Një e moshuar 60-vjeçare, banuese zonën e Bregut të Lumit në Tiranë, ka kaluar momente tmerri teksa disa grabitës i hynë në mesnatë në dhomën e gjumit, e lidhën dhe e kërcënuan të tregonte vendin ku i kishte fshehur paratë.
Grabitësit mendohet të kenë pasur informacion që gruaja gjendej e vetme në banesë dhe i shoqi ishte larguar në Greqi. Por fakti që 60 vjeçarja, Z. S., e cila punon si pastruese ka qenë e dënuar për vjedhje me anë të mashtrimit i ka bërë skeptikë agjentët e policisë nëse duhet ta marrin si një dëshmi të vërtetë apo jo.
Gjithsesi gazeta Si raporton që janë bërë kqyrjen e nevojshme nga policia në dhomën e gjumit ku dhe konstatuan rrëmujë dhe sirtarë të hapur.
“Mbylla derën e jashtme dhe rashë për të fjetur, ndërkohë që dikush hipi mbi krevat dhe direkt më zuri gojën dhe duke më shtrënguar me dorë më tha të mos flisja fare e të mos bëja zhurmë. Njëkohësisht filloi të më hedhë ujë e të më godasë me një hekur në pjesë të ndryshme të trupit.
Nxori një si tip rripi dhe më lidhi këmbët, nxori një çarçaf nga sirtarët dhe më lidhi duart dhe ndërkohë pashë se një tjetër po bënte roje në ballkon. Një i tretë kërkonte kasafortën. Ai që më rrihte mori telefonin dhe më urdhëroi duke më sharë hiqja kyçin, hiqja kodin. Pastaj më hapën çantën ku kisha lekët e dritave dhe prej aty morën 10 mijë lekë të reja.
Më tërhoqën zvarrë. Më nxorën në sallon, pastaj më thanë po kjo poshtë për komshien a ka florinj. Ju thashë po që të shpëtoja, dhe që kur të zbrisnin tek fqinja që jeton me qira të njoftoja policinë” ka thënë zonja që jeton e vetme në katin e tretë të një shtëpie private, ndërsa katin e dytë e ka dhënë me qira tek një çift.
Në rrëfimin e administruar në polici, sipas burimeve të gazetës Si, pasi grabitësit e kishin lënë të lidhur,dhe çuditërisht nuk kishin zbritur në katin poshtë, 60 vjeçarja ishte zgjidhur, kishte kërkuar ndihmë dhe më pas ka shkuar në urgjencë për ndihmë mjekësore.
Gruaja i përshkruan të katër grabitësit të veshur me maska, doreza dhe kapele, por që sipas bindjes saj duhet të jenë në moshë relativisht të re. Policia konstatoi se Z.S, ju grabit telefoni, ora e shtrenjtë e nuses së djalit, një unazë floriri, byzylyk floriri i të birit, bizhuteri të tjera të shtrenjta dhe lekët e energjisë elektrike që Z.S. kishte në çantë për të paguar faturën.
Policia ka siguruar vendim për marrjen e ADN-së në disa nga orenditë e prekura nga grabitësit dhe ekspertimin e disa njollave të gjakut të konstatuara në sallon ku e moshuara është mbajtur e lidhur.
Policia thotë për gazetën Si se çështja është regjistruar si grabitje me dhunë dhe se pavarësisht profilit të denoncueses, një varg provash të mbledhura në banesën e saj përfshi edhe frakturat krijojnë bindjen se ajo u dhunua vërtetë dhe u grabit nga persona ende të paidentifikuar.
e.h/DRONI.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/