KOMENT/Kosova mbas Washingtonit e Brukselit: Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë e gjilpëra...

KOMENT/Kosova mbas Washingtonit e Brukselit: Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë e gjilpëra në plevicë

97
0
Shares

Nga Genc Pollo

Kur në kuadrin e një turi europian në qershor 2007 presidenti amerikan George W. Bush vizitoi edhe Shqipërinë, nderimet e veçanta shtetërore dhe entuziazmi masiv i popullit në rrugë ishin në kontrast me pritjen e vakët apo edhe të ftohtë gjetiu. Media europiane, përgjithësisht kritike ndaj Bushit raportoi kryesisht pohimin e një televizioni shqiptar pranë opozitës se presidentit i kishin vjedhur orën në Fushë-Krujë. Pohimi ishte krejt pa burime dhe Shtëpia e Bardhë menjëherë e mohoi zyrtarisht atë. Ky episod m’u kujtua teksa lexoja ditët e fundit komentet në Europë mbi marrëveshjen për normalizimin ekonomik mes Kosovës e Serbisë të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë antipatia ndaj personit Donald Trump në Europë është shumëfish më e lartë se ajo ndaj George Bush-it asokohe. Prandaj nuk ishte surprizë që shqetësimi se mos presidenti amerikan përfitonte elektoralisht dominonte ndaj konsideratave mbi dobinë e mundshme të këtij akti për popullin në Kosovë e në Serbi. Edhe toni ishte përgjithësisht qesëndisës.Ndërsa komentet më të specializuara fokusoheshin për shembull:

– tek mangësitë e dokumentit të nënshkruar në prizmin e teknikës së traktateve ndërkohë që marrëveshjet e nënshkruara me ndërmjetësimin e Brukselit janë të përsosura në këtë aspekt, por megjithatë implementimi tyre, për pasojë edhe dobia, ka mbetur afër zeros;
– tek paralelizmi i projekteve të marrëveshjes amerikane me ata të Proçesit të Berlinit, gjë që është e vertetë por ShBA në 4 shtator ofroi edhe mbështetje financiare për ta;
– tek fakti që përsëriten impenjimet e marra nga dy palët në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE, i cili filloi në vitin 2011 edhe pse aty-këtu pranohet se karota europiane shpesh nuk ka mjaftuar për zbatimin në terren dhe është dashur “shkopi” amerikan për “të kry punë”;
-tek fakti që disa angazhime janë jashtë kontekstit ballkanik e synojnë reduktimin e influencës në Kosovë e Serbi të fuqive anti-perëndimore, megjithëse kjo influencë ka qenë e është edhe shqetësim madhor i Europës e deri tek elementë disi eksentrikë të tekstit (kur nuk të prishin punë cfarë halli ke ?!) e kështu me rradhë.

Gjithashtu kritikohej aksioni në kokë të vet i amerikanëve, të cilët rrëmbyen rolin leader dhe nuk qënkeshin konsultuar e koordinuar me Brukselin dhe Europën në përgjithësi. Kjo e fundit është me bazë pasi mos bashkëpunimi transatlanitk është ogur i keq për Kosovën e Ballkanin. Por problemin duam t’a quajmë të kapërcyer pas sqarimit të negociatiorit Grenell për këtë çështje. Ai tha se Washingtoni kishte qenë në kontakt të ngushtë me Berlinin e Parisin dhe se ShBA do të mbështesnin fort dialogun e drejtuar nga Përfaqsuesi i Lartë i BE-së Borrell e i derguari i posaçëm i tij Laicak.

Ajo që dallon kësaj here në komentet në shqip, sidomos në Kosovë, është se një numër shumë më i madh zërash e penash kanë adoptuar tone ultra kritike ndaj marrëveshjes e jo rrallë jomiqësore ndaj kumbarëve amerikanë të saj. Mbase kjo reflekton qasjen ndaj personit Donald Trump në qarqet politiko-kulturore jo vetëm të majta në Europë; mbase është inerci e inatit për shkarkimin e qeverisë së parë pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit.

Çdo marrëveshje është produkt i kontekstit e i kompromisit dhe të pretendosh në të perfeksionin apo maksimalen është si të kërkosh gjilpërën në plevicë. Por ndërsa Serbia po tenton të diversifikojë miqtë e aleatët, Kosova, laj thaj, mbetet me Europën e Amerikën. Prandaj shpresoj shumë që këto ekzagjerime të jenë të përkohshme e të kaluara.

/DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY