Shqipëria, shtet gallatë…! – Si na shohin në BE…?!

Shqipëria, shtet gallatë…! – Si na shohin në BE…?!

67
0
Shares


Shqipëria pret dritën jeshile për negociatat e anëtarësimit në BE. Tirana zyrtare ngulmon se duhet të jemi pjesë e Europës së Bashkuar pa vonesë, -sepse përfitimi është i dyanshëm, – u pëlqen të thonë zyrtarëve. Por a i plotëson vendi ynë kushtet e Brukselit? A kemi arritur pjekurinë politike që kërkohet. A kemi treguar vullnet për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës? A ka ndryshuar vërtet Shqipëria dhe si na shohin sot Europianët? Këndvështrimin e tyre EurActiv, faqja më e ndjekur e internetit në BE në lidhje me politikat europiane, e vendos vendin tonë në optikën e një grupi turistësh të huaj e shqiptarë që jetojnë në BE dhe që e vizituan Shqipërinë si turistë këtë verë.

Kur mendon të shkosh me pushime në Shqipëri, ajo që të vjen së pari ndër mend është imazhi i bukurisë së natyrës, mikpritja e njerëzve dhe ushqimi i shijshëm. Por kur mbërrin në Shqipëri, gjërat shfaqen nën një dritë tjetër. Për të mos thënë krejt ndryshe për ata që kthehen për pushime në vendlindje!
Avioni mbërrin në Rinas. Gjatë kontrollit të pasaportave, dy shqiptarë që sapo janë kthyer nga një konferencë në Vjenë më flasin për vjedhjen spektakolare të aeroportit.
“9 ditë më parë, 3 burra me maska dhe të armatosur kanë grabitur rreth 3 milion euro nga ky aeroport në 14.45 të pasdites! Ndërkohë, nuk ka asnjë shans për të gjetur paratë, se ato kanë përfunduar në xhepat  e peshqve të mëdhenj. Ata që janë arrestuar nga policia po mbahen në burg dhe sipas gjasave do të lirohen shpejt, ashtu siç ndodh zakonisht në Shqipëri!”, më thotë Agroni, që është aktiv në shoqërinë civile.
“Një grabitje e tillë nuk ka ndodhur në aeroportin kombëtar as në vitin 1997, kur Shqipëria ishte në prag të një lufte civile. Dhe kur i shton kësaj edhe grabitjen prej 7 milionë dollarësh të Bankës Kombëtare në vitin 2014, mendon: Ky është shtet gallate!”, thotë Arbeni, student në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë.
“Mos ua përkthe këtyre miqve tuaj të huaj, se do t’i erë frika. Këta kanë ardhur për natyrën tonë të mrekullueshme, nuk kanë punë me hallet tona!”, pëshpërit Arbeni.
Ky moment shënon daljen nga aeroporti edhe hyrjen në botën e çudirave shqiptare. Gjatë gjithë qëndrimit tim në Shqipëri nga 9 korrik deri më 29 gusht, u grabitën tre banka të tjera, një në Vlorë, në jug të Shqipërisë dhe dy në Tiranë, njëra prej të cilave ndodhet në mes kryeqytetit, në pjesën moderne të njohur si ish-Bllok, ku mund të vizitohet rezidenca e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Shteti nuk siguron nevojat bazike
Është ora 15:00. Jemi në qendër të Tiranës, bën vapë  dhe miqtë e mi duan të bëjnë një dush. Por në këtë orë nuk ka ujë, duke qenë se ardhja e ujit është ende e kufizuar me disa orë në ditë.
“Nuk ka ujë? Jemi në 2016 dhe një shtet kandidat për anëtarësim në BE nuk siguron ende një nevojë bazike për qytetarët? Dhe ju doni të zhvilloni destinacione turizmi në këtë vend?, thonë shokët e mi.
Detyrohemi të hapim pompën e ujit. E njëjta zhurmë e keqe që dëgjoj që në 1996, që ta bën gjumin të vështirë!”.
Më pas shkojmë të hamë në restorant, pasi ushqimi në Shqipëri të risjell buzëqeshjen. Përveç historisë së lashtë të panjohur dhe natyrës befasuese, një nga vlerat e pakontestueshme të Shqipërisë është pikërisht ushqimi dhe raporti i cilësisë me çmimin. Pas drekës së shijshme, porosisim një kafe.
“Na falni, po na ikën dritat”, thotë kamerieri.
“Mirëserdhët në Shqipëri!”, shton ai duke venë buzën në gaz, duke na dëgjuar të flasim frëngjisht. Mendoj që të shkojmë në fundjavë në Jug të Shqipërisë.
Edhe atje ankesa.
“Kufizimi i furnizimit me ujë dhe ndërprerjet e energjisë i kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm turizmit te ne”, shpjegon Ardiani, një pronar hoteli në Rradhimë, në afërsi të qytetit të Vlorës në jug të Shqipërisë.
“Dhe në qoftë se ju nuk e paguani faturat e energjisë, shteti të pret energjinë dhe mund të kesh edhe pasoja të tjera”, shpjegon ai.
Për fat të mirë, miqve të mi u pëlqeu udhëtimi me anije në plazhet më të bukura të Jugut dhe u impresionuan nga Butrinti, Berati dhe Gjirokastra, tre site të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Disa ditë më pas, shkuam në Mat për të eksploruar pjesën veriore të Shqipërisë. Atje takova disa fermerë.
“A i patë perimet dhe fruta tona? Ato janë të thata. Si mund ta punojmë ne tokën tonë, kur nuk kemi ujë? Ne paguajmë çdo muaj që shteti të na sjellë ujë dhe nuk kemi ujë rregullisht”, thotë Muharremi, i cili ka krijuar një rezervuar për ditët e këqija, që është i zbrazur në momentin që flasim.
Kur kthehemi në Tiranë, shohim, se të njëjtin shqetësim ndajnë edhe investitorë të huaj.
“Zjarrfikësi më kërkon të instaloj sistemin kundër zjarrit me një vlerë 11.000 euro, ndërkohë që ne nuk kemi ujë”, thotë Giorgio, investitor italian.
 Ilda, menaxhere e një kompanie greke nënvizon një tjetër paradoks…
“Në qoftë se ju shkoni në Gjykatë me dokumentet tuaja në Shqipëri, ju keni shanse të vogla për të fituar gjyqin. Ndërkohë, në qoftë se ju nuk keni dokumente, është shumë e lehtë t’i jepni ryshfet një gjyqtari dhe të fitoni gjyqin”, shpjegon ajo.
Të paktën, kur shkon në Theth (Veriu i Shqipërisë), mund t’i harrosh të gjitha problemet, sepse koha është ndalur në shekullin e XVI-të. Je thjesht në një botë tjetër. Thethi dhe Valbona janë patjetër dy vendet që duhet të shihen patjetër në Shqipëri.

Një ekonomi e bazuar gjithnjë e më shumë në të ardhurat e drogës
“Shqipëria është bërë një vend i kultivimit të Cannabis. Ju mund të gjeni parcela me kanabis në jug dhe veri të vendit. Të gjithë këtu e dinë se zgjedhjet mund të fitohet lehtë nga ata që kontrollojnë paratë e drogës”, shpjegon Dritani, një ish-nëpunës civil në Ministrinë e Brendshme, i cili i frikësohet një përplasjeje mes bandave të drogës përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.
Dhe ai nuk është i vetmi. Dritani flet për një regres të paimagjinueshëm të vendit në katër vitet e fundit. Ai i referohet shembullit të një mësuese në Veri, e cila punonte  në një plantacion Cannabisi gjatë verës për të fituar para të mjaftueshme për të rritur fëmijët e saj. Gazetarët si unë nuk lejohen t’u afrohen plantacioneve. Unë gjithmonë kam pyetur veten se ç’ndodh me të gjithë sasinë e kanabis që është konfiskuar gjatë këtyre viteve nga policia? Kur policia fton gazetarët për të asistuar në një operacion anti-Cannabis siç ka ndodhur në Vlorë, Shkodër, Memaliaj, Dukagjin, Pukë, kjo perceptohet nga pothuajse të gjithë kolegët më tepër si shfaqje sesa operacione të vërteta. Një burim i rëndësishëm më tregon se në disa zona, policia informon kultivuesit e Cannabis përpara çdo operacioni, për t’i  siguruar ata se gjysma e sasisë së konfiskuar do të kthehet përsëri tek ta një ditë pas.
Sipas informacionit të  shërbimeve italiane dhe gjermane botuar në një raport nga gazeta “Shekulli” më 17 gusht, ka 363 zona të kultivimit të Cannabis në Shqipëri.
Simoni, kolegu im i ABCNeës.al ka intervistuar një punëtor në një prej plantacioneve në Dukagjin, në veri të Shqipërisë. Me një zë të moduluar dhe fytyrë të pa ekspozuar, punëtori shpjegon se njerëzit punojnë në plantacione Cannabis me armë drejtuar në fytyrën e tyre.
“Kur unë kam njoftuar policinë, më kanë kërcënuar me burg”, thotë punëtori në intervistën e transmetuar në 23 gusht nga ABCneës.al.
Lexoj titujt në Iphone tim: 22 Gusht: Guardia di Finanzia ka kapur 1 ton kanabis që mbërrin nga Shqipëria! Tone kanabisi që sekuestrohen në Itali janë bërë tashmë pothuajse lajme ditore. Më 29 gusht, Shërbimi Informativ Shqiptar i ka paraqitur Prokurorit të Përgjithshëm një raport për kultivimin e Caannabis Sativa në Shqipëri, sipas të cilit disa parcela në veri dhe në jug të vendit janë të mbrojtura nga njerëz të armatosur dhe ka dyshime se në disa raste inspektorët dhe shefat e policisë bashkëpunojnë me kultivuesit e parcelave.

Ndryshim vetëm në sipërfaqe, korrupsioni dhe nepotizmi minojnë përparimin
Sa herë që unë marr një taksi më duhet 5 minuta për të shpjeguar se ku duhet të vijë shoferi, sepse rruga ime nuk mban emër. Kur arrin shoferi i taksisë,  fajëson mungesën e një sistemi të adresave administrative në Shqipëri. Ne kalojmë përpara ndërtesës së Kryeministrit dhe taksisti tregon me gisht nga Kryeministria. Për të, asgjë s’ka ndryshuar. Ndryshimi në Shqipëri është vetëm në sipërfaqe. “Kryeministri ynë është shumë i zënë duke mbajtur fjalimeve të bukura, duke hapur ekspozita për pikturat e tij në Berlin dhe Hong-Kong, duke tentuar të impresionojë Angela Merkel me shakatë e tij dhe duke paguar 80 mijë dollarë për një foto me Obamën”, thotë Eltoni, shoferi i taksisë.
Ai flet për tre shtylla të rëndësishme të një vendi…
“Situata e sigurisë është shpërthyese, sistemi shëndetësor është ku thërret qameti dhe sistemi i arsimit është përkeqësuar tepër”, thotë ai.
Një telefonatë nga një mik ndërpret bisedën tonë. Ai është përkthyes dhe shoqëron një grup investitorësh turq në një turne nëpër minierat shqiptare.
“Nga 30 milionë euro që është kostoja totale e investimit, këta tanët i kërkojnë 5 milionë euro bakshish”, më tregon Bledi në telefon.
Ndërkohë Shqipëria ka shumë nevojë për investimeve të huaja. Në shtypin shqiptar të viteve të fundit  mund të gjesh një numër të konsiderueshëm të akuzave të ngritura për tender korruptivë dhe koncesione klienteliste prej qindra milionë eurosh.
Sipas raportit të Komisionit Europian të 2015 për Shqipërinë, korrupsioni është i përhapur gjerësisht në vend dhe më shumë përpjekje janë të nevojshme për krijuar një gjurmë provash të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në të gjitha nivelet.
Më pas, Adi, një ekspert shqiptar për çështje të BE-së, më jep mendimin e tij për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjatë 2001-2013, Komisioni Europian ka këmbëngulë për tre ligje të rëndësishme për t’u miratuar përpara se Shqipëria mund të merrte statusin e kandidatit: Ligji për nëpunësit civil, ligji për Gjykatën e Lartë dhe ligji për procedurat e Parlamentit.
“Shikoni se çfarë kanë bërë me ligjin e Nëpunësit Civil. Ata kanë zëvendësuar të gjithë nëpunësit civilë dhe ekspertë me militantët”, thotë ai.
“Sa i përket Parlamentit, ne kurrë nuk kemi përjetuar një situatë të tillë me një numër kaq të madh deputetësh me precedentë penalë”, shpjegon Adi.
Sipas Gentit, një politikan shqiptar, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë luajtur një rol të rëndësishëm në miratimin e ligjit për dekriminalizimin në jetën politike në Shqipëri, që është një kusht kyç në parandalimin e kandidatëve me të dhëna penale për të kandiduar sërish për zgjedhjet lokale ose të përgjithshme. Kur ngrihet çështja e reformës në drejtësi, të gjithë kanë diçka për të thënë, pasi ajo konsiderohet nga BE-ja dhe qytetarët shqiptarë, si parakusht për luftë efektive kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe transformimin e vërtetë të vendit.
Një ish-ambasadori shqiptar në një vend të BE-së më thotë me zhgënjim, që ambasadorët e BE dhe SHBA në Tiranë ishin aq të zënë duke gjetur një fajtor për mosarritjen e konsensusit për reformën e gjyqësorit se ata nuk e kuptuan se nuk po përpiqeshin për kompromisin më të mirë për vendin.
“Në fund të ditës, kjo reformë e rëndësishme nuk do të ishte miratuar pa kontributin e Johanes Hahn, komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe negociatat e zgjerimit dhe Victoria Nuland, Ndihmës Sekretares së Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike”, më tregon ai.
Reforma e gjyqësorit, e cila në fakt është kushti kryesor për Shqipërinë për të hapur negociatat për anëtarësim në BE u miratua me konsensus në datën 22 korrik. Por ky konsensus është sfiduar sêrish me votën jo-konsensuale të Parlamentit në procesin e verifikimit të kontrollit të profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ka dyshime se kjo mund të çojë edhe në më shumë kontroll mbi sistemin gjyqësor nga ana e qeverisë.
“Proçesi i Vetingut ashtu si po bëhet pritet t’i japë më shumë fuqi kryeministrit për të kontrolluar sistemin e drejtësisë, pra më shumë presion për miqtë dhe armiqtë a tij”, shkruan Arturi, një gazetar i njohur në 360grade.al.

Shumë shqiptarë mendojnë për të emigruar në vendet e BE-së
Pothuajse çdo 500 metra në Tiranë, ka një lavazh. Te lavazhi i lagjes shoh fytyra të reja dhe pyes, se ku janë djemtë që kam parë vitin e kaluar dhe ato të një viti më parë.
“Asnjë prej tyre nuk mund të fitojnë bukën e gojës këtu. Të gjithë kanë emigruar”, përgjigjet Landi, një nga punëtorët.
“Nuk ka punë në Shqipëri. Dhe as mos bëj gafë të kthehesh!”, shton Beni, punëtor tjetër, i cili dëshiron të largohet nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur.
“Qeveria na premtoi vende të reja pune, shërbime mjekësore falas, më pak taksa, shërbime më të mira, por në fund të ditës, nuk mbajti as dhe një premtim të vetëm”, thotë Beni, i cili është përgatitur gjithashtu për të ikur në shtator.
Dhe kur unë u  shpjegoi atyre, se shqiptarët nuk kanë asnjë shans si azilkërkues në asnjë vend të BE-së, për shkak të marrëveshjeve të nënshkruara me BE-në dhe se Shqipëria konsiderohet si një vend origjine i sigurt, përgjigjja e tyre është…
“Ne do të përpiqemi. Kudo që të përfundojmë, do të jetë më mirë se në Shqipëri”.
Sipas të dhënave të Eurostat, rreth 85.000 shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së në vitin 2014 dhe 2015 së bashku. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, statistikat e Eurostat flasin 16.000 aplikime shqiptare. Por këto janë vetëm statistika ligjore. Një burim zyrtar më thotë, se vetëm në Britaninë e Madhe ka rreth 100.000 emigrantë të paligjshëm shqiptarë. /Euractiv – Përgatiti Lapsi.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY