Është arrestuar sot në Kavajë prokurori i Kukësit Edmond Karriqi dhe shoferi i tij. Nga detajet e mbërritura deri më tani, mësohet se prokurori ka qenë në vëzhgimin e SPAK dhe akuzohet për korrupsion.
Ndërkohë burime të bëra me dije nga grupi hetimor, zbulojnë se Karriqi ka qenë nën hetim dhe përgjim të vazhdueshëm nga SPAK për përfshirjen në grupe kriminale të drogës.
Në momentin e ndalimit, prokurori ka qenë së bashku me shoferin e tij në një shëtitore në Kavajë, ndërsa mësohet se më parë policia ka bastisur shtëpinë e tij për të kontrolluar edhe pse prokurori nuk ishte i pranishëm.
NJOFTIMI I SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka zhvilluar hetime në kuadër të proçedimit penal nr.49/1 viti 2021, që bën fjalë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 319 e 25 dhe 319/ç të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Edmond Kariqi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, ka kërkuar dhe ka marrë përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të favorizuar disa persona nën hetim, të cilët kanë qënë duke u hetuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kukës.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.46, datë 30.06.2021 18 Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur. Caktimi ndaj shtetasit Edmond Kariqi të masës së sigurimit personale shtërnguese “arrest me burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve te tjere te drejtesise” te parashikuar nga neni 319/ i Kodit Penal.
Caktimi ndaj shtetasve Isuf Gega, D.D dhe E.B të masës së sigurimit personale shtërnguese “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjere te drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 30.06.2021 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj shtetasve Edmond Kariqi dhe Isuf Gega. Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/