Bujar Nishani i gatshëm edhe për një mandat të dytë presidencial

Bujar Nishani i gatshëm edhe për një mandat të dytë presidencial

43
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur dëshirën për rikandidim në postin e Presidentit, pasi sipas tij është e natyrshme rikandidimi kur ka kryer punën siç duhet në mandatin e parë.

Në një intervistë për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”, Nishani tha se kjo varet nga vullneti i mazhorancës. Ai tha se mbetet për tu parë sesi do të rrjedhin ngjarjet, pasi për herë të parë Presidenti zgjidhet në të njëjtën kohë me parlamentin e ri.

Por Nishani siguria, se nuk do të dalë në pension kaq shpejt. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaroi gjithashtu senuk ka asnjë informacion për Samitin e Diasporës – dhe se nuk do të bëhet pjesë që të keqpërdoret diaspora për synime partiake dhe elektorale.

Intervista me Presidentin Nishani

Zoti President, cilat janë disa nga mbresat e kësaj vizite të radhës në New York, e cila duket se ka qenë shumë e ngjeshur dhe e larmishme?

Përshtypjet janë shumë të mira dhe ky është një konstatim shumë i sinqertë. Në tërësi agjenda që përshkon aktivitetin e New York-ut, më kuadrin e Kombeve të Bashkuara, është aq i gjerë dhe me mundësi shumë të mëdha, ndaj dhe lë vlerësime shumë pozitive.

Organizata e Kombeve të Bashkuara trajton sfida shumë të vështira në nivel global. Dhe është kënaqësi që për të gjitha këto sfida që OKB trajton, Shqipëria ka diçka për të thënë si një shembull pozitiv, si një kontribut pozitiv.

Që nga çështjet që kanë të bëjnë me problemet e zhvillimit dhe Shqipëria është e angazhuar në agjendat e të drejtës për zhvillim; në segmentin e lartë të agjendës për zhvillim, unë paraqita mjaft arritje të rëndësishme të Shqipërisë.

Në aspektin e çështjeve humanitare, Shqipëria, megjithëse është një vend me mundësi të kufizuara, përsëri ka kontribute, të cilat i paraqet në familjen e kombeve të bashkuara, si kontribute të rëndësishme dhe reale të përputhje të plotë me kërkesat dhe vizionin e OKB-së për çështjet humanitare.

Në problemet që lidhen me ndryshimet klimaterike, Shqipëria është në avangardën e vendeve që kontribuojnë me përmirësimin e sjelljes dhe qendrimit ndaj mjedisit dhe klimës. Shqipëria ka qenë jo vetëm ndër vendet e para që ka miratuar e ratifikuar formalisht instrumentat përkatëse, por edhe ka ofruar kontribute të rëndësishme që nga përqindjet e emetimit të gazit dhe në drejtime të tjera.

Në çështjet e trajtimit të emigracionit, që përbën tashmë një nga problemet madhore më të cilat po ndeshet Organizata e Kombeve të Bashkuar, apo në përgjithësi planeti ynë dhe shoqëritë tona, Shqipëria ka eksperienca të jashtëzakonshme, qoftë në aspektin e pritjes dhe dhënies së ndihmës ndaj njerëzve në nevojë, po në tërë historinë e saj ka një trashëgimi shumë të pasur. Dhe po ashtu nga ana tjetër të shmangies maksimalisht të keqpërdorimit të fluksve migratore nga individët që e përdorin për synime terroriste duke shfrytëzuar përpjekjet e njerëzve për t’u larguar nga lufta e fatkeqësi të tjera.

Po ashtu, në çështjet që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmin. Shqipëria ka qenë pjesë e aleancave më kryesore ndërkombëtare, qoftë në kuadrin e NATO-s, qoftë përtej atij të NATO-s, për t’u ndeshur apo përballur me fenomenin e terrorizmit apo të luftëtarëve të huaj.

Pra, në të gjitha çështjet, që sot agjenda e OKB-së elaboron dhe prezanton, Shqipëria ka një kontribut.

Përveç kësaj në New York shkohet edhe përtej agjendës së Kombeve të Bashkuara, qoftë në dimensionin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht në kontekstin e botës ë bizesit dhe investimeve ekonomike, por le të themi qershia mbi tortë, në rastin tonë si shqiptarë është pjesa e kontaktit që kemi ne me diasporën shqiptare.

Kjo është interesante, që Shqipëria ka nga një përvojë për të ndarë për çdo problem global, rezultat pak edhe i fatit që e ka vendosur në udhëkryqe gjeografike dhe historike. A mund të na shuani një kuriozitet sesi përgatiteni për fjalimin vjetor në OKB, a bashkëpunoni me Ministrinë e Jashtme apo Misionin këtu, a ndjek Zyra Juaj zhvillimet në OKB, përpara se të përgatisni qendrimin gjithëpërfshirës të Shqipërisë në këtë foltore. Është një ngjarje që ndodh çdo vit dhe do të doja të dija pak për procesin që ndjek…

Presidenti i Republikës, kryetari i shteti apo i qeverisë, kushdo që udhëheq delegacionin përfaqëson qendrimet e shtetit shqiptar. Ndaj, në çdo rast, ne koordinohemi,konsultohemi dhe bashkëpunojmë me Ministrinë e Punëve të Jashtëme e cila ka seksionin përkatës, të specializuar dhe profesionist, i cili i ndjek me vijimësi të gjitha çështjet, qoftë edhe me ministri të çështjeve të caktuara, që nga ato të ambjentit, të ndihmës humanitare dhe emigratore.

Mirëpo, pa dyshim që Misioni i Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara është burimi kryesor, jo vetëm i informacioneve por edhe i qendrimeve të shteteve të ndryshme. Edhe i sfidave dhe i synimeve që kanë Kombet e Bashkuara, apo edhe të qendrimeve që kanë partnerët tanë me të cilët na bashkojnë qendrimet politike në kuadrin e Kombeve të Bashkuara.

Pra në këtë kontekst, qendrimi i Shqipërisë është një qendrim kompleks, i udhëhequr nga pa dyshim nga institucionet e specializura të proceseve.

Faleminderit. Lidhur me takimet për diasporën. U bën tashmë disa vite që jo udhëtoni dhe takoheni me shqiptarët këtu. Nga pikëvështrimi juaj, a dalloni ndryshime në këtë diasporë? Mbase ju nga jashtë keni perspektivën të dalloni ndryshime që ne këtu afër nuk i vëmë re…

T’ju them të vërtetën dhe me shumë sinqeritet, dalloj ndryshime të jashtëzakonshme. Jo vetëm në kuadrin e organizimit dhe të koordinimit, por edhe të imazhit dhe cilësië të këtij angazhimi të diasporës shqiptaro-amerikane.

Gjithmonë e më shumë ky angazhim është i një niveli më të lartë professional, i një artikulimi gjithnjë e më cilësor. Është më prezent në hierarkinë e zinxhirin e të gjitha institucioneve amerikane, politike, ekonomike, financiare, por edhe të shoqërisë amerikane në tërësi.

Shikon më shumë mjekë shqiptaro-amerikanë të zotë, që kanë karrierë të pasur; shikon gazetarë shqiptaro-amerikanë që janë gjithnjë më aktivë e prezentë me analizat e tyre dhe me ndikimin e tyre në opinionin publik; bizneset shqiptaro-amerikanë janë gjithnjë e më të konsoliduara, media po merr një rol të ri në orientimin e shoqërisë përballë sfidave të reja, gjenerata e re e arsimuar e shkolluar, e trajnuar, në nivelet më të larta shkollore dhe profesionale në Shtetet e Bashkuara, që po bëhet një faktor shumë i rëndësishëm i tërheqjes së vëmendjes nga bota shqiptare po edhe një hallkë lidhëse mes Shqipërisë, Kosovës, SHBA-së dhe botës shqiptare në tërësi.

Jam shumë i kënaqur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten për ne partneri më strategjik, mbeten mbështetësi më i madh në rrugën tonë të zhvillimit ndaj edhe ekzistenca e këtij komuniteti shqiptaro-amerikan na gëzon dhe nga suprizon për mirë me çdo aritje e sukses të ri.

Është bërë aktual tashmë një samit i diasporës që po organizohet nga Qeveria e Shqipërisë. Ka shumë thirrje për ta mbështetur edhe këtu në SHBA. Do të mbahet pas dy muajsh. A po bashkëpunoni për këtë? Cili është vlerësimi juaj?

Ju falenderoj shumë për këtë pyetje. Çështja e diasporës është shumë e nevojshme për ne shqiptarët, por potencialin që ka, për nevojën që kemi, për traditën e bashkëpunimit etj, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e troje të tjera. Po le të fokusohemi te Shqipëria, e cila ka sot shumë nevojë për kapacitetet e diasporës dhe angazhimin e saj në të gjitha fushat. Unë jam, si të thuash, një fanatik, në kuptimin e mirë të fjalës, të angazhimit të diasporës dhe thithjes së kapaciteteve të saj, që për fat të keq nuk e kemi bërë deri më sot. Prandaj, çdo nismë për të angazhuar dhe sensibilizuar diasporën është pozitiv dhe i mirëpritur.

Për rastin konkret, më duhet të them me shumë keqardhje se nuk kam asnjë informacion se çfarë është ky samit, kush e organizon, pse e organizon, çfarë temash do të trajtojë, çfarë platforme ka, si do të organizohet, etj.

Natyrisht, me keqardhje mund të konstatoj që është anormale që kreu i shtetit të mos ketë informacionin minimal për mënyrën se si do të organizohet, pse do të orgnizohet dhe kur do të organizohet një takim i tillë.

Pa dyshim, që qeveria ka të gjithë të drejtën që ta organizojë. Ka një problem, që në Shqipëri, si kudo, qeveritë përfaqësojnë parti të caktuara politike. Unë do të dëshiroja që në çdo rast, që diaspora jonë, aq e mrekullueshme dhe e konsoliduar, që ka qenë deri tani, të mos përfshihet në interest politike të partizanizmit në Shqipëri, të mos kthehet edhe çështja e diasporës në një tjetër gozhdë të ngulur në murin e debatit të panevojshëm politik, në Shqipëri.

Kështu që unë personalisht nuk e shoh se mund të bëhem pjesë e një tentative për të keqpërdorur diasporën, në kuptimin partizan dhe politik, aq më tepër që jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare, në Shqipëri. Gati, gati, partitë po hyjnë në fushatën elektorale. Madje, një fushatë paraelektorale praktikisht ka filluar nëse i shikon të gjitha debatet që po bëhen. Por unë mbetem i vendosur për të inspiruar gjithnjë e më shumë angazhimin e diasporës për të përfituar nga kapacitetet e saj, por asnjëherë për të keqpërdorur emrin e diasporës për nevojat dhe synimet e politikës së ditës.

Një opinion i fortë është se kjo diasporë nuk mund të angazhohet tërësisht sa kohë që nuk është pjesë e vendimmarrjes në Shqipëri. A do të mundësohet vota e diasporës? Sa është e mundshme hapja e vendeve të rezervuara për deputetë që përfaqësojnë diasporën në parlamentin shqiptar? A nuk mund të imitojmë zgjidhjet që janë bërë realitet për shembull në Maqedoni, Itali etj? Apo figura të suksesshme të komunitetit si potencial për poste ambasadorësh apo në stafin e ambasadave?

Nuk është aspak e vështirë. Sepse çdo gjë bëhet në bazë të ligjeve dhe legjislacioneve që ngrihen. Mirëpo, janë njerëzit ata që shkruajnë ligjet, hartojnë legjislacionet dhe nëse ekziston vullneti mes njerëzve, atëherë është e realizueshme.

Pjesëmarrja e njerëzve nga diaspora në parlament është në fakt, nga gjërat e para që mund të bëjmë. Ju e përmendët vetë në fakt, që Maqedonia ka deputetë nga diaspora. Po, kjo ndodh edhe në Kroaci apo Mal të Zi, pra edhe në rajon kemi raste që diaspora është prezente në parlamente. Ne jemi një rast ku vetëm 40% e shqiptarëve jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë. Pa dyshim arsye kryesore këtu janë Kosova, Maqedonia etj, po edhe është shumë e madhe. Ka kapacitete të mëdha intelektuale në vendet ku jeton dhe nuk ka arsye se pse ambasadorë nga diaspora të mos shërbejnë në emër të Shqipërisë. Çfarë na pengon neve që institucionet e rëndësishme që kanë nevojë për një frymë të re menaxhimi në Shqipëri të mos afrojnë kapacitete nga diaspora. Pra unë e shikoj më shumë si një çështje të vullnetit dhe dëshirës së njerëzve më shumë se çdo pengesë tjetër.

Sa mund të udhëheqë presidenti një proces për realizimin e një ndryshimi të tillë?

Presidenti nuk ka të drejtë që të marrë inisiativa ligjvënëse, nuk ka mekanizma të pushtetit ekzekutiv, por pse jo, duke qenë se zëri i presidentit mbetet një zë kredibël dhe unë kam luftuar që zëri i presidentit të mbetet një zë kredibël.

Mbase ai duhet fuqizuar edhe më shumë dhe në një rast të tillë mund të bëhet promotor ndryshimesh nëse rezonon me mbështetje nga media, nga diaspora duke ndikuar eventualisht në politikë dhe në pushtetet ligjvënëse dhe të ekzekutivit.

Ju përmendët rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit, SHBA e ka përqendruar vëmendjen te reforma e drejtësisë, një proces, i cili është duartrokitur edhe nga diaspora shqiptaro-amerikane. Por ambasadori amerikan ka folur fjalë të rënda si asnjë koleg i tij për politikanët vendas, në këtë proces. Ju si e gjykoni sjelljen e partive kryesore në këtë rast, reformën e miratuar dhe shanset që jo të prodhojë më fund një sukses të dukshëm?

Pyetja juaj është komplekse, ka disa elemente shumë të rëndësishme. Ju falenderoj për pyetjen se jam i ndërgjegjshëm që media tuaj ka një ndikim te një numër i madh qytetarësh. Reforma në sistemin e drejtësisë, ishte dhe mbetet një domosdoshmëri. Sepse kërkohet një stad shumë më cilësor për mënyrën e funksionimit të shtetit të të drejtës. Pa pasur një shtet të të drejtës, pa një funksionim të paanshëm, korrekt dhe të drejtë të ligjit është shumë e vështirë për individin, familjen, komunitetin e shoqërinë dhe në tërësi për një vend që të prosperojë me të gjitha dimensionet që kihet parasysh me termin prosperim.

Është shumë e rëndësishme kualiteti i realizimit të kësaj reforme, sepse e shtrin veprimtarinë e saj afatgjatë dhe produkti i saj dhe masa e suksesit është gjithashtu afatgjatë.

Në këtë kontekst, unë kam vlerësuar shumë angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë kryesorë, qoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë Bashkimin Europian, të cilët kanë pasur sensin pozitiv të mbështetjes ndaj kësaj reforme dhe kanë ofruar përmes ekspertizës së tyre shumë kontribut pozitiv dhe të mirë.

Hapi i parë i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me miratimin e legjislacionit, kryesisht ndryshimet kushtetuese që pritet të pasohen nga ndryshimet e tjera ligjore, hartimin e një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore dhe mekanizmash të nevojshme për zbatimin e tyre Unë si President i Republikës i kam miratuar menjëherë ndryshimet kushtetuese edhe për faktin se u realizua ajo që unë kërkoja vazhdimisht që ndryshimi i Kushtetutës së një vendi duhet të vijë nëpërmjet frymës së konsensusit dhe angazhimit të konsensusit.

Përndryshe kjo nuk do të kishte një ndikim afatgjatë sepse Kushtetuta është ligji themeltar i shtetit, i cili do t’i shërbejë shoqërisë për një kohë të gjatë dhe nuk është çështje e një qeverie të caktuar apo një mazhorance të caktuar. Pra ishte e rëndësishme për mua që u arrit konsensusi, çka nënvizoi edhe njëherë ndjeshmërinë e të gjitha faktorëve politikë në këtë proces.

Tani është hapi i dytë që është shumë më i rëndësishëm se hapi i parë dhe që ka të bëjë me implementimin e kësaj reforme.

Që të jem i sinqertë me ju, edhe të gjitha legjislacionet që kemi hartuar, të paktën në këto dhjetë vjetët e fundit, kanë qenë në përputhje të plotë me acquis communautaire, me standardet europiane, me asistencën financiare e ligjore të specialistëve të partnerëve tanë, të SHBA dhe BE-së. Por, sfida e tyre ka qenë zbatimi në praktikë. Prandaj kjo ka është edhe sfida për këtë reformë dhe mekanizmt qe do të krijohen.

Pritshmëria e qytetarëve shqiptarë është shumë e lartë, por tashmë kjo pritshmëri është e lidhur jo vetëm me angazhimin e aktorëve të brendshëm por edhe me angazhimin e partnerëve tanë. Pra, tashmë për të parë sesi do të zbatohet kjo reformë do të jetë përgjegjësi edhe e partnerëve tanë. Ndaj edhe suksesi apo dështimi i zbatimit (dhe unë as nuk e pres dhe as e uroj që të dështojë), dotë ishte një dështim jo vetëm i aktorëve të brendshëm por edhe i partnerëve të jashtëm. Ndërsa suksesi gjithashtu do të ishte i përbashkët.

Për ta mbyllur, ju u takuat edhe me Presidentin Barack Obama, fjalimi i të cilit zgjoi edhe më shumë interes sepse ishte i fundit i tij përpara Asamblesë së Përgjithshme. Ju gjithashtu jeni në vitin e fundit të mandatit. Cilat janë planet tuaja politike, nëse mund t’ju pyes? E di që një rizgjedhje si president varet nga klima politike, po ju vetë a keni gati të vijoni në këtë detyrë? Për çfarë presidenti ka nevojë Shqipëria dhe cili ka qenë vizioni juaj për institucionin që drejtoni?

Pa dyshim që çdo individ ka edhe karakteristikat e tij që vijnë nga bota e tij e kulturës, e edukimit, e parimeve që beson, nga sjellja e tij individuale që ndikon drejtpërdrejt në sjelljen institucionale. Nuk mund t’i shohësh të shkëputur sjelljen individuale nga sjellja instucionale.

Jam munduar të implementoj disa parime të cilat unë i kam besuar: Së pari, të kthej institucionin e Presidentit të Republikës, në një institucion që dominohet nga serioziteti i sjelljes institucionale. Seriozitetit jo në kuptimin e të mos qeshurit por në mënyrën e trajtimi të çështjeve.

Së dyti, që të jetë një model i komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet qytetarit dhe instituionit, ndaj edhe ka qenë një platformë e imja që jam munduar ta realizoj për të shkuar në çdo cep të Shqipërisë, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, pothuajse në çdo krahinë dhe tek shiptarët përtej kufirit, gjë që do të vazhdoj me intensitet deri në ditën e fundit të mandatit tim të Presidentit të Republikës.

Së treti, unë mendoj që funksionimi dhe pozicionimi i Presidentit si një filtër kushtetues, për të garantuar balancat dhe kontrollet ndërmjet pushteteve të ndryshme është shumë i rëndësishëm. Nëse zyra e Presidentit nuk do të kryente një filtër të tillë, atëhere do të ishte shumë e dëmshme për demokracinë.

Presidenti i Republikës nuk është një pushtet por është një institucion shumë i rëndësishëm kushtetues, madje mund të themi institucioni më i lartë kushtetues në vend, i cili siguron veç atyre më sipër edhe moslejimin e keqpërdorimit të një pushteti në kurriz të një pushteti tjetër dhe garantimin e kushtetueshmërisë së proceseve.

Jam munduar, pikërisht, pavarësisht kontekstit apo debateve politike që shpesh herë i janë ngarkuar zyrës së presidentit, që të qendroj stoik në këtë kontekst, për të qenë një filtër që ndalon një pushtet shumë më të fuqishëm që të shkelë mbi një tjetër, për balancimin mes palëve, midis institucioneve dhe insiciativave të tyre. Këtë më mirë se unë do ta gjykojë opinion, media, populli dhe historia.

Se cila do të jetë e ardhmja ime politike, pa dyshim që te çdo presidenti që mbyll një mandat, është krejt e natyrshme synimi i një mandati të dytë kur ai mendon se e ka kryer me përpjekje të sinqerta dhe të vërteta punën në mandatin e parë dhe që ka besim se mund të japë ende kontribute, në një mandat tjetër.

Por, në sistemin tonë, kjo nuk mbetet vetëm në dëshirën e presidentit të Republikës. Kjo është e ndërthurrur me vullnetin e mazhorancës përkatëse në parlamentin e Shqipërisë. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë zhvillimet deri në prill-maj, sepse për herë të parë ndodh që Presidenti zgjidhet në të njëjtën kohë me parlamentin e ri. Prandaj, parlamenti aktual, përpara se të shpërndahet duhet të zgjedhë presidentin që do të vijojë.

Sido që të ndodhë, unë ju garantoj juve, opinionin publik, të gjithë ata që janë të interesuar për mënyrën e funksionimit të Zyrës së Presidentit të Republikës, se deri në datën 24 korrik 2017, ajo do të funksionojë në përmbushje të plotë të detyrave dhe të drejtave të mia kushtetuese.

Më tej, mund t’ju them sot një gjë të sigurtë që nuk e kam ndërmend që të dal në pension kaq shpejt. Se cila do të jetë më pas rruga që do të ndjekë aktiviteti im do të mbetet për t’u parë. (Gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” – New York)

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY