Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të martën pezullimin e çdo veprimi për prishjen edhe të një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në Kombinat.
Ky është vendimi i tretë dhënë nga gjykata Administrative që pengon prishjen e ndërtimeve në këtë zonë, ndërkohë që sipas planeve të rindërtimit të qeverisë janë parashikuar të shemben 23 ndërtesa të tilla.
Banorët e pallatin nr. 145, në rrugën “Sokrat Mosko” në lagjen Kombinat iu drejtuan gjykatës pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur prishjen e ndërtesës me argumentin se objekti ka dëmtime të konsiderueshme.
Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak në shtator të vitit 2020, por në gjykatë banorët prezantuan prova dhe ekspertizë se vendimmarrja është marrë mbi fakte të pavërteta. Dëmtimet reale janë vetëm të dorës së dytë, më së shumti dëmtime të suvasë, ndërsa në aktin e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit thuhet se dëmtimet janë të rënda, duke paraqitur se vlera e riparimit të pallatit është sa 72 % e kostos së rindërtimit.
Aktet e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit janë kontestuar nga banorët e prekur dhe ky është rasti i tretë është që gjykata vendosi pezullimin e vendimeve administrative për prishjen e ndërtesës deri në gjykimin e plotë të çështjes.
Manipulimi i akteve të ekspertimit
Ka mjaftuar një akt i përciptë ekspertimi nga Instituti i Ndërtimit që një vit më vonë Bashkia e Tiranës ta vendosë ndërtesën në zonën e Kombinatit, në listën e atyre objekteve që duhet të shkatërrohet.
Banorët janë njohur me këtë Vendim vetëm kur nisën të shfaqen fadromat në Kombinat.
Banorët e zonës iu drejtua avokatëve Dorian Matlija dhe Irena Dule për të mësuar ligjshmërinë e vendimeve, por ajo që u zbulua ndoshta përbën skandalin më të madh të rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri. Akti i ekspertimit të Institutit të Ndërtimit, mbi të cilin janë marrë vendimet e Bashkisë së Tiranës, ishte i pasaktë në fakte dhe në shifra.
Në kërkesën për sigurimin e padisë së dërguar në gjykatë familjet e dëmtuara pretendojnë paligjshmërinë e vendimit të këshillit bashkiak i cili bazohet vetëm mbi aktet e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit, që sipas tyre nuk pasqyron realitetin.
” Masa e sigurisë së dhënë sot nga gjykata i jep mundësi gjykimit të vazhdojë në diskutimin e paligjshmërisë së vendimit të Këshillit Bashkiak, para se ky Vendim të ekzekutohet dhe të sjellë pasoja të pariparueshme për ta,-thotë avokatja e çështjes Irena Dule. Respublika
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/