Ilir Meta i paqartë nëse LSI hyn në zgjedhje pa PD

Ilir Meta i paqartë nëse LSI hyn në zgjedhje pa PD

67
0
Shares

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaroi sonte pas tryezës që mbajti me disa parti të mazhorancës se ende beson në një zgjidhje politike të krizës ndërsa kritikoi ashpër Kodin Zgjedhor që sipas tij u bë fshehtas nga PD e PS në 2008.

Z. Meta, a u diskutua në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Është e mundur kjo në këtë moment?

Lidhur me kodin, ky është një kod i mallkuar zgjedhor që në 2008-n, një kod i bërë në errësirë nga shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe përsëri ky kod dëshiron të mbajë në errësirë zgjedhjet në Shqipëri për fat të keq.

Sepse nëse ka një konsensus është ai i nëndheshëm për të penguar çdo përpjekje që rrit transparencën e procesit zgjedhor dhe që e kalon atë nga dy-tre duar në një proces të hapur, konkurrues dhe demokratik. Pasojat e krizave të këtyre viteve, të gati një dekade, janë pasojat e kodit të bërë në errësirë me ndryshimin e dhunshëm që iu bë Kushtetutës me konsensusin e madh.

Megjithatë, duhet bërë çdo përpjekje që t’u jepen garanci maksimale qytetarëve shqiptarë se vota e tyre do të jetë e drejtë, se vota e tyre do të jetë e barabartë dhe ky do të jetë një proces që do të forcojë legjitimitetin e institucioneve shqiptare.

Ne si LSI kemi bërë çdo përpjekje për t’i kontribuar një zgjidhjeje politike, do të donim që të gjithë të bënin përpjekje maksimale. Fakti që nuk kemi arritur një marrëveshje tregon që këto përpjekje nuk janë shteruar.

Nuk duhet të kontribuojmë në momentet kur kjo krizë apo parakrizë të na çojë drejt situatave të paparashikuara apo të pamenaxhueshme, sepse vendi meriton qetësi, meriton paqe sociale dhe qytetarët tanë meritojnë të votojnë në mënyrë të drejtë, në mënyrë të barabartë dhe të përfaqësohen nga njerëz dinjitozë në Kuvendin e ardhshëm dhe në të gjitha institucionet.

Po thoni që jeni dakord për Kodin Zgjedhor dhe nuk është dakord Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kur flisni për negociata të nëndheshme?

Më duket se isha shumë i qartë. Ky Kod Zgjedhor nuk ka provuar që t’i japë shqiptarëve demokracinë që meritojnë, demokracinë që funksionon dhe vazhdimisht e çon vendin nga një krizë në një krizë tjetër. Besoj se isha shumë i qartë.

Nesër Parlamenti është para raundit të tretë për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Cilat janë shanset për të pasur një kandidaturë nesër apo edhe ky raund do të digjet? Dhe pyetja e dytë, më datë 29 prill është afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Ky afat i përcaktuar a do të diktojë edhe në ndryshimet e Kodit Zgjedhor në ditët e mbetura?

Unë nuk dua të hyj në çështje teknike. Çdo gjë që i shërben transparencës, besimit të qytetarëve shqiptarë te zgjedhjet e lira, garancive të sa më shumë forcave politike, dhe jo thjesht burokratëve të OSBE-ODIHR-it apo kujtdo institucioni tjetër, patjetër që duhet bërë në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi që të shkojnë më në fund drejt zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta.

Po për Presidentin z. Meta, a mund të kemi një kandidaturë nesër?

Për çështjen e Presidentit, ju e dini që qëndrimi ka qenë maksimalisht i hapur dhe konstruktiv. Unë kam qenë ndër nxitësit kryesorë, nuk është ndonjë sekret kjo, që maxhoranca të ketë këtë qëndrim. Pavarësisht se kemi një shumicë të padiskutueshme të cilësuar, Presidentin ta kemi sa më konsensual dhe në këtë proces të ecim së bashku me opozitën, të kërkojmë konsensusin e saj, por të kërkojmë edhe kandidatë prej saj, përse jo, në mënyrë që ne të jemi një vend sa më i bashkuar dhe normal. Për këtë po luftojnë gjithë shqiptarët për një vend normal.

Z. Meta, ndërkohë LSI a është dakord që ta ndryshojë Kodin Zgjedhor pa miratimin e opozitës?

Ne nuk duam të bëjmë asnjë veprim pa opozitën sepse po të ishte se do donim të bënim veprime të tilla, këto i kishim bërë me kohë. Presidentin e kishim zgjedhur me kohë, Kodin e kishim ndryshuar me kohë, edhe gjithçka tjetër. Ka një shqetësim nga opozita se mos bëhet ndonjë ndryshim që mund t’i krijojë afate të reja opozitës që të regjistrohet në zgjedhje dhe është shumë e shqetësuar për këtë opozita se mos kjo do të cilësohet si një problem edhe nga raporti i ardhshëm i burokratëve të ODIHR-it, por nuk e shqetëson në fakt opozitën që në këtë mënyrë do t’i mohohej mundësia opozitës që të regjistrohet në zgjedhje.

Presidenti do të zgjidhet në këtë legjislaturë?

Unë besoj se duhet të zgjidhet në këtë legjislaturë dhe nuk ka asnjë arsye se përse të mos zgjidhet dhe kemi ende kohë. Le të shpresojmë që dialogu mund të rivendoset edhe sot në mbrëmje, nesër në mëngjes…

I qëndroni mendimit se mund të ketë zgjedhje edhe pa Partinë Demokratike edhe pas negociatave të djeshme, z. Meta?

Jemi duke pritur PD-në në këtë proces. Mendoj që i janë bërë mjaft oferta Partisë Demokratike për të cilat unë edhe informova përfaqësuesit e partive parlamentare që morën pjesë dhe që nuk kanë pasur informacion të plotë, por edhe Partia Demokratike duhet të tregojë vullnet që të përfshihet në këtë proces.

Deri kur do ta prisni sepse PD dhe z. Basha kërkon vetëm qeveri teknike, asgjë tjetër?

Qeveria teknike nuk është diçka që mund të përcaktohet në mënyrë të njëanshme dhe në rast se çdo përpjekje synon apo personalizohet thjesht tek një apo edhe disa individë, atëherë humbasim fokusin nga standardet që ka nevojë Shqipëria, që ka nevojë qytetarët shqiptarë dhe nuk ndihmojmë zgjidhjen dhe dialogun.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY