Tirana, zone e kuqe e Covid, a do te perdoret modeli gjerman

Tirana, zone e kuqe e Covid, a do te perdoret modeli gjerman

96
0
Shares
Rriten me 14 përqind në ditë rastet e reja me Corona në Shqipëri. Autoritetet paralajmërojnë selektimin e pacientëve në strukturat hospitalore në rast të mospërballimit të numrit të tyre.

Të premten (06.05) Tirana është cilësuar nga ekspertët anti-Covid-19 si “zonë e kuqe”. Ky cilësim, që shpreh gjendjen e rrezikut të lartë, ka ardhur nga rritja e rasteve të reja ditore me 14 përqind të premten në krahasim  me një ditë më parë. Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore në spitalet anti-covid të kryeqytetit janë tanimë të tejmbushura.

Autoritetet e Shëndetësisë paralajmërojnë se me këto ritme në Tiranë pandemia është duke dalë jashtë kontrollit. Sipas tyre në kryeqytet ka 175 vatra të infeksionit, shifër kjo e lartë për popullsinë prej afër 900 mijë banorësh të Tiranës me një numër total të infektuarish prej 5135.

Pas Tiranës vijnë me shifra të larta edhe Durrësi, Fieri, Korꞔa, Shkodra dhe Elbasani. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në Shqipëri infeksioni me virusin Covid-19 po rritet në 33 rajone, që përbëjnë 51% të territorit të gjithë vendit. Vetëm në 24 orët e fundit grafiku i infeksionit u rrit me shifrën rekord të 489 rasteve të reja në ditë dhe numri i viktimave arriti në 549 vetë.

Masat nuk respektohen:

Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik rritja shqetësuese e rasteve të reja në 24 orët e fundit është pasojë e lehtësimit të masave në fillim të vjeshtës dhe mosrespektimi të tyre, kur ato u ashpërsuan, kryesisht i mbajtjes së detyruar të maskës. Vendimi i qeverisë Rama për gjobitjen me 20 Euro të ꞔdo individi që nuk respekton këtë vendim nuk ka dhënë rezultatet e pritshme.

Rinia rezulton të jetë grupmosha më e prekur nga rritja ditore e rasteve të reja me Covid-19. Burime zyrtare nga Qendra e Urgjencës Kombëtare thanë për DW se në 24 orët e fundit janë regjistruar 3 mijë thirrje telefonike të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore pas simptomave të prekjes nga virusi, shifër, që është rreth 2,5 herë më e lartë se ajo e dy javëve më parë kur thirrjet telefonike ditore arrinin në 1300.

Në kushtet e grafikut në rritje të infeksionit ekspertët anti-Covid në strukturat publike paralajmërojnë karantina të pjesshme në rajonet më shifra më të larta, në krye të të cilave qëndron Tirana. Kjo masë sugjerohet të merret sa më parë pasi shtimi progresiv i rasteve të reja, që kërkojnë trajtim hospitalor, rrezikon kolapsin e spitaleve publike anti-Covid.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në thirrjen e radhës për zbatim rigoroz të masave mbrojtëse, bëri  me dije se shtimi i rasteve të infektuara, që kërkojnë trajtim hospitalor sjell një situatë, ku ekipeve mjekësore do t’iu duhet të vendosin se kujt t’i ofrojnë oksigjen e terapi dhe kujt jo.

Opozita: Per Tiranen te perdoret modeli gjerman

Opozita jashtë parlamentare e kryesuar nga Partia Demokratike,(PD) i konsideron të pamjaftueshme dhe jo efikase masat e deritanishme të qeverisë Rama për të përballuar shtimin e rasteve të infektimeve me Covid-19, të paralajmëruara me ftohjen e motit.

Ajo i sugjeron qeverisë Rama që për Tiranën të ndjekë modelin gjerman të mbylljes së pjesëshme. Ekspertët e saj sugjerojnë gjithashtu alokim të menjëhershëm të një buxherti emergjence prej 30 milionë Eurosh për të blerë medikamentet anti-Covid që mungojnë, sipas pozitës, në spitale.

Ata sugjerojnë që qeveria të marrë masa urgjente për të hequr nga qytetarët  barrën financiare të kryerjes së tamponit në struktura private, me një kosto prej 100 eurosh, pasi strukturat publike nuk përballojnë dot fluksin e përditshëm të kërkesave.

Mundësia e kolapsit të tre spitaleve anti Covid-19 në Tiranë prej shtimit të rasteve, që kërkojnë trajtim hospitalor dhe e selektimi të pacientëve për t’u kuruar ose jo është një zile e fortë alarmi në kuadër të së drejtës themelore të jetës. Opozita ka sugjeruar hapjen e spitaleve rajonale anti-Covid që të lehtësohen kapacitetet e 3 spitaleve në Tiranë dhe të mos vijë puna tek selektimi pacientëve për të marrë ose jo oksigjenin dhe kurat e shërimit pas infektimit.DW

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY