Mbi 300 biznesmenë shqiptarë nga mbarë bota, mësohet të jenë bashkuar në New York nën siglën e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në një forum ekonomik. Ky takim i biznesmenëve të diasporës mbarëshqiptare, duket se a kaluar në një stad më të avancuar organizimi dhe suksesin nuk e garantuan thjesht dhe vetëm pjesëmarrja e lartë e shqiptarëve të suksesshëm në diasporë, Presidenti Nishani, Kryeministri Mustafa, ministra dhe zyrtarë të shteteve shqiptare, apo hapësirave të tjera shqiptare, qoftë edhe e senatorëve apo kongresmenëve amerikanë. Duket se ky forum, si i pari i llojit të tij për diasporën shqiptare, është një provë konkrete e domosdoshmërisë së bashkëpunimit ndërshqiptar në diasporë, pa ndonjë përkrahje apo domethënëse nga shteti apo shtetet shqiptare.
Është sfidë në vete për të hulumtuar se sa prej këtyre biznesmenëve shqiptarë të diasporës, kanë arritur “të guxojnë dhe të investojnë” në vendlindje, ku të paktën këta të Britanisë herë pas here kanë shfaqur shqetësimin e hapur për problematikën e panumërt për të investuar në Atdhe.
Duket se ka një kontraditë themelore mes të ashtuquajturit “Samit të diasporës”, që do të zhvillohet në nëntor nën përkujdesjen e kryeministrit Rama, me forumin e zhvilluar në New York. Në fazën e parë “të selektimit” të “samitxhinjve”, shumë prej këtyre biznesmenëve nuk janë ftuar. Samitxhinjtë janë përzgjedhur sipas disa preferencave të ambasadave në vende të ndryshme, pa kritere specifike dhe praktikisht “fejsbukizmi” duket se ka qenë kriter themelor.
Prononcimi i Presidentit të Republikës për gazetën Illyria se “më duhet të them me shumë keqardhje se nuk kam asnjë informacion se çfarë është ky samit, kush e organizon, pse e organizon, çfarë temash do të trajtojë, çfarë platforme ka, si do të organizohet etj” zbeh çdo dritë shprese…
Te bindur në një dështim të mundshëm, stafi i kryeministrit hapi një faqe interneti, ku u kërkohet aplikantëve për pjesëmarrje në samit, të plotësojnë ca formularë në mënyrë që të marrin pjesë. Duket se kjo zgjidhje i shpërlan nga “mëkati” stafet e ambasadave, por mbase nuk duhet ndalur asnjë moment të vetëm në videon e kryeministrit për diasporën, pasi edhe përcjellësi më i mirë i lajmeve në mëmëdhe e ka të pamundur të gjejë një fjali të vetme të kryeministrit për diasporën që pas ditës së ardhjes në pushtet. As që mund të diskutohet për ndonjë iniciativë konkrete, përveç premtimit me zë dhe figurë, për të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë, që nuk u realizua e kushedi kur mund të bëhet realitet, pasi vetëm shqiptarët e Shqipërisë në diasporë, nuk kanë të drejtën e votës në vendet ku jetojnë. Më kot mund të vëzhgohen lëvizjet e kryeministrit në vende të ndryshme të botës dhe takimi me “shqiptarët e atjeshëm” mbetej i munguar. Mbi dhjetë herë ka qenë kryeministri në Londër dhe një herë të vetme nuk mori mundimin që të takojë as ata shqiptarët e suksesshëm, që kanë pushtuar dhe po pushtojnë mediat e botës, PHD, lektorët shqiptarë të Universiteteve Britanike, sipërmarrësit tmerrësisht të suksesshëm etj etj, por nuk nguroi të merrte pjese edhe në takime ku flitej bie fjala për sportin (eksperienca personale e tij)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/