Komente të tjera për Dibrën nga kampi i Ramës: Versioni i Ngjelës...

Komente të tjera për Dibrën nga kampi i Ramës: Versioni i Ngjelës dhe Carlo Bolinos

67
0
Shares

Dy analiza të reja kanë mbërritur sonte në lidhje me zgjedhjet në Dibër, duke shpjeguar deri në fund ato që nuk i tha Edi Rama tek postimi i tij i sotëm me titull “Falimenderit”.

Ata janë aleati i qeverisë, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela dhe botuesi dhe biznesmeni Carlo Bolino, që së fundi spostoi nga tavolina e Ramës edhe Koco Kokëdhimën.

Spartak Ngjela:

Sigurisht që janë disa arsyet kryesore të humbjes së thellë të Berishës në Dibër.

E para është se shëmtimi Berisha nuk mund të ketë më mbështetje në Shqipëri. Ishte ky shëmtim që u dallua qartë nga të gjithë shqiptarët në këtë muaj të fundit, dhe u përbuz prej tyre. Shëmtimi Berisha vjen nga filozofia e tij totalitare e armikut.

Arsyeja e dytë është analiza vetiake e dibranëve për provat e korrupsionit Berisha, gjatë kundërvënies që i bëri ai politikës amerikane për të bllokuar Reformën në Drejtësi në Shqipëri, kur ky ishte kusht për të ardhmen europiano-perëndimore të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Arsyeja e tretë është trendi i kohës që nuk mund të pranojë më injorancën që nuk di të qeverisë por të gënjejë, për ta konsideruar “armik” kundërshtarin apo rivalin politik.

Arsyeja e katërt është se, fluksi i mediokritetit që paraqiti PD në Dibër, ishte inercia e ligësisë Berisha. Një kryetar partie kukull, që mendoi se me ligësi dhe gënjeshtëra fëminorë “kundër armikut” mund të përballej me një nga popullsitë më inteligjente të shoqërisë shqiptare.

Të katra këto arsye, që na duken racionale, krijojnë mendimin racional se Partia Demokratike nuk ka më fare të ardhme elektorale me këtë lidership. Ajo gjendet midis agresivitetit Berisha që e do të gjithë Partinë në dispozicion të mbrojtjes së taborit Berisha nga drejtësia kundër tij, dhe nga shpronësimi i gjësë së vjedhur prej tyre në tetë vjet abuzim me pushtetin. Ky agresivitet tregoi në Dibër se është i neveritshëm për popullin e thjeshtë”.

Carlo Bolino:

Vota e Dibrës ishte, natyrisht, përgjigja e bazës elektorale edhe ndaj bojkotimit prej Partisë Demokratike të reformës së drejtësisë, një bojkot i imponuar nga tmerri që familja Berisha dhe ish-drejtuesit, të cilët, bashkë me ta dhe në sajë të tyre, shpërdoruan për tetë vjet arkën e shtetit, kanë nga një drejtësi e pavarur.

Por ne besojmë se disfata e Dibrës duhet të jetë edhe një dënim publik dhe zyrtar i përdorimit sistematik të shpifjeve, që Berisha dhe njerëzit e tij i kanë transformuar në metodën e tyre të vetme të të bërit politikë, pikërisht siç bënë Stalini dhe Enver Hoxha në vitet e pushtetit të tyre. Që kur, tre vjet më parë, Partia Demokratike kaloi në opozitë, nuk ka qenë në gjendje të formulojë një propozim alternativ ndaj qeverisë, duke e bazuar të gjithë strategjinë e saj ekskluzivisht mbi shpifjen dhe kriminalizimin e kundërshtarëve të vet politikë. Por çfarë prodhuan qindra fjalimet e bëra duke u çjerrë në Parlament, duke tundur dokumenta të sajuara? Çfarë prodhuan mitingjet në sheshe ku paralajmëroheshin revolucione, që nuk do të ndodhnin kurrë? Çfarë prodhuan scoop-et false gazetareske, të paraqitura në mënyrë të përpiktë si “skandale të papara ndonjëherë”, ndërkohë që skandalet e vërteta nuk denoncoheshin kurrë? Çfarë prodhuan qindra postime të publikuara në Facebook me foto të rreme të fushave të rreme me kanabis? Çfarë prodhuan denoncimet e rreme të qytetarëve të rremë anonimë mbi abuzime të rreme dhe fajtorë të rremë? Asgjë. Ky lumë falsitetesh nuk prodhoi as edhe një votë të vetme, as sadopak mbështetje. Qytetari dixhital u mund në mënyrë bindëse nga qytetarët e vërtetë dhe këtë Berisha do të bënte mirë ta kuptonte një herë e përgjithmonë.

Duke përdorur në mënyrë të papërgjegjshme mediat e tyre (të cilat pranojnë me qejf të madh të përdoren, duke shpresuar të shpërblehen një ditë, siç ndodhi për tetë vjet me Sandrin), Berisha dhe Basha kanë bërë dhuratën më të madhe që çdo kriminel dhe çdo i korruptuar mund të shpresojë të marrë: t’i barazojnë me njerëzit e ndershëm, duke i bërë kështu të padallueshëm. Sepse, me politikën e tyre të turpshme të shpifjes, Berisha, Basha, një pjesë e mirë e Partisë Demokratike dhe të gjithë mediat e tyre, përpiqen çdo ditë t’i bëjnë njerëzit e ndershëm të njejtë me kriminelët, megjithëse e dinë mirë se vetë ky proces pervers do t’i bëjë kriminelët të duken të njejtë me personat e ndershëm”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY