Në një rrëfim ekskluziv për gazetarin Kushtrim Sadiku në Info Magazine gangsteri më i famshëm shqiptar John Edward Alite ka rrëfyer për jetën e tij plot aventura, familjene tij nga Shqipëria dhe pjesëtarët e bandës së vet ku ishte edhe shefi John Gotti.
Ai ka qenë dora e djathtë e John Gotti, bosit të familjes së famshme të krimit Gambino.
Alite tregon se gjyshi i tij nga ana e babait ka lindur dhe është rritur në Gjirokastër. Kurse e ëma e tij vjen nga Tirana. Madje ka treguar se në Shqipëri jeton vëllai i tij Andri dhe të afërmit e tjerë më të cilët edhe mban kontakte.
“Unë kam qenë me fat, pasi jam rritur mes disa kulturash. Për nga gjaku jam shqiptar. Ia kam thënë këtë gjë edhe të dashurës time, qysh në fillim. E dua shumë atë. Bëj shaka se si ajo e flet rrjedhshëm gjuhën, ndërsa unë jo.”
“I kam thënë se jam më shqiptar se ajo, sepse jam rritur në një shtëpi me gjyshërit në katin e poshtëm, xhaxhallarët në atë përdhes, prindërit në katin e mesëm, tjetrin xhaxha dhe hallë në atë sipër nesh dhe tezen matanë rrugës.”
“Në atë kohë Shqipëria identifikohej me komunizmin dhe kishte shumë pak shqiptarë këndej pari. Kur njerëzit më pyesnin nga isha dhe unë u thosha “nga Shqipëria”, ata s’ia kishin idenë ku ishte ky vend”, ka shtuar Alite.
“Më thoshin se isha pak a shumë italian, ndërsa unë ua përsërisja se jam shqiptar. Jam shqiptar dhe gjithmonë krenar për përkatësinë time. Nga ajo mënyrë jetese kam mësuar tradhtitë, gënjeshtrat dhe lëvizshmërinë italiane, ndërsa dija dhunën shqiptare. Ne jemi të dhunshëm. Fatkeqësisht edhe unë u bëra i tillë”, ka pohuar Alite.
Ja sa para fitonte gangsteri më i njohur shqiptar
Dikur dora e djathë e John Gotti ka folur për pasurinë e tij, burimet e saj dhe atë që ndodhi sa ai ishte në arrati, dhe më pas në burg.
John Alite, ish-gangsteri më i njohur shqiptar dhe dikur një nga njerëzit e afër të ish narko-shefit John Gotti, ka thënë në një rrëfim ekskluziv për Info Magazine se në ditët e tij më të mira fitonte 5 milionë dollarë, në vlerë të sotme.
Ai është shprehur se megjithatë nuk e di me siguri vlerën e të hyrave që ka pasur, por se ajo ishte e lartë, pasi njerëz në rangje më të ulëta merrnin nga 10-50 mijë dollarë në muaj, njofton Klan Kosova.
“Minimalisht kam bërë një milion dollarë në muaj. Por nga dëshmitarët kundër meje, njëri nga të cilët i afërt i familjes Gotti, por që punonte për mua, thoshte se me shumë gjasë kisha më shumë të hyra se kaq. Ai ishte në rangje të ulëta të organizatës dhe merrte prej 10 deri në 50 mijë dollarë në muaj. Është e vështirë ta them me siguri, pasi kam pasur rreth 300 njerëz që kanë punuar për mua, në mënyrë direkte dhe indirekte, ndoshta më shumë. Ka pasur burime të ndryshme, por besoj që në vlerën e sotme kam fituar 5 milionë dollarë në muaj”.
Alite ka deklaruar se ka pasur shumë biznese që i sillnin të hyra të mëdha, përfshirë klube nate, biznes droge, fajdesh, parkingje të shumta e të tjera, njofton Klan Kosova.
“Kam pasur shtëpi në disa shtete, por kur isha në arrati ato u braktisën. Po ashtu kam qenë pronar i një kompanie parkingu në disa shtete. Por e humba pas disa proceseve gjyqësore. Më pas ajo u shit për rreth 16.7 milionë dollarë. Kam qenë pronar i një klubi nate që gjeneronte fitime prej dy milionë dollarësh në vit. Një biznes droge nga i cili merrja një milionë në muaj dhe një tjetër biznesh fajdesh. Kam pasur një biznes llogaritarie nga i cili merrja minimalisht 300 mijë dollarë në muaj. Merrja para në të gjitha drejtimet. Isha i përfshirë në shumë në shumë biznese”, deklaron ai në intervistën e për Klan Kosova
John Alite: Nuk e di saktë sa njerëz kam vrarë
Dikur dora e djathë e John Gotti ka folur për vrasjet, plagosjet dhe akuzat për to, nga qeveria dhe vet ish shefi i tij.
John Alite, më i famshmi ish-gangster shqiptar ka thënë gjatë bisedës me gazetarin Sadiku se nuk e di saktë sa njerëz ka vrarë gjatë viteve të tij të kaluara në rrugë.
Ai ka deklaruar se zyrtarisht është akuzuar për një numër të caktuar vrasjes, gjashtë sish, ndërsa jozyrtarisht ky numër ka lëvizur shumë. Sipas tij, as ai vet nuk e di me siguri, pasi kjo i ishte bërë natyrë e dytë.
“Është vështirë ta di. Has në vështirësi vazhdimisht me këtë numër. Por ligjërisht jam akuzuar për gjashtë vrasje dhe besoj rreth 30 plagosje, 37 besoj se ishte numri për të cilin kam dëshmuar. Jam akuzuar se kam vrarë dhjetëra, pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë. Disa nga ata nuk kanë trupa, për ç’arsye nuk akuzohem, por këto janë aspekte ligjore. Kur avokatët e mi morën në duar çështjen dhe dolëm në gjyq, Gotti thoshte se kam vrarë pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë persona për të. Nuk i kam numëruar, sepse ishte pjesë e përditshmërisë sime”.
Alite është shprehur se nuk e ka parë veten si vrasës, por si biznesmen, pasi lidhjet me politikanë dhe zyrtarë të shtetit e kanë bërë të kuptoj se as ata nuk janë të ndryshëm nga gangsterët. Edhe biznesmenët e kanë parë aty si një prej tyre, pasi ata kanë dështuar që dimensionin tjetër, atë të njeriut “në të zeza” ta kenë të dallueshëm, njofton Klan Kosova.
“Siç u thashë, është si kur bëhesh pjesë e ushtrisë, nuk mban llogari për këto gjëra. Nuk e kam parë në këtë mënyrë. E kam parë veten si biznesmen, dhe me kalimin e viteve, ndërsa forcoja lidhjet me politikanë dhe zyrtarë policor, kur dilja në drekë me drejtorin e policisë e shihja veten si ai, aspak të ndryshëm. Ose një detektiv që vriste me mua. E shihja veten jo më si kriminel të zakonshëm, por si biznesmen legjitim dhe bizneset e mia si të tilla. Isha i përfshirë edhe në komisionim(brokerage) dhe në Ëall Street. Një kushëri imi ishte një nga pronarët e një kompanie të madhe aty. Në këto kushte luan në tjetër nivel. Nuk je më bandit rruge, edhe paratë i fiton në tjetër rrugë. Fiton miliona dhe marrëveshjet i ke me milionerë. Kështu fillova të thelloj lidhjet me njerëz shumë të pasur. Për ta isha biznesmen, sepse më shihnin në të tilla rroba. Shumica më shihnin si dikush që po fitonte para. Por nuk e shihnin anën tjetër timen, kur hiqja këto rroba dhe veshja diçka të zezë për të mos u parë, ndërsa në ndonjë vend të errët vrisja dikë. Ky është dimensioni që njerëzit nuk e shohin – ai që mbetet i ndryrë”.
Kush e tradhtoi John Alite-n?
Ish gangsteri ka folur për tradhtinë e shefit dhe të rrethit të tij, për atë që e “shiti tek federalët” dhe vendimin që mori për të bashkëpunuar edhe ai me ta.
John Alite ka treguar se sa ishte i burgosur në Brazil kishte dëgjuar se John Gotti, i riu, po spiunonte të gjithë familjen, gjë të cilën e vërtetoi kur u ekstradua për t’u gjykuar në Amerikë, njofton Klan Kosova.
“Në burgun brazilian dëgjoja italianët tek dëshmojnë dhe spiunojnë kundër meje njëri pas tjetrit. Më pas, nga anëtarë të familjes Gambino, mësova se John Gotti i riu do të takonte fshehurazi zyrtarë të qeverisë. Kisha miq që erdhën të më vizitonin në Brazil, të cilët ma dokumentuan se Johnny i riu ishte spiun… Ndaj e dija që do të dëshmonte për të gjitha krimet që kisha bërë për 20 vjet. Në këtë botë pret që ata poshtë teje të të spiunojnë. Por jo edhe shefat, kapitenët e familjes Gambino, që në deklaratat hapëse thoshin se unë jam vrasësi dhe ata thjesht kapitenë… Këta tipa po spiunonin hapur. Dhe mendonin se mund ta bëjnë këtë sepse janë italianë, ndërsa unë shqiptar… Kështu, kur më ekstraduan, iu qasa më shumë dokumenteve, dhe në deklaratën hapëse thashë se John Gotti i riu është si Ëhitey Bulger – një bos i famshëm i mafias që po bënte lojë të dyfishtë, duke i ofruar informata qeverisë, ndërsa vazhdonte punën. Njëjtë si Gotti i riu. Pastaj ai del në gazetë dhe në medie tjera, për të ndërruar rrëfimin disa herë: po bashkëpunoja vetëm pak… vetëm për të dëmtuar armiqtë. Por ai nënshkroi ato dokumente, të cilat dolën tek një vit pas. Kjo do të thotë se ata e lanë të lirë për një vit, ndërsa bashkëpunonte dhe u jepte informata si Informator i Fshehtë”.
Alite ka deklaruar se ai u nxor përpara ligjit si rrjedhojë e spiunimit që iu bë dhe për këtë ka disa pista dyshimi, njofton Klan Kosova.
“Vendndodhjen time mund ta kenë dhënë disa persona. Disa thonë se ishte Gotti, të tjerë se ishte Jimmy Cadicamo, që drejtonte klubin tim të natës; një djalosh të cilin sapo e piketova u fut në listën e të rrezikuarve nga vetëvrasja, ngaqë kishte frikë se do ta vrisja. E këtillë është jeta, pa kurrfarë besnikërie”.
Mësimi që kam nxjerrë: Mos u bëni si unë
“Shihja si gjërat lëviznin përpara – se si vetura e Frank DeCicco u hodh në ajër në Brooklyn. Ai ishte mik, zëvendësshef i familjes, por Gotti i vjetër nuk bën asgjë për t’u hakmarrë për të. Kur u tregoj fëmijëve, u them se ky ishte niveli i besnikërisë në mafia. E dini pse Gotti nuk bëri asgjë? Sepse ende po fitonte para. Pasi ai vdes, Eddie Lino vritet në Brooklyn, nga dy detektivë. E dini ç’bëri Gotti për atë ushtar? Prapë, asgjë. Mungon hakmarrja. E dini pse-në? Përgjiga është prapë e njëjtë: sepse ai ende po fitonte para. Nuk donte ta fuste veten në telash për miqtë”.
“Më pas qëllohet dhjetë herë, para shtëpisë së tij, në sy të fëmijëve, Bobby Boriello. Gotti i vjetri nuk bën asgjë, prapë. Gotti i ri nuk bën asgjë po ashtu, megjithëse ai ishte kumbarë në dasmën e tij. A është kjo çfarë familja Gambino, John Gotti, i riu dhe i vjetri ishin për ushtrinë tonë; besnikëria që jepnin? Ku është kjo besnikëri? Askund. Mund të përmend edhe pesë të tjerë: Marc Reiter u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa i biri iu vra për këtë familje. Ai që e vrau ishte mik i Gottit të vjetër, dhe kryente shumë punë për të”.
Ai ka thënë se “kur dikush më flet për familjen Gotti dhe besnikërinë, u them që nuk ekziston”.
Ish gangsteri më i njohur shqiptar ka thënë se njerëzit duhet të nxjerrin mësim nga njerëzit si ai.
“Mësimi që duhet nxjerrë nga njerëz si unë është: u duhet thënë fëmijëve që të mos bëhen të këtillë. Mund të jetë shumë vonë për mua, për njërin apo tjetrin, por jo për ata”.
“T’i bësh të kuptojnë se kjo botë s’është e besnikërisë apo nderit, por e lakmisë, e tradhtisë. Dhe ndërsa dikur merrja jetë, tani po shpëtoj, i pëlqeu dikujt apo jo. Nëse nuk u pëlqen mund ta marrin timen, por këtë gjë do të bëj për një kohë”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/