Presidenti kthen ligjin për rentën, hilja e Kuvendit me zëvëndësimin në ligj...

Presidenti kthen ligjin për rentën, hilja e Kuvendit me zëvëndësimin në ligj të fjalës mineral me mineral i thatë

157
0
Shares
Foto Ilustruese

Presidenti i Republikës i ka kthyer Kuvendit ligjin për rentën minerare, një ligj që i rishkrua nga Kuvendi dhe u paraqit serish për dekretim në një kohë shmuë të shkurtër nga rrëzimi i ligjit të parë.

Sipas Kreut të Shtetit, ky ligj është miratuar në mungesë të transparencës dhe pa një konsultim publik ndërkohë që argumentohen plot hiel të ligjvënësit për të favorizuar një grup të ngushtë biznesesh në këtë industri.

“Ky ligj është hartuar, propozuar, shqyrtuar dhe miratuar në kundërshtim me parimet dhe të drejtat themelore që parashikohen në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; pa një konsultim publik gjithëpërfshirës; pa transparencë; i diktuar jo për plotësimin e nevojave reale të sektorit minerar, por për favorizimin e subjekteve të caktuar që operojnë në këtë fushë, si dhe nuk përmbush pritshmëritë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për një shfrytëzim objektiv të pasurisë kombëtare që i takon të gjithëve, duke cenuar kështu, të ardhurat në buxhetin e shtetit, e rrjedhimisht me ndikim negativ në mënyrën se si përfitohen e përdoren të ardhurat e gjeneruara nga pasuria kombëtare minerare për mbulimin e nevojave të qytetarëve”.

Hilja e Kuvendit me zëvëndësimin në ligj të fjalës mineral me mineral i thatë

Presidenca ka argumentuar ndër të tjera se pse është një favorizime për një grup biznesesh ligjin ë fjalë i cili kërkon përvecse heqjen e rentës për një kategori minerales të përpunuara por ndërkohë kërkon që llogaritja e rentës të bëhet mbi mineralin e tahtë, një koncept i ri i futur nga ligji pa një studim shkencor dhe ligjor dhe në funksion të favorizimit të mëtejshëm të industrisë në kurriz të zonave ku nxirren këto minerale.

Pjesë nga argumenti i Presidencës:

Kështu, është sjellë koncepti i “mineralit të thatë” i cili nuk përkufizohet, por sillet si sqarim në përkufizimin e bërë në pikën 23, të dispozitës në fuqi, që përcakton:
“23. “Rentë minerare” është përqindja e vlerës së mineralit të shitur, që i paguhet shtetit ngazotëruesi i lejes minerare, si kompensim për zvogëlimin e burimeve minerare.”

Tashmë sipas propozimit të ekzekutivit dhe miratimit të legjislatorit ky përkufizim është

parashikuar të jetë: “23. “Rentë minerare” është përqindja e vlerës së mineralit të thatë të shitur, që i paguhet shtetit nga zotëruesi i lejes minerare, si kompensim për zvogëlimin e burimeve minerare.”

Por ky ndryshim nuk mund të shihet i shkëputur nga përkufizimi i pikës 4, të nenit 2, të ligjit aktual i cili përcakton se: “Mineral” është çdo substancë e dobishme, që ndodhet në trajtë natyrore, mbi ose nën sipërfaqen e tokës, në ujë ose nën ujë, e formuar prej proceseve gjeologjike, përjashtuar naftën, që është në gjendje të lëngët, gazin natyror që është në gjendje të gaztë dhe ujërat.” Pra, përveç faktit se ndërhyrja me një koncept të ri duhet të vijë së bashku me shpjegimin e përmbledhur e shkencor për të, ai gjithashtu duhet të ndërveprojë me parashikimet ligjore të vetë ligjit.

Në rast se ligji nr. 65/2021, do të hyjë në fuqi sipas aktit të miratuar brenda ligjit me ndryshime, do të kemi konceptin e termit “Mineral” të përkufizuar më vehte, si dhe konceptin e termit “mineral i thatë”, brenda një termi tjetër tjetër të përkufizuar.

Përveç kakofonisë së termave dhe teknikës së koklavitur legjislative, në fakt në praktikë, me shumë të drejtë, institucionet e ngarkuara me zbatimin e ligjit mund të gjenden me dashje ose jo, në situata të paqarta të trajtimit ligjor të çështjeve që do t`u lindin për zgjidhje, sa i përket kuptimit të secilit prej këtyre termave, që lidhen pandashmërisht edhe me vetë konceptin e “rentës”. Duhet rikujtuar se kjo taksë është e një rëndësie tepër të veçantë për sa kohë që burimet natyrore janë të parinovueshme, edhe terminologjia e përdorur duhet të jetë shumë e qartë.

Taksimi i rentës vetëm në një “material të thatë” (siç lihet të kuptohet nga ndërhyrja e bërë), do të sillte për rrjedhojë një të ardhur më pak në buxhetin e shtetit, duke konsideruar se në masë ky material duhet të jetë më i vogël se materiali i parashikuar në pikën 4, të nenit 2, të ligjit aktual.

Kështu efekti ekonomik në buxhetin e shtetit do të ishte ndjeshëm i ulur dhe duke analizuar peshën dhe rëndësinë që ka kjo taksë për këtë buxhet, dhe efektin që kanë në mjedis këto lloj operacionesh industriale, arrihet nën konkluzionin se, parashikimi jo vetëm që ka ndikim të konsiderueshëm në financat publike të shtetit, por për pasojë edhe cenon haptazi interesin publik të shtetasve shqiptarë, të cilët ligjërisht gëzojnë të drejta mbi pasuri kombëtare minerare të nën dhe mbitokës.

Sigurisht, interesi publik në këtë kuadër prevalon përpara cilitdo interesi, të cilitdo subjekti privat që operon në këtë treg, i cili duhet thënë që kur është pajisur me leje apo licencë për shfrytëzim të pasurisë kombëtare minerare, e ka patur të qartë se për çfarë lloj minerali, dhe në çfarë gjendje kimiko-fizike ai do të taksohet, dhe është i detyruar të paguajë sipas regjimit fiskal në fuqi.

Ndërkohë që sot, pavarësisht efekteve të drejtpërdrejta që mund të ketë në gjendjen financiare të këtyre të fundit (përmirësim i kushteve edhe të punës, rritjen e punësimit, përmirësimin e likuiditeteve, etj.), pasoja që do të sjellë cenon pikërisht plotësimin e nevojave të shtetasve dhe shoqërisë në tërësi, të drejtën për marrjen e shërbimeve cilësore, aplikimin e investimeve të duhura, sigurimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm, dhe jo vetëm.

Ky propozim mbi përllogaritjen e rentës në kuptim të pikës 2, të nenit 40, të ligjit aktual përbën edhe një cenim të interesave të drejtpërdrejta të njësive të qeverisjes vendore të cilat, në kuadër të parimit të decentralizimit ruajnë të drejtën kushtetuese për paprekshmërinë e financave të tyre për të cilat rezervojnë të drejtën për t’i shfrytëzuar dhe përdorur për shërbimet e komunitetit që i përket.

Edhe nëse propozimi, ashtu sikurse është argumentuar, vjen si zgjidhje e problematikës së hasur në zbatim të legjislacionit në fuqi, gjithsesi parashikimi i miratuar nuk e rregullon aspak situatën, por në fakt krijon hapësira ligjore për abuzim nga organet shtetërore të ngarkuara për zbatimin e ligjit, ku sipas vullnetit të tyre, një herë mund të aplikojnë përkufizimin e ligjit dhe një herë tjetër ndërhyrjen shtesë të bërë përmes ligjit nr. 65/2021, duke përfshirë dhe termin “të thatë”, për lehtësim fiskal sipas rastit.

Paralelisht me këtë situatë, është për t`i sjellë në vëmendje Kuvendit se përkundrejt këtij burimi të ardhurash, Kuvendi i Shqipërisë ka ndëhyrë me lehtësime edhe përmes ligjit nr. 151/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare” të ndryshuar”, duke ceduar tek e drejta që ka shteti dhe rrjedhimisht shoqëria për të vjelë e për të përfituar nga të ardhurat që i takojnë nga një pasuri kombëtare.

Kujtojmë se, nga shqyrtimi i praktikës parlamentare mbi propozimin, shqyrtimin dhe miratimin e ligjit nr. 151/2020, rezultoi se, ai kishte si qëllim përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare (ferrokromi, koncentratet e kromit dhe të bakrit), nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në fund të vitit 2023 (pra për 3 vjet), dhe aplikimin e normës së rentës minerare në masën 1/3, për vitin 2024 e në vijim.

Edhe ligji nr. 151/2020, u konstatua nga Presidenti i Republikës me problematika të theksuara në raport me parimet kushtetuese, pasi trajtonte në mënyrë preferenciale dhe favorizuese një dege të industrisë minerare në raport me degët e tjera. Për këtë e shumë arsye të tjera, ligji nr. 151/2020 është kthyer për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës, përmes dekretit nr. 11912, datë 11.01.2021, ku Presidenti ka parashtruar në mënyrë shteruese problematikat që paraqiste ky ligj dhe që evidentohen edhe në ligjin nr. 65/2021, objekt shqyrtimi.

Në këtë mënyrë, Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë angazhohen për herë të dytë brenda një periudhe 6 mujore, vetëm e vetëm për lehtësimin dhe favorizimin sërish të një sektori të veçantë të industrisë minerare.

Duke mos kuptuar shqetësimin real të ekzekutivit ndaj një takse të kësaj natyre, e cila ka një vlerë të konsideruar në buxhet dhe për rrjedhojë edhe sjelljen e vazhduar të qeverisë për të ulur përfitimet shtetërore nëpërmjet parashikimeve ligjore të miratuara, është momenti që Kuvendi i Shqipërisë që do të fillojë të ushtrojë mandatin në shtator 2021, duhet ta vlerësojë me seriozitet këtë çështje përmes mekanizmave parlamentarë, me qëllim që të evidentojë, pse jo dhe të hetojë, cilat janë arsyet reale klienteliste, që e kanë shtyrë apo diktuar qeverinë apo/dhe Kuvendin e Shqipërisë në ndërmarrjen e nismave të tilla që cenojnë vazhdimisht interesin publik dhe financat e vendit, cilët janë përftituesit realë, dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale në rast se konstatohen elementë të veprave penale të shpërdorimit të funksionit publik. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY