Policia e Shtetit ka dhënë informacione më të detajuara lidhur me 2 ton kanabis që u sekuestruan në Podgoricë.
Ajo thotë se ngarkesa ishte fshehur në një kamion me fruta dhe perime dhe është konstatuar mëngjesin e sotëm në vendkalimin kufitar Hani i Hotit. Sipas policisë kamioni që drejtohej nga E.C., kishte hyrë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, tranzit për në vendet e BE-së.
“Mëngjesin e sotëm, në vendkalimin kufitar Hani i Hotit (Bozaj), shërbimet policore dhe ato doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të një kamioni tranzit, kanë gjetur të fshehur brenda ngarkesës me fruta-perime, një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar marijuanë. Kamioni që drejtohej nga shtetasi E. C. ishte ngarkuar me fruta-perime në shtetin grek dhe kishte hyrë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, tranzit për në vendet e BE-së.
Policia e Shtetit, pas shkëmbimit të informacioneve paraprake me homologët malazezë, ka dërguar në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve, me qëllim kryerjen e hetimeve të përbashkëta dhe përcaktimin e origjinës se nga është marrë lënda narkotike”, njofton policia.
e.h/DRONI.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/