Dëshmi të reja pas lajmit për mbytjen e fëmijës 10vjecar në Bulqizë. I mituri I.Xh. thanë se u mbyt dy ditë më parë në lumin Drin i Zi. Trupi i pajetë i vocërrakut nga fshati Mazhic i Bulqizës u gjet paraditen e djeshme në afërsi të fshatit Katund i Ri të Dibrës.
Pas lajmit të konfirmuar zyrtarisht edhe nga policia për mbytjen e 10 vjeçarit, “fshihet” një histori tejet e dhimbshme. Histori që vjen nga një zonë, ku varfëria ekstreme i shndërron njerëzit në ‘kafshë’. Vetë të afërmit e të miturit dhe banorët e fshatit Mazhic, me rrëfimet e dëshmitë e tyre pohuan dje për “Gazeta Shqiptare” se babai i fëmijës që u mbyt në lumë është kafshë dhe jo njeri.
Ata pohuan se djali i rritur pa nënë mund të mos jetë mbytur duke u larë në lumë, por mund t’i ketë dhënë fund jetës për shkak të traumës dhe depresionit. Se vetëm tri ditë para ngjarjes, ai ishte rrahur në mënyrë çnjerëzore nga i ati i tij, Shpëtim Xholeshi. 50 vjeçari e ka shtrirë përtokë djalin që kishte me gruan e parë dhe ia ka shkelur kokën me këmbë. Ky fakt është bërë me dije nga gjyshja 80vjeçare e të miturit. Por, edhe nga njerka, e cila u shpreh se fëmijët e thjeshtrës i rrihte më pak se i ati i tyre.
DËSHMIA E GJYSHES PËR NGJARJEN
Mëngjesin e së hënës, unë dhe nipi im 10 vjeç shkuam në pyll për dru. Morëm me vete edhe dy kuajt. Rreth orës 10:30 i thashë djalit të djalit të më sillte njërin nga kuajt për ta ngarkuar. Por, ai iku deri tek ura pa më thënë gjë se ku do të shkonte. E kërkova gjithandej, por nuk e gjeta. Mendova se mos ishte fshehur gjëkundi prej frike. U ktheva në shtëpi, ndërsa ai nuk u kthye. Të gjithë dolëm për ta kërkuar. Banorët e fshatit tonë dhe të Katundit të Ri (i përket rrethit të Dibrës) dolën një për një prej shtëpie dhe bashkë me ne kërkuan deri mëngjesin e sotëm (djeshëm). E gdhimë në bregun e lumit Drin, pasi aty gjetëm dy kuajt, të cilët i kishte marrë nipi”, thotë Hëne Xholeshi.
Ndërkaq, e moshuara tregoi se djali i saj, Shpëtimi (babai i viktimës) ishte martuar dy herë dhe se me gruan e parë, të cilën e kishte ndarë, ka 4 fëmijë dhe po 4 fëmijë ka edhe me të dytën. Gjithashtu, 80 vjeçarja u shpreh se familja e saj prej 11 anëtarësh mbahej me pensionin e saj dhe pensionin e dy fëmijëve invalidë të të birit. E moshuara qante për humbjen e nipit, ndërsa krah saj dëneste mbesa e saj më e madhe, motra e 10vjeçarit.
DËSHMIA E NJERKËS
Dje ajo qante. Njerka e 10 vjeçarit tha: “Unë jam nusja e dytë e Shpëtim Xholeshit, por ai plehra më bërtet edhe mua. Më thotë ik tek nëna jote. Më shan dhe rreh fëmijët. Me të kam 4 fëmijë. Ai na torturon mua dhe fëmijët”. E pyetur nëse i rrihte 4 fëmijët e tjerë që burri kishte me gruan e parë, ajo u shpreh: “Unë nuk i torturoj. Unë i dua, por ai (burri) i torturon më shumë. Kur i them unë mos i prek fëmijët, Shpëtimi më thotë: ‘Se nuk të pyes ty. Unë i ruaj me bukë. Ti nuk ke punë me fëmijët e mi’.
Ai i rreh përditë fëmijët. Pi nëpër lokale dhe bëhet tapë. Para tri ditësh, erdhi vjehrra e më tha: ‘Oj nuse, yt shoq e mbyti djalin krejt. Ia ka shtypur kokën me këmbë dhe mezi ia kam nxjerrë nga duart’”. Ndërsa, banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja pohuan se 50 vjeçari Shpëtim Xholeshi është baba diktator dhe i pamëshirshëm, pasi në vijimësi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike mbi fëmijët e tij, të cilët duhet të merren urgjentisht në mbrojtje nga shteti. Gjithashtu, banorët thanë se i kanë ndihmuar me bukë, vaj e sheqer dhe me çfarë kanë mundur familjen e varfër Xholeshi. /Gazeta Shqiptare.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/