Kompania Bankers Petroleum, nuk i detyrohet asnjë taksë qeverisë shqiptare dhe qeveria duhet t’i kthejë kompanisë rreth 37 milionë euro taksa të marra padrejtësisht. Ky nuk është një vendim gjykate. Ky është një vendim që vjen si pasojë e një konsensusi mes qeverisë dhe kompanisë, i cili zëvendëson institucionet.
Një vit më parë, pas disa kontrollesh të kompanisë, qeveria e akuzoi Bankers për fryrje fiktive të shpenzimeve dhe investimeve, me qëllim uljen e fitimit të deklaruar të kompanisë dhe shmangien e tatimit mbi fitimin. Qeveria pretendoi se Bankers kishte deklaruar mbi 300 milionë dollarë shpenzime fiktive, pas zbritjes së të cilave kompania duhet t’i paguante qeverisë 57 milionë dollarë në taksa.
Kompania e kundërshtoi pretendimin e qeverisë dhe nuk pranoi të paguante taksat e pretenduara, Si rezultat qeveria bllokoi llogaritë bankare të kompanisë, duke paralizuar kështu aktivitetin e saj. Vendimi i bllokimit u ankimua në gjykatë nga Bankers, por Gjykata e Apelit e quajti të ligjshëm vendimin e qeverisë për të bllokuar llogaritë banakre.
Bankers Petroleum iu drejtua arbitrazhit ndërkombëtar, i cili i kërkoi qeverisë të zhbllokojë llogaritë bankare të Bankers, deri sa të merret vendimi përfundimtar. Qeveria nuk e pranoi këtë kërkesë dhe vazhdoi t’i mbajë të bllokuara llogaritë.
Duke u ndeshur me humbje të ndjeshme nga bllokimi i aktivitetit tregtar, Bankers arriti një marrëveshje me qeverinë, sipas së cilës, Bankers do të tërhiqte padinë në gjykatën e arbitraritetit dhe do të pajtonin një auditues ndërkombëtar, vendimi i të cilit do të ishte përfundimtar dhe do të pranohej nga palët.
Në bazë të kësaj marrëveshje konsensuale mes qeverisë dhe kompanisë ata që do të paguajnë 57 milionë dollarë janë taksapaguesit. Marrëveshjet konsensuale të qeverisë me kompani të ndryshme të biznesit kanë zëvendësuar gjykatat dhe po kthehen në një barrë të rëndë për taksapaguesit.
Përvoja abuzive dhe korruptive e Ramës në zgjidhjen me konsensus të kontratës me CEZ është kthyer në një metodë pune. Rasti i Bankers nuk është i pari dhe nuk do të jetë as i fundit ku pazaret dhe arbitrariteti dalin mbi ligjet dhe gjykatat.
Në rastin e CEZ, shqiptarët vijojnë të paguajnë shtrenjtë pazarin. Këstet po vijojnë të paguhen rregullisht nga Shqipëria në drejtim të CEZ dhe kjo do të ndodhë deri sa të arrihet shuma e 479 milionë eurove. Dhe si të mos mjaftonte pazari i parë i Ramës ka ardhur edhe goditja e dytë. Marrëveshjes me CEZ i është shtuar edhe marrëveshja e re prej 57 milionë dollarësh e qeverisë për Bankers.
Këto para që do të paguhen nuk do të dalin nga xhepat e Ramës. Këto para do të dalin nga xhepat e shqiptarëve përmes rritjes së taksave. Destinacioni i tyre dihet se cili është. Ata para do të përfundojnë tek llogaritë bankare të autorëve të këtyre marrëveshjeve.
Dhe të mendosh, se pas CEZ dhe Bankers mund të vijë edhe një goditje e tretë si pasojë e papërgjegjshmërisë së këtij Kryeministri. Nuk duhet harruar pronari i Agon Channel, Françesko Beketi. Ai ka kërkuar në Arbitrazh një dëmshpërblim nga qeveria shqiptare në vlerën e mbi 1 miliardë eurove për mbylljen e televizionit.
Se cili do të jetë vendimi kjo mbetet për tu parë, por në vazhdën e pakteve të Ramës me CEZ dhe Bankers nuk do të ishte çudi që të vinte edhe një pakt tjetër i këtij individi të papërgjegjshëm me Beketin dhe të lexojmë një ditë të bukur se u arrit marrëveshja e liderit botëror se shqiptarët do ti paguajnë pronarit të Agon Channel për çmendurinë e Ramës edhe disa qindra milionë euro të tjera.
Ndërkohë një goditje e katërt mund të vijë nga ndërtuesit e HEC-eve të cilët po ashtu kanë paralajmëruar se do të denoncojnë qeverinë në Arbitrazh për prishjen në mënyrë të njëanshme të kontratave. Kjo do të ishte një tjetër kosto në vlerën e disa qindra milionë eurove, gjobë e këtij Kryeministri ndaj takspaguesve të këtij vendi
Bilanci i deritanishëm është marramendës. Vetëm në bazë të këtyre pakteve të Ramës që dalin mbi ligjet dhe gjykatat, shqiptarëve i bie që të punojnë të paktën 20 vjet për të shlyer këto detyrime.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/