FATBARDH KADILLI/Arbid dhe atov*

FATBARDH KADILLI/Arbid dhe atov*

129
0
Shares

Përmbys, gjithçka mbrapsht dhe përmbys. Pashë që gjithçka që kam besuar të kthehet përmbys. Pashë votën të kthehet në të kundërtën e vet dhe pashë Dibrën të shformohet. Pashë fundin e procesit politik, pashë aktin e fundit të politikës. Në Dibër pashë një garë mes politikës dhe jopolitikës.

Gjithkujt që mund t’i duket si justifikim për një humbje, apo si shpjegim i sforcuar i një situate politike të pafavorshme të Partisë Demokratike, e ftoj të gjykojë pa u ngutur edhe pse duhet të dridhej nga ushtima e kambanës që njoftoi vdekjen e procesit politik. Një garë politike, mes palësh politike, ka elementet dhe faktorët politikë.

Ka aksion, ka moral, ka projekt, ka profile që e interpretojnë propozimin politik, ka strukturë, ka fushatë, ka momentumin e favorshëm të brendshëm e të jashtëm, ka kontekstin tradicional dhe atë historik. Në të gjitha këto, por në të gjitha, pa asnjë hezitim, në garën e Dibrës, PD ishte superiore. PD bëri çdo gjë që është në dorë të një force politike, por përballë kishte jopolitikën.

PD nxitëse e aksionit politik që denoncon dhe mbart vlerat e demokracisë në Dibër ishte dominuese përballë një rilindje që edhe për më entuziastët e saj dje, sot po provohet të jetë një rivdekje. PD me moralin e një force politike që kërkon një garë dhe që mbart momentin e vet me pastërti shfaqet në Dibër dominuese mbi palën tjetër, e cila është dukshëm e kapur në dështime, mos mbajtje premtimesh dhe skandaleve shokuese për mbarë opinionin dibran.

PD me një projekt konkret, me propozime konkrete, përballë mungesës totale, qoftë edhe të një ideje për zhvillim nga pala tjetër. PD me një kandidat dukshëm superior përballë një profili modest që nuk e linin më as të fliste nëpër takime dhe nuk pati as edhe pesë fjalë rresht në sinkronet e përgatitura për ekran. PD me strukturë të unifikuar dhe të tonizuar e të drejtuar gjatë fushatës nga kapacitetet më të mira politike përballë palës tjetër të përçarë dhe në rivalitet të shpallur.

PD dhe kandidati me fushatë intensive në gjithë territorin e Bashkisë pati në Dibër përballë një fushatë tërësisht anemike, deri inekzistente nga pala tjetër. PD e bashkuar pas humbjes për herë të parë vjet në 25 vjet në Dibër, rezultat i përçarjeve, pati përballë të majtën politike nën efektet shokuese të skandalit Shukri. Tek e fundit, PD në territorin e vet tradicional dhe historik dhe e majta që nuk ka njohur asnjë fitore në këtë territor, as në momentet e veta më të favorshme në nivel nacional.

Kushdo që do ta sfidojë këtë listim krahasues faktorësh duke qëmtuar defekte te PDja, duhet të ketë ndershmërinë të pranojë që defektet e natyrës politike nuk mund të jenë më efekte tërësisht devastante te kundërshtari dhe tërësisht pozitive te vetja. Të gjithë faktorët e listuar të provojnë se mjetet politike ishin në favor të PD-së. Por, gjithçka është kthyer përmbys nga mjetet jopolitike.

Nga paraja dhe blerja e votës e kthyer në një sistem sundimi dhe poshtërimi. Blerja e votës apo mjete të tjera jopolitike kanë rrethuar dhe ndikuar edhe më parë politikën dhe proceset politike.

Por ajo që dikur ishte anësore, sot është përcaktuese. Nëse dikur mjetet ekstrapolitike ishin kontorno e pjatës politike, sot ato janë mishi dhe politika është kontorno. Alarmi për sistemin politik është jo vetëm për ne që jemi në opozitë, por edhe për ata që janë në pushtet.

Gjithnjë e më shumë po rrëshqasim në një sistem ku dominimi vjen nga ekstrapolitika, ku politikani është element dekorati dhe thelbi është paraja, krimi, banda e të fortëve që e shndërron votën në etiketë çmimi, lirinë në nënshtrim, dibranin e bën çam, e zi e më zi. Kushdo që e ka menduar politikën si një mundësi e interpretimit të vullneteve të lira, e vizioneve ambicioze, nga cilido rresht apo klub politik, sot është nën gijotinë.

Sot mbase ndokush me naivitet mendon se nuk jam kalë, por këta që po vijnë kanë sistemin që do t’i tredhë edhe lepujt. Ekstrapolitika po konsolidon sistemin e saj. Dibra qe prova gjenerale e asaj që vjen në horizont. Ata politikanë të së majtës që mendojnë se po përfitojnë pushtet nga kjo martesë e tyre me krimin, ta dinë mirë se shumë shpejt do të jetë radha dhe e tyre.

Sepse krimi po i përdor ata më shumë se ata krimin. Jo vetëm PD, por e gjithë politika dhe sistemi politik janë të kërcënuara. PD duhet ta pranojë këtë sfidë dhe të marrë përsipër shpëtimin e sistemit politik, të cilin e solli në këtë vend në çastin që lindi.

Sot PD duhet të krijojë dhe të drejtojë edhe një herë si në lindjen e saj koalicionin e qytetarëve që besojnë te ky sistem politik, të krijojë dhe drejtojë koalicionin me çdo segment të politikës, me çdo individ politik që shpallet për të mbrojtur demokracinë dhe për të kthyer nga e mbara procesin politik dhe votën si shprehja më e shkëlqyer e pjesëmarrjes dhe pushtetit politik të kësaj shoqërie.panorama

*Titulli është një lexim mbrapsht “Dibra dhe Vota”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY