Lulzim Basha tha sot se nuk është kundër projektit të Durrësit por se projekti duhet bërë me transparencë dhe garë.
Basha u takua sot me disa biznese në Durrës dhe i kushtoi mjaft vëmëndje cështjes së projektit në Portin e Durrësit.
Pjesë nga fjala e Bashës:
…Dhe është ngritur një gënjeshtër sikur PD dhe PS, e në veçanti unë dhe i pari i qeverisë, kemi pakt për portin e Durrësit. Kjo është një gënjeshtër e pastër. Prej ditës së parë ne kemi qëndruar fuqimisht për transparencë dhe kundër asaj që ne e konsiderojmë një aferë. Pse e konsiderojmë një aferë, pse jemi kundër zhvillimit ne? Jo! Sa thoni që do të investonin aty këta, 3 miliardë? Ne duam ta çojmë në 6 miliardë të investohen, 8 miliardë po të jetë e mundur. Por ka një ndryshim miqtë e mi dhe do ta përmbledh, më fal se kjo në fakt është dita e kandidatit. Do ta përmbledh me diçka që unë e kam përjetuar vet. PD është pro zhvillimit, zhvillimit të qëndrueshëm që krijon edhe vende pune gjatë zhvillimit, edhe perspektivë të qëndrueshme zhvillimi ekonomik të gjatë dhe nuk dëmton ato asete shekullore të Durrësit që janë logjistika portuale detare dhe hekurudhore. Që të bëhet kjo, kjo punë nuk bëhet duke sjell një sheik. Se këtë punë bënë dhe në 2017-ën, sollën një sheik, thanë do bëjë kullën “Hal Habibi” tek bulevardi. Shkoni shikojeni pak se çfarë bëhet tek bulevardi i Tiranës, ku është “Hal Habibi”. S’ka “Hal Habibi”, ka përplasje të banorëve që duan t’u prishin shtëpitë me FNSH-në, “Hal Habibi” s’ka. Ishte gënjeshtër elektorale. Tani ka ardhur ky sheiku këtu, unë se paragjykoj se kush është, por kjo nuk është tokë pa zot, pa Kushtetutë, pa ligje. Po ju e dini fare mirë që motori i zhvillimit është konkurrenca dhe projekti i zhvillimit të Durrësit duhet të kalojë përmes konkurrencës së ideve dhe projekteve, të cilat duhet të jenë të qarta, të shpalosura, të diskutuara dhe të vendosura jo thjeshtë tek Nusreti i Dubait, apo tek Zuma e Dubatit, por të jenë të vendosura këtu në Durrës. Shembulli është ky. Ju të gjithë e dini që unë kam studiuar në Holandë. Në qytetin ku kam studiuar, është një qytet shumë i vjetër, pati një ide për një projekt i cili ndërthurte dy aspekte: një zhvillim modern, shumë modern më thënë të drejtën, përfshinte ndërtime, qendra tregtare, apartamente, si me thënë zyra, komplekse zyrash për koncerte të mëdha financiare. Duke i paraprirë pak edhe brexit, Holandezët nuk ia përtojnë kur vjen puna për planifikim afatgjatë dhe ruajtjen e disa aspekteve të vjetëra kulturore të cilat qyteti i ruan prej një mijë vitesh. Kishte një një tension! Çfarë bënë? E hodhën në referendum!
Bëhej fjalë për një projekt i cili përfundon në vitin 2025 apo 2027, në qoftë se nuk gabohem. I cili ka nisur para dhjetë vjetësh. U hodh në referendum çdo person, banor, adult, mbi 18-vjeç i qytetit, votonte për një nga tre projektet. Projektet u hartuan dhe u shpjeguan qartazi, nga autoritete jashtë konfliktit të interesit, miqtë e mi. Ju dhe vetë kur ndërtoni diçka, kërkoni mendimin e një të treti. Në pronën tuaj, me paratë tuaja, prapëseprapë kërkon një oponencë. Për paratë tuaja! Jo më për paratë e qytetarëve! U hartuan projektet, u bë oponenca, u vendosën tre variante, u vendos me votë të qytetarëve, për një zhvillim që nuk na takon vetëm ne. I takon edhe brezave të ardhshëm! Si takon vetëm durrsakëve, u takon gjithë shqiptarëve! Kurse këta, për katër muaj, “laj-thaj” me katër darka te Nussret-i , vendosi se si do të duket Durrësi për 100 vitet e ardhshme?! Jo zotëri! Ky nuk është zhvillim! Ky nuk është projekt-zhvillimor! Ky është pozicioni ynë! Larg abuzimit të njërës palë, që thotë PD-ja është kundër zhvillimit. Jo, se zhvillimet më të mëdha , i kemi promovuar dhe i promovojmë ne dhe politikat tona ekonomike dhe fiskale, do të sjellin valën më të madhe të zhvillimit për vendin, në momentin që do marrim përgjegjësitë e zhvillimit të vendit. Duke nisur me përgjegjësitë e zhvillimit të Durrësit! Dhe palën tjetër pastaj, që shikon në çdo qoshe, në fakt ata e dinë fare mirë që s’ka konspiracion, por punojnë me kulturën e vjetër të konspiracionit, si e si, për ti fryrë gajdeve të veta, s’ka rëndësi se në çfarë kosto. Jemi kundër 3D-ve që na shiten si zhvillim, dhe që fshehin, sikur asgjë tjetër, fshehin mungesë totale transparence. Ku nuk ka transparencë, nuk ka konkurrencë dhe ka korrupsion. Pikë! Jemi pro zhvillimit, por një zhvillimi i cili vjen si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës, transparent, me konsultimin, jo thjesht të qeverisjes qendrore dhe as vetëm të qeverisjes vendore, por të të gjithë faktorëve. Të kësaj dhome të tregtisë dhe industrisë, të të gjitha rrjetit të dhomave të tregtisë dhe industrisë. Durrësi u përket gjithë Shqipërisë, sepse çfarë ndodh në Durrës, afekton edhe kolegët tuaj në Tiranë, edhe në Fier, edhe në Korçë, edhe në Prishtinë, edhe në Shkup. Dhe mbi të gjitha të mos harrojmë një parim të shenjtë të pushtetit vendor, për ne si demokratë, me konsultimin me të gjithë qytetarët e Durrësit. Po po! Me referendum lokal! Pasi ti paraqiten të gjitha të dhënat dhe pasi ti paraqiten disa variante, jo me detyrim përcaktim, kjo është, e doni apo se doni. Na jepni variantet, na jepni studimet, dhe qytetarët vendosin. Kjo është rruga për të ecur përpara! Prandaj ka 30 vjet që në këtë aspekt, e në veçanti këto 10 vitet e fundit, këto 8 vitet e fundit në veçanti, e shesin tallashin, ua shesin tallashin njerëzve, si është ajo shprehja, për ushqim. Por njerëzit nuk hanë tallash, por as nuk kanë pse të largohen, nga kjo perlë, siç është Durrësi. Nga ky vend i bekuar siç është Shqipëria! Është në dorën tonë të kërkojmë llogari, të ballafaqohemi me të vërtetat, të vendosim me votë. Të mos rrimë në shtëpi, as me 6 mars, pavarësisht se janë zgjedhje të pjesshme, pavarësisht se janë me atë mandat që janë, por vota është një instrument i rëndësishëm. E dimë të gjithë se çfarë ka ndodhur me 25 prill, e dinë të gjithë, e dinë edhe SPAK-u, edhe faktorët ndërkombëtarë, që po bën të gjitha përpjekjet, që kësaj radhë, të mos përfundojnë si 339 jo 334. Rrota është e madhe! Ndoshta ka filluar të lëvizë pak ngadalë, por kësaj radhë do të lëvizë mirë. Nuk do lëvizë deri me 6 mars ndoshta, dhe 6 marsi në këtë kuptim do jetë një test i qartë i kësaj qeverisje, nuk besoj se do ta kalojë, por prapëseprapë pavarësisht se çfarë bëjnë ata, ata aq janë, shumica janë qytetarët. Detyra jonë është ti ndërgjegjësojmë qytetarët, që e kanë në dorë. Edhe zhvillimin ekonomik të Durrësit e kanë ata në dorë, duke i dhënë politikës një fytyrë njerëzore. Që ti kthejnë institucionet Durrësit! Po i kthyem institucionet Durrësit, nuk do ta ketë të lehtë qeveria e Tiranës, të bëjë numra, siç bënë me kullën e “Habibit”, me projektin e Durrësit. Jo jo! Do detyrohet të ulet, të shtrojë versionet, në qoftë se ka, e ti shkojë deri në fund konsultimit me qytetarët.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/