Bashkepunetorë të “Fiks Fare” kanë publikuar sone pamje të manipulimit të votave dhe votuesve në Dibër, jo nga ndonjë zyrtar i partisë por nga vetë vëllai i kandidatit.
Ata shkuan në farmacinë e vëllait të Muharem Ramës në Dibër, pasi kishin informacion se jepeshin lekë në këmbim të votës. Gjatë bisedës, vëllai i kandidatit Rama i kërkon qytetarit listën e votuesve që kishte me vete, ndërkohë që në ato momente, aty vjen dhe vëllai tjetër i kandidatit, Nehat Rama.
Pas një bisede të shkurtër me të dhe teksa shohin listën, Nehat Rama i kërkon qytetarit që të kthehej pas 15 minutash. “Shkoni tek radiologjia këtu, ose shkoni pini ndonjë kafe ku të doni e pastaj ecni, Të bëjmë një konsultë, kush do ua japë. A mirë? Dhjetë minuta a një çerek ore, mirë”, i drejtohet vëllai i kandidatit qytetarit të interesuar për para.
Qytetari kthehet pas 15 minutash, ku takon sërish Nehat Ramën, i cili i cakton një takim për të nesërmen në mëngjes. “Do shkosh e takojsh Ilir Venecin, mirë atje do shkojsh, do i thuash të çoj Nehati, mirë. Më çoi Nehati i thuaj. Ai të mbaron punë mirë se ai e ka atë zonë”, shprehet vëllai i Muharrem Ramës.
Qytetari paraqitet një ditë më vonë dhe gjen një koleg të vëllait të kandidatit, i cili i kishte thënë që të takonte një koordinator të PS-së. Qytetari u takua me koordinatorin e PS-së në rrugë dhe i ka thënë që do e telefononte një person që ka zonën. Gjatë bisedës telefonike, koordinatori është shprehur se nuk japin para, por mund të bisedojnë për ndonjë vend pune pas zgjedhjeve.
Por, veç bisedave për blerjen e votës me shtabin elektoral dhe të afërmit e kandidatit, Fiks Fare bisedoi edhe me banorë në zona të ndryshme të Bashkisë Dibër. Ata u treguan gazetarëve të emisionit investigativ se të dyja forcat politike kanë ofruar para në këmbim të votës. Ata shpjegojnë se shumat janë të ndryshme, ku e majta ofron euro, ndërsa eë dajthta lekë. “Familje shumë të varfra, ose pa nivel, shiten për 10-20 mijë lekë të vjetra, ose një torbë miell”, rrëfen një nga banorët e Sllovës. Një banor tjetër tregon se PS ka ofruar edhe 5 mijë lekë të reja për votë.
Nga ana tjetër, Fiks Fare solli edhe atmosferën e ditës së zgjedhjeve, kur në disa raste në fshatra të Dibrës nuk mungoi votimi kolektiv. Emisioni transmetoi disa raste në fshatrat Sllovë, Rrënxë dhe Muhur, ku 2-3 veta votojnë bashkë, ndërkohë që vëzhguesit thonë se gruaja bën çfarë i thotë burri, duke e cilësuar këtë veprim si diçka e zakonshme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/