12 pacientë janë nxjerrë të gjallë nga spitali Covid në Tetovë, i cili mbrëmjen e djeshme u përfshi nga flakët, raportojnë mediat maqedonase.
Të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën dhe u dërguan në institucionet e tjera shëndetësore, përfshi edhe Qendrën Klinike në Shkup.
Ndërkohë nga kjo tragjedi numri i viktimave ka arritur në 14, konfirmuar nga Prokuroria e shtetit.
Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë së Veriut thotë se për zbardhjen e ngjarjes janë angazhuar 5 prokurorë.
“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë për Punë të Brendshme, inspektimi filloi menjëherë. Prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur në zjarr, dhe po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë.
Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit”.
Në të njëjtën kohë, u dha urdhër për të siguruar pamje të video-mbikëqyrjes brenda dhe përreth objektit. Inspektimi do të vazhdojë edhe sot, dhe prokurorët publik, së bashku me ekspertët e MPB-së, do të japin provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike”, bëhet e ditur në njoftimin e Prokurorisë. a.b





