Policia Rrugore e Tiranës u përball dje me një situatë të rënduar trafiku, në ditën e parë të shkollës, kjo edhe për shkak të punimeve që po kryhen në disa pika kyçe të Tiranës. Kjo situatë u menaxhua për shkak të angazhimit 100 për qind të strukturave të qarkullimit, por Rrugorja kërkon një zgjidhje për kaosin e krijuar, pasi nuk mund të ketë si angazhim parësor vetëm rregullimin e trafikut.
Për këtë arsye, Komisariati i Policisë Rrugore të Tiranës i ka nisur një shkresë zyrtare Bashkisë së kryeqytetit për të bërë zhbllokimin e sheshit “Skënderbej”. Punimet që kanë nisur aty që prej datës 8 gusht, kanë vënë në vështirësi jo vetëm drejtuesit e mjeteve, por edhe efektivët e Qarkullimit.
“I kemi kërkuar edhe më parë Bashkisë që të marrë masa për lirimin e sheshit, pasi është krijuar një trafik i rënduar për shkak të bllokimit aty. Por nuk na është kthyer ende përgjigje. Dje i kemi nisur një shkresë zyrtare, nëpërmjet së cilës kërkojmë lirimin e sheshit ‘Skënderbej’”, shprehet një oficer i Policisë Rrugore.
Qarkullimi i Tiranës ka vënë dje në zbatim një plan të detajuar masash, të përpiluar enkas për fillimin e vitit të ri shkollor. Por duket se ende ka një ngërç në lëvizjen e lirë të mjeteve, për shkak të punimeve, jo vetëm në sheshin qendror të Tiranës, por edhe në disa kryqëzime e zona të tjera strategjike.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/