Kryetari i PD, Lulzim Basha ka ngushelluar sot per humbjen e ish deputetit te PD, Esat Coku.
”Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Esat Çokut, deputetit të Partisë Demokratike në legjislaturën 1992-1996. Përfaqësues i njërës nga familjet më me traditë të Myzeqesë, Esati, së bashku me dy vëllezërit, Bedriun dhe Çaushin, si dhe me babanë e tyre, Azemin, vuajtën thuajse një shekull në burgjet e diktaturës komuniste. Familjen Çoku nuk e thyen proceset e Sigurimit të Shtetit dhe në vitin 1990, të 3 djemtë e saj ishin në radhën e parë të atyre që luftuan për rikthimin e lirisë në jetët tona.
Esat Çoku ishte themelues i Shoqatës së të burgosurve politikë të Lushnjës dhe i degës së Partisë Demokratike të rrethit. Një luftëtar i vendosur për të drejtat e njeriut, ai s’ju shmang përgjegjësisë në një moment të vështirë për Lushnjën e për Shqipërinë, dhe si një tribun i vërtetë i mendimit të lirë, bëri thirrje publike që institucionet e shtetit shqiptar të mos shndërroheshin në strehë të ish-hetuesve të diktaturës komuniste.
Si përfaqësues i pushtetit vendor e më vonë edhe si deputet në parlament, ai ja kushtoi angazhimin e tij politik kësaj kauze të shenjtë. Esat Çoku s’reshti së kërkuari drejtësi shoqërore, jo veç për të burgosurit politikë dhe pjesëtarët e atyre familjeve, kalvarin e të cilave ai e kishte parë nga afër, por për të gjithë, që në Shqipëri të mos vritej shpresa dhe vendi të fitonte kohën e humbur.
Esat Çoku i përket asaj plejade politikanësh që bënë historinë e Partisë Demokratike, në fillimvitet ’90, histori për të cilën demokratët ndjehen aq krenare dhe njëkohësisht borxhli. Sakrificat legjendare të familjes Çoku dhe amaneti për drejtësi shoqërore i Esat Çokut dhe i bashkëvuajtësve të tij kërkojnë angazhimin e të gjithëve.
Unë u gjendem pranë familjarëve të Esatit, bashkëshortes dhe djalit të tij, si dhe vëllait Bedriut, në këtë moment të humbjes së madhe dhe shpreh bindjen se kujtimi i veprës së tij do të jetë një ndihmë e përhershme për të gjithë ne që kemi marrë përsipër barrën për ta kthyer atdheun tonë në atdheun e drejtë që ëndërronte Esati. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha./DRONI.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/