HISTORIA/ Tradhëtia e femrës është më e keqe…

HISTORIA/ Tradhëtia e femrës është më e keqe…

145
0
Shares

Mund të duket histori telenovelash, por kjo pjesë e jetës sime, që do t’ju rrëfej, ka qenë pa skenar, ama e mirëmenduar nga njerëzit gënjeshtarë. Unë që po ju shkruaj jam një mashkull nga Tirana. Quhem Daniel. Mora shkas të shkruaj historinë time pasi kam dëgjuar shpesh që meshkujt janë ata të cilët tradhtojnë. Në fakt, mua më ka ndodhur e kundërta: Jam tradhtuar nga një femër! Unë e thashë përfundimin shumë herët, por është shumë e trishtë për mua edhe ta kujtoj. Ne ishim një çift i mirë dhe duheshim shumë. Të paktën unë e doja shumë, për atë nuk e di se çfarë ndjente, përderisa iku në krahët e tjetrit. Kishim rreth tre vjet lidhje dhe ishim mirë, ndjehesha mirë dhe ajo dukej e lumtur. Ne u njohëm në fakultet, studionim për të njëjtën degë, por në vite të ndryshme. Ajo ishte një vit më poshtë se unë. Njohja jonë ishte rastësore. Ajo kishte një shoqe në klasën time dhe vinte ta takonte shpesh. Një ditë ajo erdhi të takonte miken e saj, por nuk e gjeti. Me mua kishte folur edhe herë të tjera dhe më njihte. Isha i dyti që ajo njihte në atë klasë. Meqë mikja e saj nuk ishte, ajo po rrinte vetëm në një klasë tjetër boshë dhe po priste të fillonte mësimi i saj. Nuk mund të them se përfitova nga rasti që ajo ndodhej vetëm, por edhe përfitim rasti mund ta quaj, kur iu afrova dhe e ftova për kafe. Ajo pranoi pa hezituar.
U ulëm në një nga lokalet afër shkollës dhe biseda e parë ishte paksa e ndrojtur, jo se folëm për tema të sikletshme, por ngaqë nuk kishim ndenjur ndonjëherë bashkë. Ne nuk njiheshim pothuajse fare, por më dukej sikur kisha një jetë që e njihja, nga emocionet që po më shkaktonte qëndrimi me të. Më pëlqente ta kisha pranë si shoqe, se si më shumë, e kisha të vështirë ta imagjinoja. Ajo më bënte të ndjehesha mirë dhe të harroja gjithçka. Unë nuk isha shumë i madh, isha vetëm njëzet vjeç dhe ajo, nëntëmbëdhjetë vjeçe. Shkonim mirë edhe si miq. Nuk rrinim dot pa komunikuar me njëri-tjetrin, aq sa u bëmë të varur nga komunikimi që filluam të kishim. Unë fillova ta ndihmoja me librat që i duheshin dhe ajo ishte më se e kënaqur e për çdo gjë fliste me mua. U bëmë për njëri-tjetrin, me pak fjalë.
Pas një viti njohjeje, unë i propozova për t’u lidhur. Ajo u mendua shumë, u habit, më tha se nuk e priste e shumë e shumë të tjera, por si përfundim, më tha “po” dhe ne u lidhëm. Mund të them se ishim një çift i lumtur. Dilnim, bënim pushime bashkë, shkonim kudo bashkë dhe ishim edhe shumë miq të mirë dhe të dashur të mirë. Ne, domethënë unë, kisha bërë plane që të fejoheshim dhe doja t’i propozoja për fejesë. Kishim rreth tre vite bashkë dhe unë e doja atë femër. Kishte një periudhë kohe kur unë dhe ajo patëm një krisje në lidhje dhe unë nuk po mundesha ta rregulloja, kështu që ishim futur në një gjendje heshtjeje. E kisha shumë për zemër si femër, por nuk e di se ku çaloi lidhja dhe ku gabova që ajo u ftoh shumë me mua. Nuk e dija se përse po ndodhnin këto ndryshime, por ja që ndodhën. Nuk e fajësoja, pasi ajo po punonte edhe me diplomën dhe mendova se ishte në tension për këtë arsye. Unë i qëndroja afër, kurse ajo më shmangej dhe nuk m’i arsyetonte këto ftohje mes nesh, ato takimet të cilat nuk ishin më të shpeshta, puthjet të cilat ishin tepër të ftohta e mekanike dhe aspak pasionante si dikur.
Epo, nuk kisha ç’t’i bëja, thjesht u përpoqa të isha më i ngrohtë me atë dhe t’i përkushtohesha më shumë. Dhe ashtu bëra; u bëra më i ëmbël, më i afrueshëm, e merrja shpesh në telefon, dilnim çdo ditë dhe situata sikur ndryshoi. Pas diplomimit të saj, shkuam një muaj të tërë me pushime në Dhërmi. Ishim përditë e përnatë bashkë dhe kjo po më ndihmonte të isha më pranë me të, por edhe të përpiqesha ta kuptoja më shumë ndryshimin që kishte ndodhur mes nesh. Por, edhe ky afrim i tepërt dhe para kohe mendoj, nuk më ndihmoi që ta kuptoja ndryshimin e saj. Unazën e fejesës ia kisha blerë dhe e mbaja kudo me vetë, madje edhe kur futeshim të laheshim në det. Në det i propozova për fejesë. Ajo nuk e priste. Unë bëra një zhytje dhe i thashë se gjeta diçka. Ajo u çudit dhe nuk po e besonte. Ajo diçka ishte unaza e fejesës, që unë kisha rreth tre muaj që e mbaja me vete dhe doja t’i propozoja. Kështu, në det, unë i thashë: “A dëshiron të fejohesh me mua?”. Ajo u çudit, mbase nuk e priste dhe më tha të dilnim nga deti, por përgjigje nuk mora. Dolëm dhe i thashë: “Nuk u gëzove që tashmë frika jote se mos unë nuk e kam seriozisht, do të marrë fund?!”. Qeshi dhe më tha se ajo ishte e bindur që e doja dhe se nuk përbënte problem nëse do ta merrte propozimin apo jo. Epo, edhe dyshimet e mia morën fund, e kuptova se më donte, por e kuptova edhe se ishte e vogël dhe donte të shijonte beqarinë, ndaj thashë të prisnim edhe disa muaj, ama unazën e mori dhe e vendosi në gisht, pa më dhënë përgjigje, thjesht se i dukej e bukur dhe e donte çdo sekondë me vete. Unë ia lashë ta mbante.
Pasi u kthyem nga pushimet, mua më duhej të lëvizja për shkak të punës dhe të shkoja jashtë Tirane, kështu që e lajmërova të dashurën se do të ikja. U takuam dhe u nisëm për të ikur secili në rrugë të vet, por mua pas pak më morën në telefon dhe më thanë se do të ikja pas disa ditësh sepse ishte shtyrë puna. Shkova për të pirë kafe në një lokal dhe, për tmerrin tim, pashë se aty ishte edhe e dashura ime, duke u puthur me një djalë tjetër. E mora në telefon dhe e pyeta se ku ndodhej. Ajo më tha se ishte në shtëpi dhe po dëgjonte muzikë. U ndjeva shumë i zhgënjyer dhe nuk po e përballoja dot gënjeshtrën që më tha, ndaj i thashë: “Shiko mirë drejt dhe pastaj më thuaj se çfarë sheh”. Asaj, një fytyrë i shkonte dhe një i vinte. Vajta te tavolina e tyre dhe i thashë atij djalit se ajo ishte e dashura ime, por meqë ajo po rrinte edhe me të, atëhere le ta merrte, se nuk e doja më. Ai djali u skuq, kurse kjo bëri të çohej nga tavolina, por ai e kapi përdore dhe i dha një shpullë. Pasi ajo iku, ai më tha se sa kohë kishin bashkë dhe pothuaj të gjithë historinë. Me këtë djalin ajo kishte pesë muaj që shoqërohej. Ai i kishte propozuar për martesë dhe kjo kishte pranuar…
Ja, pra, të dashur miq dhe lexues të kësaj historie, nuk janë djemtë ata që tradhtojnë, por janë edhe femrat, ato që kërkojnë më shumë se një dashuri dhe, ku të jetë më mirë për to, aty përfundojnë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY