“E kam të pamundur të harroj Nënë Terezën. Ajo më shtriu dorën dhe më dha mundësin t’i ikja varfërisë dhe të jetoja një tjetër fat në Angli. Kam lindur në Kalkutë në vitin 1977, edhe pse nuk e di datën e saktë kur erdha në jetë, madje nuk di se cilët janë prindërit e mi të vërtetë. Ata më braktisën foshnje dhe më lanë në duart e murgeshave”, rrëfen Lewis.
Ai tregon se duke qenë i sëmurë me poliomelit dhe njëherësh i paralizuar, supozon se nuk e donte njeri.
“Deri këtu jeta ime ju duket e pafat, ndërsa unë personalisht e quaj veten njeri me shumë fat sepse Nënë Tereza mori përsipër të kujdesej për mua. Shtëpia e Shishu Bhavan ishte plot me dhoma dhe fëmijë që donin përkujdesje. Nënë Terezën nuk e shihja çdo ditë pasi agjenda e saj ishte shumë e ngarkuar, por ajo gjithmonë sigurohej të shihte fëmijët e saj. Çdo të diel na vishte me rrobat tona më të mira dhe na merrte të dëgjonim meshën ku predikonte”, kujton sot Gautam Lewis.
Ai, vetëm tetë vjeç ishte i paralizuar dhe rrëfen se puna e motrave me të ishte dyfish e vështirë.
“Unë isha thuajse i kërrusur nga sëmundja dhe Nënë Tereza më dukej shumë e gjatë, edhe pse në trup ishte tepër e imët. Por hija e saj dukej si mburoja ime. Fliste ëmbël me një theks anglez. Kurrë nuk e kam parë të bërtiste”, thotë ai.
Kujtimet e Leëisit në Kalkutë si fëmijë jetim ishin të tmerrshme. Ai thotë se ishin ditë të errëta e të vetmuara. Në atë kohë madje, për një periudhe gjashtëmujore i ikën fjalët kur askush nuk interesohej për ta adoptuar. Nënë Tereza i siguroi djalit një psikolog. Pas kësaj çeli një dritë në fund të tunelit.
“Në jetën time kam tri nëna: atë biologjiken, Patrician, gruan që më adoptoi atëherë kur më pak e prisja dhe sigurisht Nënë Terezën. Nuk do të isha gjallë nëse jeta ime nuk do të ishte kryqëzuar me to”, deklaron ai.
Gautam Lewis u adoptua në vitin 1985 dhe së bashku me nënën e tij Patricia u shpërngul në Angli ku mori trajtimin e duhur mjekësor dhe edukimin. Sot, Leëis ka diplomë universitare për biznes, gëzon statusin e pilotit të kualifikuar dhe mbi të gjitha është themelues i një shkolle në Britaninë e Madhe për pilotët me aftësi të kufizuara.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/