Gjykata Kushtetuese mblidhet sot në orën 10.00 për të shqyrtuar zgjedhjet e 30 Qershorit pas marrjes së opinionit final të Komisionit të Venecias.
Në opinionin paraprak të ekspertëve të Venecias thuhet se bojkoti i partive politike nuk përbën arsye ligjore që të vihet ne pikëpyetje periodiciteti i zgjedhjeve që sipas kushtetutës mbahen çdo 4 vjet.
Zgjedhjet lokale të qershorit 2019 u paditën në Kushtetuese nga shoqata e bashkive të drejtuar nga Voltana Ademi. Ata kërkuan pavlefshmërësinë e zgjedhjeve lokale, me argumentin se Presidenti i Republikës e anuloi dekretin për mbajtjen e tyre, ndërsa opozita i bojkotoi.
Njoftimi i Gykatës Kushtetuese:
“1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.”.
Si është njoftuar më parë, në seancën plenare publike të datës 23.06.2021, Gjykata, në bazë të nenit 44/b të ligjit nr. 8577/2000, ka vendosur të pezullojë gjykimin e kësaj çështjeje dhe të kërkojë amicus curia nga Komisioni i Venecies.
Në datën 18.10.2021, ora 15:54, në rrugë elektronike, Komisioni i Venecies i ka dërguar Gjykatës Opinionin amicus curiae “Mbi kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të zhvilluara në datën 30 qershor 2019” (në gjuhën angleze dhe franceze), i miratuar në Sesionin e 128-të të tij, datë 15-16 tetor 2021 (Dokumenti CDL-AD(2021)026).
Për sa më sipër, Gjykata e mbledhur menjëherë vlerësoi se duhet të rihapet seanca plenare publike, pasi me ardhjen e Opinionit amicus curiae ka rënë shkaku i masës së pezullimit të shqyrtimit të çështjes.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese,
V E N D O S I:
– Konstatimin e rënies së shkakut të masës së pezullimit të çështjes nr. 7 (S) 2019 të Regjistrit Themeltar.
– Rihapjen e seancës plenare dhe caktimin e saj në datën 02.11.2021, ora 10:00.
– Njoftimin e pjesëmarrësve në gjykimin kushtetues për datën e zhvillimit të seancës plenare.
– Dërgimin menjëherë të një kopjeje të opinionit zyrtar amicus curia pjesëmarrësve në gjykimin kushtetues.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/