LULZIM BASHA/ “Je kopjac i Enver Hoxhës. Sadizmi politik ishte sistemi që...

LULZIM BASHA/ “Je kopjac i Enver Hoxhës. Sadizmi politik ishte sistemi që e mbante gjallë, kështu si bën ti dhe më pas propogandë”

67
0
Shares

(Replikat e Lulzim Bashës këtë pasdite në Parlament)

Një nga problemet më të mëdha të kohëve moderne është mundësia që u jepet sharlatanëve në politikë, të luajnë me shkurtesën e shkurtër të qytetarëve të cilët bombardohen ditë për ditë me një volum lajmesh, propagande, mashtrimesh që është dhjetëfish më shumë se 10 vite përpara. 100-fish më shumë sesa para epokës së internetit. Dhe kjo i jep mundësinë sharlatanëve në politikë të dalin dhe të hiqen si engjëj, ku në fakt kanë qenë autorët e fjalorit më banal që mund të imagjinojë mendja njerëzore, këtu në këtë sallë, përpara qytetarëve në fushata elektorale, në emisionet televizive, madje dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Dhe nuk e kam fjalën këtu për kërcënime, nga ato që parafolësi i ka pasur biletën e hyrjes së tij në politikë krah për krah me kriminelë, një pjesë e të cilëve sot janë nën dhe’ edhe si pjesë të intrigave të tij politike. Kur e shndërroi Bashkinë e Tiranës në lavatriçen e pastrimit të parave të pista të krimit, kur kërciste antitanku në mes të qytetit, siç e mbajnë mend tiranasit dhe të gjithë shqiptarët. E kam fjalën edhe për një mospërmbajtje me të vërtet të përmasave jo njerëzore, apo për të qenë metaforik shtazërore, meqë po përdorni metafora këtu, kur ishte krejtësisht e panevojshme, ndaj një qytetari për shembull, krejtësisht të pambrojtur, ja dëgjojeni:

Ky në këtë moment ishte kryeministri i vendit. Dhe e dini çfarë është më e turpshmja në këtë vend në qoftë se nuk na bie ndonjë hata nga ato që si kanë ndodhur akoma arkivave të Vatikanit, zoti Gjekmarkaj por mund t’i ndodhi Googles me këto Acromax-et që mos të kemi akses. Mjafton të shkruash “Edi Rama fjalor banal” dhe do harxhosh gjithë natën duke parë se çfarë fjalori ka përdor ky njeri, ndaj çdokujt. Fjalë të cilat edukata ime familjare nuk më lejon t’i përsëris. Jam i kompromentuar sa i takon standardit të transparencës nga edukata ime familjare. Ky është fjalori i këtij që sot thotë nuk e ul dot veten. Ku ta ulësh më shumë veten seç e ke ulur? Ta ka shpjeguar një nga zërat më autoritar të filozofisë bashkëkohore moderne shqiptare, se çfarë bën ti dhe çfarë ke bërë gjithë jetën tënde në politikë. Ti je një sadist që torturon njerëzit, s’ka rëndësi nëse janë njerëzit që rrinë në paradhomën tënde, në kabinetin tënd, në grupin tënd parlamentar, në partinë tënde, apo akoma më keq bashkëqytetarët e tu.
Ti kënaqesh duke iu shkaktuar atyre vuajtje pafund, ti ua çon 23% tatimin shtresës së mesme, e përgjysmon, e çon në emigracion, gjysmën e shtresës së mesme, e zbraz vendin nga ta, zëvendëson punën e ndershme me trafikun e drogës që jo opozita, por SHBA ta ka vënë në pah se e ke kthyer në një problem dh në një kërcënim për sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe pastaj, pasi i ke bërë të gjitha këto, thua po ta ul pak, ta ka thënë pikërisht një nga mediat më të ndritura bashkëkohore. Se është si ai sadisti që të mban nën dyllin e nxehtë të qiriut, që ti thuash faleminderit kur ti se torturon më. Si në çdo akt tjetër të jetës tënde, në një përjashtim të vogël, edhe këtu je kopjac. Je kopjac i Enver Hoxhës.
Sadizmi politik ishte sistemi që mbante Enver Hoxha për të terrorizuar shqiptarët. Sadizmi politik dhe ekonomik, shoqëruar me propagandën e shfrenuar të një mendje të shthurur e cila shprehjen e vërtetë e ka në biseda si këto, ku nuk përmbahesh dot, jo nga ato që planifikon e merr qetësues para se të vish në sallë, janë vegla jote për të nënshtruar mendjet e lira dhe për të zhvendosur boshtin e një shoqërie nga normaliteti, nga edukata familjare, nga respekti i ndërsjellt për kundërshtarin politik nga dialogu me të vartësit, tek anormaliteti, tek banaliteti. Tek vartësia pa kushte, tek masakrimi i dinjitetit njerëzor të çdokujt që të ka qëndruar një rreze 50 cm ndonjëherë në jetën tënde. Dhe natyrisht demonizimi i kundërshtarit politik dhe këtu, ndonëse ke filluar siçirak, ia ke tejkaluar çdo ustai këto 30 vite.
Kjo është gjuha jote, ky je ti dhe mjafton “Google Edi Rama fjalor banal”. Kësaj ti nuk i fshihesh dot për momentin, me siguri në këtë moment zyra jote e propagandës, ministria jote e propagandës do të shikojë mënyra për ta bllokuar. Dhe në fakt me interes publik është të bllokohet sepse mirë është që kur dita jote e fundit në krye të qeverisë të vij, për të cilën po punojmë që të jetë sa më parë, shqiptarët, duke përfshirë edhe ato që sot zgërdhihen, meqë po flasim për metafora, sepse nuk qajnë dot, sepse pastaj i pret huri. Ta harrojnë këtë kapitull të shëmtuar se çfarë fjalori halabak ka pasur, po përdor një tjetër metaforë, njeriu që ka qenë në krye të punëve të këtij vendi për 8 vite. Ta harrojnë si model, si parakusht për t’iu rikthyer normalitetit. E mësove nga kriminelët që more me vete në krah për të ecur në politikë apo e solle me vete, kjo pak rëndësi ka.
Fakti është që me ta ke hyrë në politikë. Fakti është që i ke mbajtur dhe I mban në krahë, në rezidencën qeveritare, nga Tirana në Dhermi, në dreka dhe darka. Fakti është që këtë e dinë të gjithë, dhe më shumë se të gjithë, elita e PS. Profesorë, intelektualë, ekspertë të majtë, socialist, kundërshtarët tanë historikë në bindje dhe në qasje sa I përket administrimit të punëve të këtij vendi, por jo kurrsesi asnjëherë njerëz të lidhur me krimin dhe as hajdutë me çizme, që I ke zëvëndësuar me anonimë. Sepse babain ua kapte dekriminalizimi. Apo në disa raste as ke pyetur fare, por I ke sjellë këtu. Janë këtu tani, në këtë sallë, që I ke përzgjedhur në zona të mjeruara, të varfra si Fushë Kruja, jo për vyrtytet e asaj treve, por për terrorin që ushtrojnë tek banorët e pafajshëm. Apo shërbëtorë t banditëve, që nga njëra anë bën sikur  fut në atë sistemin e izolimit, por nga ana tjetër të diktojnë lejet e ndërtimit dhe gropat e ndërtimit që hapen në Tiranë për pastrimin e parave të pista, të korrupsionit tënd qeveritar dhe të trafiqeve të drogës.
Nuk e ul dot veten ti?!
Kjo ka vetëm një kuptim fizik dhe alegorik: Ske ku të biesh më poshtë. Nuk ka më poshtë, je në rrethin e nëntë të banalitetit njerëzor, të mungesës totale të integritetit, të mungesës së një fije burrërie, se të gjithë çfarë jemi mbi këtë tokë, jemi mëkatarë dhe më katojmë çdo ditë para zotit. Por të paktën njëherë në jetën tënde me sinqeitet të kërkosh ndjesë për mëkatet e tua të pafundme, si njeri në rradhë të parë dhe peshën e papërballueshme që këto mëkate kanë prej faktit se me ndihmën e atyre që ke mëkatuar, ju ke nxirë dhe vazhdon tu nxish jetën shqiptarëve.
Këto janë faktet.
Këto janë faktet që nuk fshihen dot as pas mashtrimeve të tilla si pafajësia që paske marrë zotrote nga njëfarë Manjola Bejleri, që vetting yt e ka hequr si gjyqtare të koruptuar. Ndërkohë që çështja për të cilën je paditur është edhe kjo, dhe këtë se heq dot. As Akromax jot, as ministria jote e propagandës. Është e gdhendur në raportet e Transparency Internatonal si rast tipik i kapjes së shtetit.
Po ju citoj:
Projektligji, që u bë ligj, u përpoq të kufizonte lirinë e lojërave të fatit dhe efektet e saj negative tek të rinjtë dhe familjet, duke vendosur një numër masash të tilla si: tatmi prej 25 %. Duke e kufizuar numrin maksimal të njësive, në maksimumin 500 për kompani të lojrave të fatit, duke përcaktuar që lokalet e lojërave të fatit nuk duhen të hapen Brenda 200 metrash nga institucionet fetare dhe arsimore, duke filluar nga shkurti I vitit 2016. Megjithatë, – vazhdon raporti I TI, 24 orë para seancës plenare të Kuvendit, dy deputetë, që ndriçojnë me mungesën e tyre sot, paraqitën një numër amendamentesh që e ndryshuan në mënyrë dramatike ligjin dhe lejuan zgjerimin masiv, në vend të kufizimit të lojrave të fatit në Shqipëri në 2 vitet që pasuan.
Amendamentet e ulën tatimin nga 25%, në nën 15 %. E ulën kriterin e përcaktuar të distancës, dyfishuan numrin e njësive të lojrave të fatit, duke I ulur kështu me 500 % kostot operative, dhe e shtynë afatin kohor për të përmbushur kërkesat e ligjit, – përfundon citimi I Transparency Internationa.
Dhe e gjitha kjo u bë për atë që po ndodh kudo, në çdo degë të ekonomisë, për t’ia marrë lojërat e fatit një grupi njerëzish dhe për t’ia dhënë një grupi tjetër, që sigurisht nuk ka lidhje me ty dhe as me xhepat e tu, as me xhepat e bashkëpunëtorëve të tu.
Çne? Përkundrazi!
S’ka lidhje fare me këtë. Zero lidhje.
Jo, është faji i Esmeralda Shkjaut dhe Ervin Bushatit. Ata me siguri janë përfituesit e këtij amendamenti. Por ata s’janë këtu të shprehen e të thonë të vërtetën që e di gjithë grupi yt parlamentar, që e dinë të gjithë qeveritarët e tu, që e dinë institucionet ndërkombëtare, që ky ishte një operacion tjetër për kapjen e industrisë së lojërave të fatit, I ngjashëm me “fundin e marrëzisë”.
Kjo është e vërteta.
Këto janë fakte të pakundërshtueshme.
Ky është raporti i Transparency International për çështjen për të cilën gjyqtarja e shkarkuar nga vetting, Manjola Bejleri, paska dënuar përfaqësuesin e Partisë Demokratike, se paska shpifur kundër zotrote!
Tani, ngaqë jemi prapë tek metaforat: Qëllimi yt kryesor është të bësh pikërisht atë që u përpoqe të bësh dje, të heqësh vëmendjen nga tmerri që I pret familjet shqiptare, pasi krahët e mpirë e ndërgjegja e vrarë në këtë anë të sallës (ana e grupit të PS), të ngrenë dorën dhe të miratojnë letrën e paketimit të vjedhjes më të madhe, të borxhit më të madh, dhe të shpënzimeve më harbute të një qeverie që e ka qeverisur këtë vend që nga koha e sulltan Abdyl Hamitit.
Treqind…, shiko si qeshin derrat e kënaqur, – për të përdorur një tjetër metaforë, meqë jemi tek metaforat. 338 milion euro në arbitrazh! Kush do ti paguajë?! Se ky thoshte asnjë cent, premtonte asnjë cent, ndërkohë Bechketi ka filluar ti marrë paratë, prandaj ka bllokuar, ka urdhëruar këta krahmpirët, ndërgjegjespastrarit, që të ndalojnë një të drejtë kushtetuese të opozitës, që është komisioni hetimor. Sepse në atë komision hetimor, atë që SPAK-Aspaku se ka bërë akoma, do të detyrohet ta bëjë kur të dalë që është ky dhe dy vartës të tij, shkaktarët e një dëmi që duhet të paguhet, që po paguhet, që është 120 milion euro, i barabartë me të gjithë totalin e parave që dha në të dyja gjysmë-paketat e pandemisë.
Ndërkohë që informacione që mbeten për tu verifikuar, por e them dhe njëherë, thonë që një tjetër faturë prej 125 milion euro po afron lidhur me një tjetër media. Një tjetër media që ka fituar një tjetër arbitrazh, prapë kundër këtij dhe vartësve të tij, thjesht duke treguar mesazhet e kërcënimit që I dërgoheshin pronarëve të medias për të pasqyruar linjën editorial të qeverisë, për të censuruar pra lajmin dhe për të goditur opozitën.
Do të konfirmohet apo jo, këtu do të jemi dhe do ta shohim.
113 milion euro të tjera, prapë për klubin e oligarkëve dhe 51 milion euro shtesë për shpenzimet qeveritare. Për Nusretin pra. Për Nusretin dhe për Charter-at.
Këto janë faktet dhe shifrat e buxhetit.
Do të mjaftonte një e treta e këtyre shifrave që të plotësohej amendamenti I Partisë Demokratike për të ulur tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) mbi mallrat e shportës ushqimore. Nga 20 të shkonte në 6%. Një ulje, prej 14%, e cila nëse do të funksiononte një shtet në shërbim të qytetarëve do të sillte pashmangshmërisht uljen e shumëpritur të çmimeve që rriten çdo ditë, për bukën, për vajin, për sheqerin, për orizin, për qumështin, për vezët, pra për shportën bazike ushqimore, për mbi 51% të Shqiptarëve që janë në kufijtë e varfërisë apo të paktën 30% e kusur të shqiptarëve që janë sipas Bankës Botërore zyrtarisht të varfër. Një në 3 prindër, 1 në 3 bashkëshorte, 1 në 3 bashkëshortë, 1 në 3 nëna, 1 në 3 baballarë, 1 në 3 vogëlushë që nuk përmbushin dot nevojat bazike për të ngrënë një vakt të ngrohtë apo të ftohtë në ditë. Do të mjaftonte pra, që të shkurtoheshin shpenzimet e oligarkëve 113 milion Euro dhe shpenzimet e luksit të Nusretit 51 milion Euro, do të mjaftonin dhe do të tepronin për të sheshuar efektin që do të sillte në buxhet një masë e tillë që do të lehtësonte dhe do të ndihmonte njerëzit. E çfarë mund të bëhej me paratë e tjera, që do s’do po i paguan dhe do të vazhdojë ti paguajë si rezultat i gojës së shthurur dhe i epshit të shfrenuar për pushtet personal, jashtë kushtetutës, jashtë ligjit, jashtë çdo rregulli që ja njeh republika kryeministrit të Shqipërisë. Po ju them unë se çfarë mund të bëhej, mund të jepej një paketë subvencionesh për fermerët shqiptarë, të paktën e barabartë me fermerët e Kosovës. Nuk kam dëgjuar kryeministër të Republikës së Kosovës të përdorë fjalor të tillë. Nuk po them të shkojmë te Maqedonia e Veriut, te Kosova, vëllezërit dhe motrat tona, të një gjaku, të një kombi dhe të një shteti që sapo ka kapërcyer në dekadën e dytë të ekzistencës së tij dhe prapë se prapë arrin të subvensionojë me të paktën 100 milion euro fermerët e vet. Dhe si rezultat prodhimet e tyre nuk derdhen rrugëve, as nuk dergjen shesheve fermerët në vend që të punojnë tokën dhe të gëzojnë frytet e punës së tyre. Përkundrazi, produktet e tyre shiten në mënyrë konkurruese në tregun e Kosovës dhe arrijnë madje të konkurojnë edhe në tregun e Shqipërisë. Çfarë tjetër mund të bëhej me këto para për të përndjekurit politikë, për pronarët e ligjshëm të cilët i ke shpronësuar për herë të dytë njësoj si në kohën e sadistit numër 1, Enver Hoxha. Çfarë mund të bëhej për mjekësinë shqiptare që e ke futur në kolapsin më të madh në 30 vite dhe që refuzon ta shikosh. Ndonëse fati na ka sjellë të dy brenda një kohe jo fort të gjatë aty ku prehen të afërmit tanë dhe ke parë se si parcelat e reja të vdekjeve nga COVID-i vërtetojnë atë që FMN-ja ta ka thënë botërisht që për shkak të neglizhencës, për shkak të mungesës minimale të njerzillëkut dhe dhembshurisë ke mbi 16 mijë të vdekur më shumë se mesatarja krahasuar me vitet më para që ti i fsheh siç fsheh apo përpiqesh të fshehësh mjerimin e përditshëm të shqiptarëve me banalitetin tënd dhe përpjekjen tënde për ti futur grepin opozitës me dërdëllima si ajo që sapo bëre. Por unë skam ndërmend ta kap këtë temë prej këmbësh.  Të ka kapur ai që të ka sjellë prej thonjsh e prej këmbësh, e me thonj e kthetra po vazhdon ti heqësh edhe lëkurën shqiptarëve. Unë Insistoj se demi duhet kapur prej brirësh, se rruga e vetme që buxheti i shqiptarëve ti shërbejë shqiptarëve është që at që e hartojnë këtë buxhet dhe ata që kanë përgjegjësinë për ta miratuar këtë buxhet të mos jenë të burgosur të villnetit të një grushti oligarkësh dhe kriminelësh siç është pseudoshumica e masakrës zgjedhore të 25 Prillit. Dhe për këtë, sigurisht, që ne nuk i kemi votat, por ne e kemi vullnetin, ndaj jua kemi sjellë projektin. E keni mbi tavolinë. Vetringun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vettingun e policëve, vettingun e noterëve, ndonjë ditë do të na sjellësh dhe vettingun e barinjve këtu. Pse nuk e pranon vettingun e politikanëve? Është rruga e vetme për të ndarë fjalët, dërdëllimat, propagandën, pas të cilës fshihet hajdutëria dhe shoqëria me kriminelët, llumin e shoqërisë nga veprat, nga dhembshuria për këta njerëz dhe nga përgjegjësia që mund ta kesh të paktën njëherë të hysh në rekordet historike, që njëherë në 8 vite kryeministër, një herë more një vendim për hallet të njerëzve dhe për hir të njerëzve. Votoje vettingun në politikë. Çliroji një pjesë të atyre që janë këtu dhe pjesën më të madhe të partisë tënde që i ke futur në burgjet dhe kafaz të kriminelëve, shkëputu një herë nga oligarkët dhe ligjet me porosi të tyre që sjell në këtë kuvend, por që ta bësh këtë duhet ti bindesh një gjykimi të vërtetë, të pavarur, të cilin edhe një herë të ftoj ta votosh madje me stimulimin që për herë të parë dhe të fundit kontrolli të nisë nga kryetari i opozitës. Vetëm atëherë mund të dalësh para shqiptarëve dhe të thuash që ato që po thua janë të vërteta dhe ato që po bën janë të gënjeshtërta.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY