Presidenca shqiptare reagoi sot pas disa shkrimeve në mediat greke në lidhje me vizitën e Presidentit Meta në një ekspozitë për Çamërinë.
Shpjegimi i Presidencës:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë. Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara. Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan.
Sot mediat greke e kanë konsideruar provokuese ekspozitën e mbajtur tre ditë më parë në Presidencë në Shqipëri, pjesë e të cilës u bë edhe vetë Kreu i Shtetit, Ilir Meta. “Protothema” dhe “Himara.gr” shkruajnë se fotot e varura në hekurat anësorë të Presidencës nuk janë të vërteta dhe pse flasin për gjenocidin e çamëve. Sipas mediave greke, ambasada greke në Tiranë ka zhvilluar një protestë të fortë dhe ka kërkuar menjëherë shpjegime nga zyra e presidentit Ilir Meta , lidhur me ekspozitën në fjalë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/