ANALIZA/ Presidenti i ri, fushë-beteja e re e përplasjes Rama – Meta

ANALIZA/ Presidenti i ri, fushë-beteja e re e përplasjes Rama – Meta

43
0
Shares

Viti 2017 përkon me dy zhvillime shumë të rëndësishme siç janë zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhja e presidentit të ri të republikës. Afatet kushtetuese janë shumë pranë njëra-tjetrës dhe kjo ka bërë që të paktën brenda mazhorancës të bëhen llogaritë dhe të shikohet mundësia që pasuesi i Bujar Nishanit të zgjidhet nga Parlamenti i ardhshëm.
Mazhoranca po shqyrton hapësirat që ofron Kushtetuta për një interpretim juridik që do të mundësonte votimin e presidentit të ardhshëm me parlamentin e ri, i cili do të dalë pas zgjedhjeve të vitit 2017, pavarësisht faktit se edhe tani i ka votat për ta zgjedhur atë me konfigurimin aktual të sallës plenare.
Ndërkohë që ende nuk është marrë një vendim për strategjinë që do të ndiqet nga shumica e majtë, shumë juristë nuk kanë dyshim se pasuesin e Bujar Nishanit i takon ta zgjedhë ky Parlament. Pavarësisht kësaj, burime nga mazhoranca bëjnë me dije se nuk përjashtohet mundësia e gjetjes së një interpretimi alternativ, në bazë të së cilit të justifikohet spostimi në kohë i zgjedhjes së presidentit të ri. Skenari do t’i interesonte të dy aleatëve të shumicës qeverisëse, për sa kohë të dy partitë ushqejnë shpresën se do të dalin me pozita më të forta nga gara e ardhshme elektorale
Tashmë nuk është më sekret se posti i presidentit të ardhshëm është pjesë e marrëveshjes politike mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, në bazë të së cilës u bashkuan në koalicion 3 vjet më parë. Shumë analistë i qëndrojnë bindjes se Meta e dëshiron vetë pozicionin e Kreut të Shtetit por kjo nuk do t’i lejonte atij udhëheqjen e LSI-së në fushatën e ardhshme zgjedhore. Meta e ka të qartë se pa të në timonin e fushatës, pesha elektorale e partisë së tij rrezikon të tkurret. Për këtë arsye, zërat në korridoret e politikës flasin edhe për mundësinë që lideri i LSI-së të gjejë një njeri tjetër, të besuar të tij, për postin e presidentit, pa përjashtuar idenë e zonje si Presidente të Republikës.
Nëse Kreu i Shtetit spostohet për t’u zgjedhur shtatorin e ardhshëm, kur fushata ka mbaruar, Meta mund të lërë partinë për ta marrë vetë pozicionin, ose, nëse rezultati elektoral do t’ia lejojë, mund të kërkojë edhe poltronin më të pushtetshme të Kryeministrit të vendit.
Nga ana tjetër edhe Edi Rama shpreson se me Parlamentin e ardhshëm do të mund të realizojë atë që u pa në Dibër, pra një fitore edhe pa angazhimin e Lëvizjen Socialiste për Integrim. PS shpreson që në mos e vetme, të mund të bëjë 71 vota në Parlamentin e ardhshëm me ndihmën e PDIU-së, mjaftueshëm për të zgjedhur Presidentin në raundin e fundit të votimit. Kjo gjë do ta vinte Edi Ramën në pozita të tjera, më të favorshme, përballë pretendimeve të Ilir Metës.
Analizës politike nuk i mungojnë ata që besojnë se Ramës i nevojitet ta ketë edhe këtë herë Metën në krah gjatë fushatës zgjedhore, për ta dërguar në Presidencë pas zgjedhjeve. Kjo do ta lejonte të qeveriste më i çliruar gjatë mandatit të dytë, pa presionin në të cilin Meta e ka mbajtur vazhdimisht gjatë këtij mandati. /ABCNews/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY