sjellë akoma librat e shitjes dhe të blerjes. Ne i kemi nga tre kompani të konçesionare librat e shitjes dhe të blerjes, kemi kuptuar shumë gjëra për to, por ndërkohë që presim akoma kompaninë guacë të Klodian Zotos që është kompania që ka marrë gjithë pagesat nga buxheti i shtetit dhe së fundmi, njëkohësisht Drejtori i Policisë së Shtetit, z. Gledis Nano, për të sjellë të gjitha lëvizjet e të gjithë personave që ne kemi kërkuar, kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, Ministrave Gjiknuri, Ahmetaj, dhe kryetarit të Bashkisë së Fierit Armando Subashi.
Unë besoj që informacioni ka qenë publik dhe në media për udhëtimet e këtyre të fundit, por ne këtë e kërkojmë zyrtarisht.
Nesër përfundon hetimi, ne kemi edhe pak ditë kohë për të shkruar Raportin, por ajo që është e qartë dhe që doli nga ky hetim është, që kushdo që dëshmoi përpara komisionit Hetimor tregoi se si korrupsioni qeveritar me firmë dhe me vulë të Edi Ramës u mbrojt politikisht dje nga Edi Rama por u pranua nga çdo zyrtar tjetër i shtetit.
Ministri i Financave tregoi përgjegjësitë që Ministria e Financave ka për miratimin e këtyre fondeve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, vetë dëshmoi dhe tha që nuk ka një vendim të Këshillit Bashkiak për autorizimin e këtyre fondeve.
Kryetari i Bashkisë së Fierit diskutoi përgjegjësitë e tij edhe në shkelje të kompetencave të tij ligjore për sa i përket bashkisë së Fierit dhe çështjes së pronës në Fier.
Më e rëndësishmja, tre përfaqësuesit e kompanive, administratorët nuk dinin të shpjegonin se si dhe ku kanë shkuar paratë. Ata kanë paguar veten. Paratë e shqiptarëve kanë shkuar në parajsa fiskale.
Sot kemi tre inceneratorë në letër, asnjëri prej tyre nuk funksionon, asnjëri nuk kryen procesin e incenerimit dhe këtu bëhet fjalë për korrupsionin më të madh të këtyre 30 viteve, 430 milionë euro.
Pyetje: Znj.Tabaku, ju jeni shprehur vazhdimisht që edhe SPAK-u është e kapur nga qeveria. Keni besim me dokumentin që do të dorëzoni në SPAK?
Jorida Tabaku: Unë nuk e kam thënë ndonjëherë një deklaratë të tillë.
Pyetje: PD?
Jorida Tabaku: As PD. PD e ka inkurajuar SPAK-un që të punojë, që t’i vendosë përpara drejtësisë. E ka inkurajuar SPAK që të shkojë deri në nivelet më të larta. I ka kërkuar llogari SPAK-ut pse nuk ka ecur më shpejt. Unë besoj se kjo ka qenë një deklaratë korrekte. Besoj që tani që informacioni është publik, kushdo që e ka parë që tre kompani pa eksperiencë, pa garë, pa kapital, kanë marrë tre kontrata koncensionare me vlerë 430 mln euro dhe SPAK-u ndjen përgjegjësinë dhe peshën e publikut që ky informacion tashmë është publik dhe ata duhet të veprojnë.
Falenderoj të gjithë qytetarët për interesin që kanë patur për këtë çështje. Në emër të PD, por edhe kryetarit të PD, z.Basha, ju siguroj që interesi i parë i PD në luftën ndaj korrupsionit është vendosja para përgjegjësisë i atyre që kanë bërë korrupsionin më të madh me 430 mln euro të inceneratorëve. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/