Kur pritet që Komisioni i posaçëm i reformës në Drejtësi t’i japë fund ligjeve të mbetura, Partia Demokratike publikoi qëndrimin e saj lidhur me projektligjin e SPAK.
Projektligji parashikon që në përbërje të Njësisë së Posaçme Hetimore (NJPH) të ketë shërbime të Policisë Gjyqësore, të cilët emërohen nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera të pushtetit ekzekutiv.
Por sipas PD, “kjo bie ndesh me varësinë ekskluzive që Kushtetuta (neni 148) i ka njohur Njësisë së Posaçme Hetimore vetëm nga Prokuroria e Posaçme, dhe si e tillë bie ndesh me parimin e shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, sepse krijon premisa varësie të dyfishtë (të drejtpërdrejtë apo të tërthortë) të NJPH nga pushteti ekzekutiv”.
“Për këtë arsye, kërkojmë që çdo punonjës i NJPH, përfshirë punonjësit e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, që do të jenë pjesë e saj, të emërohen e përzgjidhen njëlloj siç parashikohet edhe për hetuesit e NJPH, nga vetë SPAK, pa asnjë ndërhyrje apo influencë nga Policia e Shtetit ose organet e tjera të pushtetit ekzekutiv. Organizimi i brendshëm i NJPH duhet të miratohet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posacme, me propozimin e Drejtorit të NJPH”, thuhet në opinionin e PD.
Sipas PD-së projektligji i jep mundësi pushtetit ekzekutiv ose organeve nën varësinë apo ndikimin e tij (ILDKPKI, DSIK), që të pengojnë/ndërhyjnë në mënyrë të pakontrolluar dhe disproporcionale, në përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatave/Prokurorive të Posaçme, hetuesve të Njësisë së Posaçme Hetimore, si dhe punonjësve të tjerë të këtyre organeve kushtetuese.
“Pëlqimi i institucioneve të kontrolluara nga ekzekutivi si conditio sine qua non për emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve, apo punonjësve të tjerë të Gjykatave të Posacme dhe të SPAK minon haptazi pavarësinë dhe mosndikimin që kjo strukturë duhet të ketë si prerogativë të ekzistencës së saj, sipas nenit 135 dhe 148 të Kushtetutës.
Për këtë arsye, propozojmë që kontrolli i integritetit të zyrtarëve të këtyre strukturave të bëhet nga një Komision Ad Hoc, me përbërje prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës të NJPH. Për një periudhë tranzitore, kontrolli i integritetit përpara emërimit për gjyqtarët dhe prokurorët të bëhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në kuadër të procesit kushtetues të rivlerësimit. Sigurisht që Komisioni Ad Hoc do të ketë të drejtë të marrë infomacioni nga institucionet e treta lidhur me pasurinë dhe figurën, por vlerësimin e këtyre të dhënave duhet ta bëjë pikërisht ky komision i pavarur Ad Hoc”, thekson PD.
PD shton gjithashtu se sipas projektligjit, të gjitha institucionet e pavarura të luftës ndaj korrupsionit (gjykatat e posaçme, prokuroria e posaçme dhe njësia e posaçme hetimore), vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë, jashtë kontrollit të një prokurori, sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të Qeverisë, si psh. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
“Në këtë mënyrë, shkelen standardet e pavarësisë dhe të paanësisë së organeve të reja kushtetuese. Nga ana tjetër, vlerësojmë si të papërshtatshme që kontrolli i telekomunikimeve të bëhet nga një punonjës i nivelit hetues të NJPH. Për këtë arsye, kërkojmë që kontrolli i telekomunikimeve dhe të dhënave financiare të gjyqtarëve, prokurorëve, NJPH, dhe punonjësve të këtyre struktrave, të bëhet nga një prokuror i caktuar për këtë qëllim. Me synimin që kontrolli të jetë efektiv dhe të shmanget koporatizimi dhe mbrojtja e ndërsjelltë midis vetë funksionarëve të SPAK, sugjerojmë që kontrolli i telekomunikimeve dhe të dhënave financiare të bëhet nga një prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme, i caktuar me short”.
Edhe kriteret e emërimit të Drejtorit të Njësisë së Posaçme Hetimore, thekson PD, nuk garantojnë standardet e një konkurimi të lirë dhe përthithjen në konkurim të personave me integritet të lartë profesional dhe moral. “Nga ana tjetër, projektligji nuk vendos asnjë rregull për përjashtimin nga kandidimi të individëve që kanë ushtruar detyrën e gjyqtarit, të prokurorit, apo hetuesit, të punonjësve të organeve të ish-Sigurimit të Shtetit apo bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, përgjatë regjimit komunist dhe që me vendimet e dhëna apo veprimet e tyre kanë persekutuar politikisht qytetarët shqiptar. Për këtë arsye, kërkojmë rishikimin tërësor të kritereve për emërimin e Drejtorit të NJPH, duke shtuar jo vetëm rregullin e konkurimit të hapur, mes kandidatëve që përmbushin kriterin 10 vjet të eksperiencës në punë, pavarësisht nga detyra që ushtrojnë aktualisht (përjashtuar funksionet politike), dhe që në të shkuarën nuk kanë qenë të angazhuar në funksione gjatë regjimit komunist”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/