Shpërthime në aeroportin e Kabulit, 13 viktima. SHBA e lajmëroi një ditë...

Shpërthime në aeroportin e Kabulit, 13 viktima. SHBA e lajmëroi një ditë më parë

69
0
Shares

Zyrtarët amerikanë besojnë se grupi ISIS-Khorasan ishte pas sulmit të së enjtes në aeroportin e Kabulit, tha një burim i njohur me çështjet e Afganistanit në Kongres.

Një burim i dytë i qeverisë amerikane i njohur me aktivitetet e inteligjencës tha se ndërsa qeveria amerikane është ende duke bërë hetime, sulmi në aeroport ka “të gjitha shenjat” e një sulmi të ISIS-Khorasanit.

Sekretari i Shtypit i Pentagonit, John Kirby tha të enjten se shpërthimi në Hyrjen Abbey të aeroportit të Kabulit ishte pjesë e një sulmi kompleks që rezultoi në viktima dhe se ka patur të paktën një shpërthim tjetër në ose pranë hotelit Baron që ndodhet pranë aeroportit.

“Ne mund të konfirmojmë se shpërthimi në Hyrjen Abbey ishte rezultat i një sulmi kompleks që rezultoi në një numër viktimash amerikane dhe civile,” shkroi Kirby në Twitter.

Agjencia Reuters citon një zyrtar taleban të ketë thënë se të paktën 13 persona u vranë në shpërthim, përfshirë fëmijë, dhe shumë roje talebanë u plagosën.

Shpërthimet ndodhin ndërsa vendet perëndimore po përpiqen të evakuojnë njerëzit pas marrjes së Afganistanit nga talebanët.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s Jen Stoltenberg i dënoi dy shpërthimet në aeroportin e Kabulit si një “sulm të tmerrshëm terrorist” që kishte në shënjestër afganët e dëshpëruar që përpiqeshin të largoheshin nga vendi dhe përpjekjet e aleancës për t’i evakuuar ata nga Afganistani.

Jens Stoltenberg tha në Twitter pas shpërthimeve të enjten: “Unë dënoj me forcë sulmin e tmerrshëm terrorist jashtë aeroportit të Kabulit. Ngushëllimet e mia për të gjithë të prekurit dhe të dashurit e tyre. Prioriteti ynë mbetet të evakuojmë sa më shumë njerëz sa më shpejt të jetë e mundur”.

Njoftimi vjen ndërsa qeveritë perëndimore paralajmëruan të enjten mbi rrezik për një sulm terrorist në aeroportin e Kabulit në Afganistan. Zyrtarë u kërkuan njerëzve të mbledhur në këtë zonë, që të zhvendosen në një vend të sigurt.

Në një deklaratë të Ambasadës Amerikane në Kabul thuhej se “për shkak të kërcënimeve mbi sigurinë jashtë portave të aeroportit të Kabulit, shtetasit amerikanë këshillohen që në këtë kohë të shmangin udhëtimet drejt aeroportit, përjashtuar rasteve kur marrin udhëzime individuale nga një përfaqësues i qeverisë amerikane për ta bërë një gjë të tillë”. Po kështu zyrtarët e ambasadës u kërkuan “amerikanëve të mbledhur në portat e aeroportit, që të largohen menjëherë”.

Ministri i Forcave të Armatosura Britanike James Heappey tha për radion BBC se “ka njoftime tejet të besueshme për një sulm të afërt”.

Departamenti australian i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë paralajmëroi gjithashtu për një “kërcënim të lartë e vazhdueshëm terrorist”.

Ndërkohë kryeministri belg Alexander De Croo tha se qeveria e tij u dha fund operacioneve të evakuimit pasi dëgjoi nga Shtetet e Bashkuara e burime të tjera, për një sulm të mundshëm.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përsëriti të mërkurën se Shtetet e Bashkuara shohin një kërcënim të mundshëm në Afganistan nga një grup i lidhur me Shtetit Islamik.

Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara “po operojmë në një mjedis armiqësor, në një qytet dhe vend tashmë të kontrolluar nga talebanët, me mundësinë shumë reale të një sulmi nga ISIS-K. Ne po marrim çdo masë paraprake, por situata është shumë e rrezikshme”.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar të vazhdojnë përpjekjet për të evakuuar nga Afganistani shtetasit amerikanë, ata që janë të pajisur me karta jeshile, aleatët si dhe afganë të tjerë në rrezik nga grupi taleban, edhe nëse kjo përpjekje do të kërkojë tejkalimin e afatit të vendosur për tërheqjen e trupava amerikane nga Afganistani, që është 31 gushti.

Nuk ka “afat për evakuimin e amerikanëve dhe afganëve që duan të largohen pas 31 gushtit”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur të enjten se që nga 14 gushti, Shtetet e Bashkuara kanë evakuuar ose ndihmuar në evakuimin e rreth 95,700 personave me avionë ushtarakë amerikanë e të koalicionit. VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY