Kreu i PD, Lulzim Basha ka ndarë sonte Presidentin Ilir Meta nga personi Ilir Meta gjatë një interviste për Zërin e Amerikës me gazetarin Armand Mero.
Basha tha se ka mbështetur Presidentin por jo Ilir Metën në veprimet e tij. Ai theksoi se veprimet e Ilir Metës gjatë fushatës elektorale e kanë demtuar LSI dhe se aksionet e tij gjatë fushatës kanë qënë aset i Ramës.
Ky qëndrim i Bashës pavarësisht nga këndvështrimi tërësisht i ndryshëm nga ai i PS është i ngjashëm ose edhe i njëjtë me qëndrimin e PS për qëndrimin e anshëm të Metës gjatë fushatës elektorale. PS mori vendim në Parlament për shkarkimin e Metës, vendim që do marrë përgjigje bga Gjykata Kushtetuese në Janar të 2022.
Qëndrimi i Bashës si kryetar opozite e rëndon pozitën e Metës në Kushtetuese.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha edhe një pyetje të fundit. Pak kohë më parë ju në parlament folët për atë që e quajtët Trekëndëshi i Bermudës, Trekëndëshi i të keqes, ku përfshitë Zotin Rama, zotin Berisha por edhe presidentin Meta. Çfarë ka ndodhur mes jush dhe presidentit Meta sepse deri tani nuk ju kishim dëgjuar të shprehnit kundërshti për veprimet e tij, madje ju e keni mbështetur edhe ne veprimet që ai ka ndërmarrë.
Z. Lulzim Basha: Jo, nuk ka qenë presidenti Meta i përfshirë në trekëndëshin e Bermudës. Ndaj presidentit dhe qëndrimeve të tij të drejta në raport me kushtetutën ne kemi mbajtur qëndrime të qarta mbështetëse, madje më shumë se LSI-ja. Ka qenë Ilir Meta pjesë, personi Ilir Meta, i cili nëse më pyesni, dy javët e fundit të fushatës ka qenë aseti më i madh i Edi Ramës, shkatërruesi i fushatës në bindjen time, të LSI-së në veçanti në disa zona elektorale nga Vlora në Elbasan dhe në veçanti në javët e fundit me qëndrimet e tij, ka çuar ujë tek mulliri i Edi Ramës.
Pra, kur përmend trekëndëshin e Bermudës, përmend personin Ilir Meta, politikanin Ilir Meta dhe jo institucionin e presidentit të cilit i kemi dalë në krah sa herë ka qenë në krah të kushtetutës. Por, përsa i përket pjesës tjetër mund të flasim gjatë. Jam i sigurt që do ketë akuza e sulme të shumta. Kalërimi i kulturës së linçimit, gënjeshtrave, spekulimeve të ndodhura këto dy muaj është gjëja më e thjeshtë, por edhe unë jam i qartë, i vendosur dhe më i fortë se kurrë nga forca e demokratëve për të qëndruar përballë çdo trekëndëshi dhe çdo kombinimi interesash personale të një grushti sado të fuqishëm por të vogël njerëzish që sot qëndrojnë përballë shumicës së shqiptarëve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/